Wed, Nov 19, 2025

Padi e re për ngacmim seksual ndaj Diddy, çfarë deklaron avokati i reperit?

Padi e re për ngacmim seksual ndaj Diddy, çfarë deklaron avokati i reperit?
  • PublishedNovember 19, 2025

Policia e Los Anxhelosit ka nisur hetimet për një ankesë të re për ngacmim seksual kundër reperit dhe producentit të njohur, Diddy (Sean Combs), e paraqitur nga një producent muzikor anonim nga Florida.

Padia pretendon se incidenti ka ndodhur gjatë një seti fotografik në Los Angeles në vitin 2020, ku sipas producentit, Diddy dyshohet se ka filluar të masturbohej, më pas ka ekspozuar organet gjenitale dhe i ka kërkuar producentit të “ndihmojë”. Producenti deklaron se nuk ka reaguar, ndërsa reperi vazhdoi aktin dhe më pas ia hodhi bluzën.

Autoritetet e Los Anxhelosit morën një kopje zyrtare të raportit nga Departamenti i Drejtësisë i Floridës më 14 nëntor dhe kanë njoftuar se do të vazhdojnë hetimet lidhur me ankesën.

Në reagimin e tij, avokati i Combs, Jonathan Davis, tha:

“Siç ekipi ligjor i z. Combs ka përsëritur për më shumë se një vit, ne nuk mund t’i përgjigjemi çdo akuze të pabazuar në atë që është shndërruar në një cirk mediatik. Për të qenë absolutisht i qartë, z. Combs i mohon kategorikisht si të rreme dhe shpifëse të gjitha akuzat për sulm seksual. Ai pret të shfajësohet në gjykatë, ku vendosen çështje të tilla mbi prova të pranueshme dhe thelbësore.”

Kjo padi e re vjen disa muaj pasi Diddy u dënua më 3 tetor 2025 me 50 muaj burg dhe një gjobë prej 500,000 dollarësh për dy akuza për transportim të grave për qëllime prostitucioni. Ai pritet të lirohet më 8 maj 2028, duke përfshirë kohën që ka kaluar tashmë në paraburgim në Qendrën Federale të Paraburgimit Fort Dix, Nju Xhersi.

Gjykatësi Arun Subramanian e gjobiti reperin me shumën maksimale dhe urdhëroi që pas dënimit të vuante pesë vjet liri të mbikëqyrur. Vendimi erdhi pas shpalljes së fajësisë nga një juri e Nju Jorkut më 2 korrik 2025.

Sipas procedurave, Combs mund të përfitojë ulje dënimi nëse tregon sjellje të mirë dhe përfundon programet e menaxhimit të drogës dhe zemërimit, madje edhe përpara fillimit zyrtar të seancave të apelit.

Kjo padi e re rikthen vëmendjen te figura e Diddy-t, duke ngritur pyetje mbi sjelljen e tij dhe ndikimin në industrinë muzikore dhe publikun.