Sun, Dec 21, 2025

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës i kthejnë sytë nga gjykata

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës i kthejnë sytë nga gjykata
  • PublishedDecember 21, 2025

Që kur mësoi se shtëpia e tij pranë bulevardit “Epidamn” do të prishej për t’i hapur rrugë projektit TID Durrës, Isuf Idrizi ka udhëtuar pesë herë drejt qytetit të tij të lindjes nga Padova në Itali, ku jeton prej vitesh.

Por përveç pasigurisë dhe faturave që rriten, Idrizi po përballet së fundmi edhe me shpenzime gjyqësore për kundërshtimin e vlerës së kompensimit të caktuar nga qeveria. Dhe padia gjyqësore duket se po jep frutet e para.

Idrizi i tha BIRN se ndryshe nga llogaritjet fillestare të Bashkisë, vendimi i Këshillit të Ministrave i kombinuar me vlerësimet e gjykatës e kanë rritur me tre herë vlerën e pronës së tij me sipërfaqe 188.7 metër katrorë.

“Po se cili do të fitojë në fund, një zot e di,” ngre supet ai.

Në të njëjtën situatë ndodhen shumica e familjeve që preken nga projekti i rijetëzimit të qendrës historike të Durrësit.

Pas protestave të muajit të kaluar, komuniteti i banorëve ka nisur përpjekjet për ndjekjen e procedurave gjyqësore, depozitimin e kërkesave dhe ankesave administrative, si dhe komunikimin me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Qëllimi i komunitetit nuk është bllokimi i zhvillimit apo pengimi i investimeve,” tha për BIRN urbanistja Entela Koja, përfaqësuese e njërës prej familjeve, “por vendosja e ligjit, garantimi i drejtësisë dhe respektimi i parimit të proporcionalitetit, në mënyrë që zhvillimi urban të mos realizohet në kurriz të të drejtave themelore të qytetarëve dhe trashëgimisë së qytetit. “

Sipas Kojës, familjet e prekura nga projekti TID Durrës nuk u konsultuan dhe nuk janë vënë në dijeni për ekzistencën, hartimin apo përmbajtjen e projektit, pavarësisht faktit se ky projekt kishte lidhje direkte me pronat e tyre. Ajo shtoi gjithashtu se procesi ka qenë thellësisht i mbyllur, i zhvilluar larg komunitetit që prekej realisht nga pasojat.

Njoftimi i parë për familjet ka ardhur vetëm pasi vendimmarrja ishte përfunduar, duke i vendosur ato përballë një fakti të kryer, në kundërshtim me çdo parim të planifikimit demokratik dhe të drejtës për pjesëmarrje.

Edhe shoqata “Durrësi Autokton” është vënë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, në kushtet e mungesës së konsultimit me palët.

“Dëgjesat janë zhvilluar kur projektet ishin përfunduar,” thanë drejtuesit e shoqatës.

Prej më shumë se dy muajsh, “Durrësi Autokton” ia ka adresuar shqetësimin e saj edhe Kuvendit të Shqipërisë, si dhe ambasadave të BE dhe SHBA-së.

“Bulevardi “Epidamn” është riformatuar pas tërmetit të vitit 1926, pra 100 vjet më parë. Ai ka ruajtur thuajse të plotë strukturën e periudhës kur u ngrit, pra përbën një vlerë të trashëgimisë historike të qytetit,” tha për BIRN kryetari i kësaj shoqate, Abdulla Deliallisi.

Kreu i “Durrësi Autokton” mendon se ruajtja e bulevardit në formën aktuale do t’i bënte një nder historisë së qytetit. Madje, sipas tij edhe ndryshimet e mundshme në fasadat e banesave e bizneseve mund të bëheshin nga vetë banorët, siç ka ndodhur në vitin 2000.

Ai vëren se në interpelancën e Kuvendit, ministri i Kulturës Blendi Gonxhe, nuk e përmendi faktiin se banorët dhe disa nga grupet e iinteresit kanë qenë kundër zbatimit të projektit TID. Shoqata ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë që “të ushtrojë kontroll parlamentar mbi vendimet dhe procedurat e ndjekura” si dhe ndërhyrje për pezullimin e menjëhershëm të prishjeve “deri sa të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e pranueshme për të gjitha palët”.

Isuf Idrizi, I cili banon pak metra larg bulevardit tha e ka kundërshtuar projektin që në fillim. Ai shton se në sheshin ku ndodhet shtëpia e tij ka edhe 16 familje të tjera që i janë drejtuar në grup gjykatës lidhur me çmimin e ulët të truallit.

“Shtëpia e prindërve të mi, e llogaritur për t’u shembur, nuk bën pjesë në listat e kompensimit të banesave,” thotë Idrizi, duke nënkuptuar se projekti ka qenë selektiv.

Urbanistja Entela Koja thotë se Bashkia e Durrësit është cilësuar formalisht si përfituese e projektit, por ky status nuk e përjashton dhe as nuk e çliron nga detyrimet e saj ligjore për planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin e territorit.

Sipas saj, Bashkia në këtë rast ka hequr dorë nga roli i saj kontrollues dhe mbrojtës, duke ia lënë vendimmarrjen strukturave jashtë kontrollit lokal dhe pa një llogaridhënie të qartë institucionale. Ndërhyrjet e saj janë kufizuar vetëm në disa shtesa apo modifikime të pjesshme të projektit, të cilat në shumë raste perceptohen më tepër si zgjidhje selektive apo klienteliste, sesa si përpjekje reale për rregullimin e situatës urbane dhe mbrojtjen e interesit të përgjithshëm.

“Ky projekt është një ndërhyrje thellësisht e gabuar, veçanërisht në një zonë me ndjeshmëri ekstreme të shtresëzimit të trashëgimisë kulturore dhe urbane,” theksoi Koja.

Bulevardi “Epidamn” në qendër të Durrësit. Foto: Gëzim Kabashi.