Karim Adeyemi thyen heshtjen pas gjobës 450 mijë euro: Kam dështuar si shembull
Futbollisti i Borussia Dortmund dhe partneri i reperes Loredana, Karim Adeyemi, ka reaguar për herë të parë pas bujës së madhe që solli lajmi se ai ishte gjobitur me rreth 450 mijë euro nga autoritetet gjermane.
Sipas mediave, Adeyemi u vu nën hetim pasi në një pako të porositur online u gjetën objekte të ndaluara nga ligji, një histori që futbollisti e cilëson si një gabim të pafalshëm nga pakujdesia.
Nëpërmjet një ‘Instastory’, Adeyemi ka shpjeguar se gjithçka nisi në fillim të vitit 2024, kur ai kishte porositur nga interneti një të ashtuquajtur “Mystery Box” nga “Darknet”, pa e menduar pasojën. Brenda saj ndodheshin objekte që, sipas ligjit gjerman, klasifikohen si armë të ndaluara.
Pakoja kishte mbërritur me muaj vonesë dhe, siç tregon ai, krejt rastësisht kishte përfunduar e paçelur në duart e policisë.
Futbollisti ka shprehur publikisht pendimin, duke pranuar se është ndier i turpëruar jo vetëm financiarisht, por mbi të gjitha moralisht.
“Ishte një gabim i madh. Më vjen shumë keq dhe e ndiej thellë pendesën. Jam një figurë publike dhe duhet të jem shembull, këtë herë nuk e kam përmbushur.” – shkroi ai.
Adeyemi shton se gabimi e ka mësuar të jetë më i kujdesshëm, sidomos me ndikimin që ka tek të rinjtë.
Në fund, partneri i Loredanës falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij procesi, duke siguruar se një situatë e tillë nuk do të ndodhë më.
