Albanity, surrogat i kulturës
Pyetjes “çfarë ke parë apo lexuar gjë të mirë këto kohë?”, i përgjigjem sipas interesave të personit, nëse është më afër librit apo arteve. Kur nuk ka lidhje dhe pyet për aperitiv apo për respekt të ndërsjelltë profesional, i përshkruaj diçka jo larg përditshmërisë për të nënkuptuar se e bukura megjithatë ekziston dhe një nga fuqitë e saj është që të lexojë mendime të pashprehura nga zori a rehatia. Nga të fundit do t’i tregoja për biografinë e Neronit të Eugen Cizek-ut, për më të shthururin e cezarëve, që e mbante veten artist jokonformist dhe shpallej kundër traditave. I dhënë pas veshjes, përdorte një smerald në vend të syzeve, shpenzime pa fund bënte për gjellë të shijshme e verë të mirë, poezitë dramatike dhe tragjeditë i recitonte vetë në teatër me kitarë, se kishte ambicien t’i bënte të gjitha. U kujdes po vetë për zbukurimin e pallatit, i sollën edhe grupin Laokont, se bukuria ishte kult i tij si manierist deri në panatyrshmëri dhe plebe deri në brutalitet. E ndante shansin nga rastësia dhe kërkonte shpikjen e një bote të re, botën si spektakël. Kur njerëzit zhdukeshin dhe Roma po bëhej qytet policor, ai shtonte argëtimin, festat dhe spektaklin. Ky ishte neronizmi. “Çfarë artisti po vdes duke vdekur unë”, përsëriste para vdekjes.
Do ishte bukur ta kishim me zërin e Agim Qirjaqit, që ka luajtur Rikard në rënie (Rikardi III) dhe mbret në buzë të varrit (Mbreti po vdes), po Qirjaqi nuk është më dhe punët e librit e të leximit i kanë në dorë oborrtarë që Qendrën Kombëtare e lozin nëpër kanalet e Qiterrës.
“Çfarë ke parë a dëgjuar tjetër këtë vit?”
Po të rrija tek shijet private, mund të ngecja në prrallat e Donat Kurtit dhe në “Menditimet” e Ardian Vehbiut të çdo dite në substack; në dhomën e gjelbër me gjembaçë të tharë të Renid Tosunit dhe në fotografitë në dru të Jona Krasniqit (hera e parë që shihja diçka nga këta dy artistë fare të rinj); në këngët e Aris Demajt e të Sahatit; në interpretimin e Ivana Hoxhës tek “Il Trovatore” dhe në atë varg që thotë “hija e ëndrrës është dëshira jonë”. Mund të ngecja në 3 sekonda frame kronikë lajmesh për shërbesën në kishën e Vunoit, ku fanitet Roza me ballin mbështetur në dorën e priftit, se janë minutat e fundit mbi dhé për Dhimitrin e saj dhe Anagnostin e Shqipërisë… Por e shoh me rëndësi që për vitin në ikje të prek të tjera ngjarje që do duhej t’i ndanim apo të na shqetësonin njëlloj për si shfrytëzohen burimet shpirtërore dhe materiale që i kemi të përbashkëta. Ngjarjet e para sipas rendit që po hedh këtu nuk kanë të bëjnë me numrat dhe përqindjet e aktiviteteve, spektatorëve, turistëve, sepse numrat në mënyrën si i përdor qeveria dhe mediat janë si mizat mbi eskrement.

“Fausti” i Marlou-Gëtes dhe “Si ta doni” i Shekspirit, dy produksione të Teatrit Kombëtar vënë në skenë respektivisht nga Davide Iodice dhe John Blondell, ishin të nivelit që mund të konkurrojnë në çdo skenë ndërkombëtare. Pas kaosit 9-vjeçar dhe skandalit për abuzime me financat nga paraardhësi, drejtori aktual i komanduar Indrit Çobani e ka futur brenda pak muajsh Teatrin në normalitet. Ai po ndërton një sezon relativisht cilësor për nga zgjedhja e veprave dhe angazhimi i pjesës më të madhe të trupës e bashkëpunëtorëve të huaj, po shfrytëzon mirë mjetet e marketingut e salla është plot edhe me shkollarë. Nëse qëndron në detyrë, uroj të mbajë larg konfliktit të interesit anëtarët e bordit, veten dhe familjarët, parime që shkelen nga drejtoresha dhe drejtorë që i japin vetes rolet dhe regjinë që s’i kanë pasur, sa ishin në radhë si të tjerët, duke djegur shanset e barabarta për artistët e thjeshtë.
Në të njëjtën skenë kam parë së fundi “Martesën” e trupës kombëtare të Kosovës, një ëndërr e përsosur makthi, që të jepte të kuptoje sa të pafundme janë mundësitë e teatrit për shpirtra krijues si i regjisorit polak Norbert Rakowski. Në këtë drejtim, Kosova është hapa para dhe dramës së Gombrowicz-it që në bazë ka kujtesën, vështirë t’i vinte radha po të qe për teatrin tonë. Sepse tanët e bëjnë kujtesën, atë të afërtën, të flasë me gjuhën e dosjeve të Sigurimit.
Mentalitetin rishikues dhe kritik në marrëdhënie me historinë do ta gjeja në ekspozitën “Shtigje të bigëzuara” të Alban Hajdinajt, që disa javë e hapur në Tiranë kaloi pa zë. Manipulimet në sfondin e luftës për rezistencë dhe aludimet mbi figurën e heroit e të tradhëtarit jo vetëm dëshmojnë se në themelet e kujtesës kolektive veprojnë mekanizmat e kontrollit, por edhe ngrenë pikëpyetje për historinë e re politike në epokën e lajmeve të rreme e të dizinformimit algoritmik.
Kujtesës i përkasin koleksionet e veprave që Gentian Shkurti i ka marrë si referenca transdiskursive për “Mbikëqyrje me video GKA” (33’, 2025), e projektuar në fasadën e Galerisë Kombëtare. Me anë të teknologjisë Shkurti ka hyrë në “kujtesën” e realizmit socialist për të rishqyrtuar vlerën reale të veprës së artit. A gjendet tek arti që më së shumti i ka shërbyer ideologjisë, diçka që t’i mbijetojë kohës dhe nëse po, përse e rimerr në një vepër të re artisti bashkëkohor? Kështu i prodhon arti idetë dhe stimujt, bëhet akt shoqëror dhe merr kuptim të qenët bashkëkohor, që do të thotë: të njohësh dhe të respektosh rrënjët e tua dhe të jesh në gjendje të interpretosh realitetin. I përmend si raste edhe për një fakt. Pikënisja e këtyre ngjarjeve të vogla është tek individi, jo tek kërkesat e donatorëve, praktika e projekteve dhe angazhimi social, që sakrifikojnë natyrën e krijimit dhe deformojnë shprehjen, prirje e shfaqur edhe midis atyre që e mendojnë artin si kundërpërgjigje për politikat centralizuese ndaj artit bashkëkohor në mënyrë të veçantë.
Me të njëjtën filozofi që dekonstrukton dhe ribën çfarë është jetuar dhe krijuar një herë, ishte ndërtuar spektakli “Fjalë nga e kaluara – kinema dhome” i Flavia Bakiut (aktrim, zë narrativ), Dora Bakiut (piano) dhe Riviera Lazerit (violonçel). Përvojë e paharruar në skenën e Akademisë së Arteve në ditët e fundit të nëntorit. Portreti i punës së këtyre vajzave të formuara kulturalisht në mërgim, do vijë i plotë në një shkrim të ardhshëm. Tregimi i tyre ishte një pëlhurë kujtese mbi traditën kinematografike shqiptare të shekullit të njëzetë, përpunuar nga mbresat e fëmijërisë, thurur me dhimbjen kolektive, mbijetesën, ideologjinë, ndjeshmërinë dhe humorin që artistet e kanë rigjetur në kolonat zanore dhe skenarët, fjalë pas fjale e batutë pas batute:
-Po bota, ç’do të thotë bota?
-Jeni një popull shumë i vonuar, zonjushe.
-Mishi tretet, kocka mbetet; mishi tretet gjuha mbetet. Këtë të fundit e kanë shtuar vajzat, të cilat shqipen e shohin si trupin ku mund të rilindin në kushtet e mërgimit të gjatë. Falë zërit të Flavias, stërvitur në shkollën e teatrit “Garrone” në Bolonjë, ndjeva pas shumë kohësh akustikën e mrekullueshme të së vetmes skenë të vërtetë që ka mbetur në Shqipëri. E pra, e këtyre do jetë Shqipëria që duam, do thoshte kryeministri po t’i dëgjonte atë natë. Për këta desha dhe e shemba teatrin për ta bërë të ri si dua dhe, kur këta nga jashtë të vijnë të recitojnë “mund ta gënjesh një popull për një kohë, por jo për gjithë jetën”, unë nuk do jem më.
Në fakt, ngjarjen kulturore të vitit e ka prodhuar kryeministri, pavarësisht se nuk mori vëmendje në moment, sepse ishte një fjalë dhe fjalë ai prodhon kurdo prej arsyes së mosarsyes. Më 3 mars 2025, në panairin botëror të turizmit në Berlin, ai e prezantoi botën me fjalën albanity. E hedhur si shtiza mbi një pakiderm, ky emër abstrakt kërkonte një kuptim të ri për mikpritjen, cilësi që i është veshur në shekuj shqiptarëve, sipas një ligji mesjetar që thotë se shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Tre muaj më vonë, u pa se fjala e re po hidhej në treg që të akumulonte imazh për kapital politik ose që kapitali i akumuluar politik të bëhej imazh me prezencë më të fortë në skenën ndërkombëtare. Albanity u vu në praktikë me ndihmën e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, sepse qëllimi i kryeministrit mbetet toka dhe arkitektura e ngulur mbi të, e jo gjiza me qepë e kripë për Agushët. AKPT-ja i bindet verbërisht kreut të qeverisë dhe funksionit ideologjik të nismave të tij për zhvillimin urban. Dhe lindi Festivali i Arkitekturës “Bread & Heart | Bring some salt, please”.

U rrethua një copë nga sheshi “Skënderbe” përfshirë kullën e Sahatit dhe kullën që i bën hije dhe u krijua një vathë arkitektësh të huaj pa pjesëmarrjen e kolegëve shqiptarë. Një danez që e prezantoi veten si profesionist i pavarur, hapi festivalin e 150 arkitektëve “nga më vizionarët e botës”. Të vendosur në rreth, një pjesë ishin ulur në betonin e freskët të kullës së papërfunduar, të tjerë në shkam, në funksion të dekorit të albanitetit, të odës së mikpritjes. Pamje që nuk dallon nga takimet e fushatave zgjedhore të kryeministrit, plus është e njëjta gjuhë regjie e kamerave.
Danezi tregoi se kur kishte takuar Edin për herë të parë në Tiranë, nuk ia merrte mendja që qyteti do bëhej kaq shpejt i afërt në ambicie arkitekurore me Bilbaon apo Mançesterin. Prezantuesja e dytë, një vajzë e re me theks të papërcaktuar anglishteje, i ftoi njëqind e pesëdhjetë vegimtarët të dëgjojnë tingullin më afër vetes, si do tingëllojë Tirana në tridhjetë vitet e ardhshme. Disa mbyllën sytë, u mbushën me frymë, u lëkundën lehtë fare si të ishin vetë tingulli vibrues i qytetit, që u vegonte si shfaqje mbinatyrore. Ata më të vjetrit, sytë e tyre pas syzeve me ngjyra, nuk lëvizën. Nga radhët e të njëqindepesëdhjetëve e mori fjalën i pari kryeministri. Si Bajram që ishte dhe për ta vënë “bukën dhe zemrën” në kontekst, ai tregoi për Abrahamin që Zoti e vuri në provë. Po riprodhoj një fragment, duke lënë në anglisht dhe në kursiv fjalët ku toni bëhej solemn dhe më me vetëbesim:
babai dhe biri shkojnë drejt sakrificës, e cila përmbushet jo nga vdekja, por nga dorëzimi, sepse në altar nuk po shkonte një fëmijë, por egoja, posesiviteti, iluzioni i kontrollit. Ky është kuptimi që po celebrojmë sot, është lidhja mes një ëndrre dhe besimit për ta çuar atë përpara. Festojmë sot, jo ritualin por çlirimin, jo thikën por mëshirën, jo pushtetin për të marrë, but the grace to give, not the offering of flesh but of self. Kjo është arsyeja pse radically and precisely jemi mbledhur këtu. Me këtë i kemi ftuar liderët botërorë në arkitekturë, jo me para dhe me lustra, por me ëndrra dhe besim. Ky festival është Bajram i shpirtit (…) Duke e parë tokën jo për ta dominuar po për ta dëgjuar, jo për ta sakrifikuar një vizion për një tjetër, por to lay down our egos, që diçka më e madhërishme të ngrihet në vend të tyre. Unë vij nga aq larg, nga shumë larg, në çdo kuptim, për t’u besuar rastësive. Por nuk është rastësi që ju jeni sot këtu në këto ditë të shenjta… Mirë se erdhët to join our mighty albanian art army!

Kryeministri pranoi se është i magjepsur nga arkitektura jo si ndërtesa betoni, por si kocka kuptimesh që vijnë nga një harbour of hope, nga arkitektura që nuk është profesion, por është akt krijimi i hapur dhe i vazhdueshëm, akti më i afërt me hyjnoren. Që ky nuk është motivi pse “Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Europa bashkë”, e provojnë qytetet dhe ndërtesat ku banojmë. Që gjuha e mësipërme e nxjerr mitologjinë e së shenjtës për ta përdhosur në një banalitet pa kufij mes estetikës, politikës dhe biznesit, edhe për këtë shembujt janë të mjaftë.
Pak javë para festivalit “Bukë dhe zemër” u mbajt gara ndërkombëtare për një projekt urban pas Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë territor, që deri në vitin 2017 i përkiste Zonës Historike ku ndalohej ndërtimi, kriteri i parë është të tejkalohet rekordi paraardhës i lartësisë, dhe kriteri i dytë, objekti të mos ketë gjë të përbashkët me ndërtesat fqinje. Studioja fituese franceze kishte parashikuar një hapësirë hibride me hotel, banesa, kazino, teatër, restorante, plus ndërtimin e një pylli artificial, e një pylli eksperimental artificial me ndihmën e teknologjisë. 150 mijë m2 ishte kapaciteti i hapësirës që ofrohej për një zemberek prej 5 kullash, më e larta rreth 200 m, në konkurrencë me Tirana Mount, në materiale çeliku, xhami dhe guri me ngjyra të përafërta me ato të sheshit “Skënderbe”. “E sjellim sheshin në formë vertikale”, thanë francezët, “që të shohim qytetin dhe gjithë gjeografinë e tij nga kulla më e lartë.” Këtë plan që deformon përfundimisht fytyrën e Qendrës Historike e inauguroi kryeministri.

Për t’u kthyer tek gjuha në emër të arkitekturës. Po t’i zhveshësh nga stili seren e i patrazuar, bëhen tronditëse dëshmitë për praktikën arkitekturore dhe raportet e saj me pushtetin dhe paranë. U tha se vendasit, zyrat vendore të projektimit dhe dizajnit urban po mësojnë mjetet e reja të të nxënit dhe metodologjitë që po sillen nga jashtë. Pra, puna me kolegët e huaj po shërben si akademi arkitekturore. “Edhe ne na u desh që duke ardhur këtu të çmësonim disa koncepte dhe të krijonim një kuptim të ri të modernizmit, të një modernizmi shqiptar po të doni”, tha një zonjë që ka projektuar për disa biznese vendase. “Duke qenë jashtë BE-së, Shqipëria është një vend jashte norme dhe kjo e bën interesante.” Me të njëjtin stil at ease, zonja tregoi rastin kur një klient shqiptar kishte nënvlerësuar në projekt kriteret sizmike dhe hapësirat publike. Studioja që përfaqësonte ajo korrigjoi “gabimet” dhe krijoi “një kullë më në përputhje me identitetin e Tiranës”. Shembull ky për të treguar përplasjen e gjuhëve mes të pabarabartësh!
Një tjetër kishte mbetur i impresionuar nga ekuilibri elastik midis politikës dhe ekonomisë, gjithnjë krahasuar me praktikat në vendet e Bashkimit Europian. Kishte parë se vullneti për të arritur diçka shkonte përmes zyrave politike, jo mbi bazën e një masterplani, por mbi një qëllim dhe ide kuratoriale. Ai u shpreh optimist për efektin që mund të ketë për Europën të nxënët në Shqipëri.
U përmend disa herë metafora e autobuzit që i ka hipur Shqipëria dhe pyetja “mos vallë kemi nevojë për frena?”, qarkullonte jo për sens kritik, por si një formë lirie e rehatit, sepse askush nuk po vinte në dyshim çfarë po thuhej. Familja kryeministrore ishte aty dhe e ndoqi për disa orë këtë lojë pasqyrash.
Toyo Ito, arkitekti i shquar japonez që aktualisht punon në dy projekte në Shqipëri, në përshëndetjen përmes videos uroi që Shqipëria të ketë një arkitekturë të re jo të shkëputur nga toka, për t’i qëndruar besnike kulturës, origjinës së saj tek kultivimi i tokës. Tregoi dhe ai për një rast që e kishte befasuar, kur “Edi më la të shprehja mendimet e mia në mënyrën më të plotë të mundshme”. I prekur nga ky fakt, Edi e mori prapë fjalën në odë dhe konfirmoi atë që sapo kishte thënë Ito.

Një shefe kuzhine nga Mexico City që vinte për herë të parë e frymëzuar nga arti i Anri Salës, si fillim iu përgjigj pyetjes: Si veproni ju që restoranti juaj të jetë i hapur edhe për njerëz që nuk kanë rezervuar? “Si ky festival” tha ajo dhe hoqi paralele mes të ngrënës dhe urbanes, mes stomakut dhe qytetit duke kombinuar simulime për një botë që nuk ekziston. Si recetë për të ardhmen, si përbërës që do donte ta sillte nga kuzhina e saj, ajo dha një këshillë: “Për të hyrë në thellësi dhe për të kuptuar vendin ku je, kurrë mos resht së dëgjuari njerëzit!” Pikërisht për transparencën ishte duke menduar autori i kullës Tirana Mount, danezi Mikkel Frost, që përfaqëson Cebra Architects. Atë e ka prekur shumë fakti që në Shqipëri funksionin kjo formë demokratike e ndarjes së arkitekturës me publikun dhe e përcjelljes live të konkurseve. I duken forma të vërteta edukimi. Edhe prindërit e tij e kishin ndjekur një herë në një transmetim nga kanali i Edit. Mikkel-it i ishte dukur vetja sikur ndodhej në një hapësirë globale dhe aty për aty kishte menduar “mos ne po e bëjmë keq këtë punë në Danimarkë dhe po ia lëmë vetëm elitës akademike që të marrë vendime?”. Ka qenë dehëse liria dhe besimi që i ka dhënë Shqipëria danezit, diçka që ai e lidh me mikpritjen ose me sloganin e Nike-ut: “Just Do It!”. Me pak fjalë, hapje radikale dhe demokraci direkte. Edhe “Bread and Heart” i duket laborator me pjesëmarrje të gjerë. Po ka akoma. Pagesat, për shembull. Shqiptarët e paguajnë menjëherë, disa orë pasi studioja e tij i çon faturat, ose fakti që i përgjigjen në çdo orë të ditës e të natës. Në asnjë vend tjetër nuk i ka ndodhur. Një herë, ditë e shtunë, dikush këmbëngulte ta paguante dhe ai i kishte thënë: “Më vjen keq, por fatura nuk më është drejtuar mua.”
Pier Paolo Tamburelli që për ca kohë u përfshi në zhurmën e hetimeve krahas Stefano Boerit në Itali, mendon se Shqipëria ofron vizion që zëvendëson rregullat dhe ambicie që shkojnë përtej mjeteve. Ndryshe nga Europa e Bashkuar që është mjeshtre e mungesës së ambicies dhe udhëhiqet nga qeverisja e zbrazëtisë, një mënyrë e rreme demokratike, në Shqipëri “ka një kryeministër që është autoriteti që mbështet arkitekturën”. Tamburelli veç uron që kjo ambicie të ruhet dhe “të mësojmë nga Shqipëria si të ndërtojmë institucionet tona që të marrin më shumë përgjegjësi”.
Një koreano-jugor që kishte kaluar nga oborri i Edit para se të projektonte për firma vendase, tani ka arritur në përfundimin se, Tirana është si një shënjestër në lëvizje gjatë gjithë kohës. Prandaj quhet “Tirana moons”, biblioteka e hapur në sheshin “Nënë Tereza”? Ka të ngjarë, përderisa të gjithë historinë e tyre me ketë vend, arkitektët e huaj e ndërtojnë në formën “kur takova Edin…”, “Edi më tha…”, “Edi më lejoi…, këshilloi, paralajmëroi, kërkoi”. Kanë kaluar nga i njëjti autoritet kontrolli të cilin e shohin njëherësh si burim lirie dhe besimi.
Arkitekti Chris Precht kujtoi ftesën që Edi i kishte bërë në “Bread and Heart”: “Gjeni një kënd të Shqipërisë që nuk funksionon dhe le ta ndreqim bashkë”. Sheshi ku u ngrit “Hënat e Tiranës” disa muaj më vonë, nuk ishte për t’u ndrequr dhe çuar dëm qindra mijë euro, që mund të kishin shpëtuar disa jetë të sëmurësh. Kryeministri e quajti “Serpentina jonë”, i vetëdijshëm se po të ishte Serpentine e vërtetë, nuk do ishte në mes të zhurmës, makinave dhe pluhurit. Të njëjtën gjë pat thënë për “Renë” e Fujimotos, që doli jashtë funksionit me mbylljen e Galerisë Kombëtare dhe forcimin e COD-it, ndërkohë ka një faturë përdorimi dhe mirëmbajtjeje që nuk i dihet vlera. Austriaku Chris është nga ata që rikthehen tek Edi pas veprave publike e të kushtueshme si “Eden Park” në oborrin e kryeministrisë apo projektime vilash në bregdetin e Jugut.
Për holandezin Winy Maas historia fillon tek një drekë me Ramën kryetar bashkie, fotografi që e kishte zgjedhur me të tjera për të treguar Tiranën në rrugëtimin “si ishte” dhe “si u bë”. “Është koha për Albania 2.1”, thotë ai dhe inkurajon: “Don’t stop densify”. Kur Brexit ia dëmtoi biznesin, Winy Maas gjeti në Shqipëri një shesh të ri. Kishte investuar kohë më parë për këtë ditë. Ishte arkitekti që lajmëroi në vitin 2012 planin e qeverisë së ardhshme socialiste për qytetet, për Tiranën veçanërisht. Ka lënë një provë në revistën “Studime për Artin” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, institucion pa kurrëfarë roli në çështje me interes publik si arkitektura. Këtu mund të kuptohet më mirë këshilla “Don’t stop densify”. Është kjo letër dashurie, drejtuar Tiranës me pasionin për ta defloruar si një Agamemnon:
“Ti do të krijosh hapësira ujore që do jenë të pastra e të bukura. Ti do shpëtosh nga pluhuri dhe mbeturinat. Ti do krijosh parqe tërheqëse dhe plot me lule (…) Muzeume që do të mbajnë brenda tyre një art mahnitës. Male me pyje të harlisura dhe jetë të shumëllojtë (…) Po në rajon si do shfaqesh? Cili do të jetë fati yt? A mund të kthehesh në distribution hub? A do mund të bëhesh qendra tregtare e rajonit? A do jesh qyteti i argëtimit? Qyteti i konferencave? Gjeneva e Lindjes? Isha kaq i mbresuar kur të vizitova së fundmi. Për mirë kuptohet. Pashë kullat që ngriheshin rreth sheshit qendror. Pashë se çfarë mund të ndodhë ndën këmbët e këtyre kullave. U mrekullova nga zona e bllokut, kjo strehë e dikurshme e banimit dhe e punës së udhëheqësve të njëherë e një kohe: një rrjetë mbresëlënëse me kopshtet, restorante, bare, zyra dhe dyqane. Me minikulla, vila dhe blloqe. Me Mercedes 4×4 që rrëshqasin mes turmave energjike. Ç’vend i gjallë plot energji! Prej këtu vjen shpresa për një përzierje të re të mundshme! Europa ka nevojë për të.

Fantazmagorisë së pushtetit mund t’i përgjigjesh ndonjëherë vetëm me gjuhën e prrallës apo të Servantesit: nëse pranojmë se kryeministri është i magjepsur nga arkitektura sa është zjarri pas korijes, nëse arkitektët e tij kanë deluzione që legeni i berberit u duket helmetë dhe hanet kështjella, atëherë Albania bëka pastërmanë më të mirë në gjithë gubernën e Xhabaries.
Duhet imazhi dhe arkitektura bashkëkohore për të veshur punët e pista në ndërtim dhe turizëm, duhet funksioni i tyre ideologjik për të kompensuar deficitin kulturor të një qeverie që ka nevojë për legjitimitet në pikun e korrupsionit, duhet Albaniteti për t’u shfaqur me vetësiguri dhe vetëkënaqësi si strateg i politikave të identitetit, duhet futur ligjërimi në mitologjinë religjioze për të përligjur mashtrimet mbi qytetin, të ardhmen, Shqipërinë që duam. Albanity është një fantazmë, një dogmë, magji për iluzion.
Jo pa qëllim e kam përmendur identitetin e vendeve nga vijnë arkitektët, për të kujtuar se u përkasin shoqërive të lira ku profesionistët e sferave të artit supozohet të jenë mendje të pavarura dhe që mbajnë përgjegjësi për zhvillimin e mendimit kritik në jetën publike. Ata shfaqen qëllimisht të frustruar prej atdheut të tyre dhe Shqipërisë i lëvdojnë albanitetin si ofertë radikalisht e hapur drejt kaosit, parasë dhe aventurës së pafre profesionale.

Kur japin ato ready-made answers për çfarë shohin në Tiranë e përtej, të merr malli për Maksin që e lexonte qytetin si qytetar dhe si poet (2025-a ishte shpallur “Viti i Maks Velos” për turpin e atyre që patën guximin ta shpallnin); janë për të ardhur keq që nuk munden t’i referohen asnjë fakti a fenomeni kulturor për shqiptarët – përjashtim bëri kuzhinierja nga Meksiko dhe një arkitekt amerikan që kishte lexuar “Piramidën” e Kadaresë, me gjasë se do kishte gjetur ndonjë referencë letrare për arkitekturën – dhe janë për t’u qarë hallin kur i sheh të magjepsur përballë një njeriu me pushtet dhe prrallës së tij moderne për Abrahamin, që e duartrokasin siç kanë bërë prindërit apo gjyshërit e tyre të magjepsur nga elokuenca e diktatorëve të shekullit të kaluar.
“Konkurrojmë në këtë moment me densitetin e arkitektëve në Venecia”, tha kryeministri para të njëqindepesëdhjetëve. Sapo ishte hapur Pavijoni Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës.
Për këtë ngjarje kulturore mund të ngrihen disa pikëpyetje.
Është i dyshimtë konkursi me thirrje të hapur, nën drejtimin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit Adelina Greca. Kush do mund të vihej tjetër në garë përballë arkitektëve që kanë punuar për qeverinë dhe bashkinë e Tiranës? Sepse këta e përfaqësuan Shqipërinë në Bienale nga maji në nëntor 2025. Një pjesë e mirë ishin të ftuar në “Bread and Heart”, pra, festivali ishte zgjatim i Pavijonit në Venecia.
Cili është burimi i financimit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bienale?
“Falë mbështetjes bujare të shumë sponsorëve anonimë”, thuhej në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kuratorja Anneke Abhelakh, studiuese e artit bashkëkohor dhe arkitekturës, rezulton të mos e njohë Shqipërinë, përveç Sheshit “Skënderbe” me të cilin thotë ka rënë në dashuri. Ajo ka pasur idenë, nëse vërtet ka qenë e saja ideja, që Shqipëria të prezantohej me 100 vjet histori arkitekture dhe ka shkruar ndër të tjera për një stereotip në kufijtë e trashanikes: “Rrugëtimi nga një regjim i rreptë totalitar prej 50 vitesh izolimi në një ekonomi të hapur kapitaliste në vitet 1990 ishte një ndryshim i thellë. Në pasigurinë e tmerrit kolektiv, asgjë e huaj nuk lejohej. Asnjë film i huaj, asnjë letërsi e huaj, asnjë ide e huaj, asnjë arkitekturë e huaj, as miq të huaj.” Kjo e pavërtetë e paqëllimtë nuk është, kur ke marrë përsipër ta paraqesësh arkitekturën e dy dekadave të fundit si ndryshimin më të mirë radikal që ka ndodhur ndonjëherë dhe përmes vizualizimeve 3D të tregosh punën e 56 studiove që veprojnë aktualisht në Shqipëri nga Álvaro Siza e Archea Associati, tek BIG, Mario Cucinella Architects, MVRDV, Stefano Boeri Architetti, Steven Holl Architects e të tjerë. Duke marrë për shembull Piramidën, tregohet përdorimi politik i arkitekturës, sidomos përpjekja e së djathtës në pushtet për ta shembur dhe roli i shoqërisë civile për ta mbrojtur. Kanë ndodhur kaq shembje të dhunshme nga e majta në pushtet, sa nuk do mend të dallosh më sipër narrativën selektive.
Pjesë e Pavijonit ishte dokumentari “The Albania Calls”, realizuar po nga Abhelakh në formën e intervistave me 50 arkitektë. Pata rastin ta shoh në korrik kur u shfaq në Vilën 31. Ishte një variant i filmuar i festivalit “Bread and Heart”, të njëjtat fytyra me po ato tregime mbi fantazmat e Tiranës së të ardhmes, plus “Edi më tha”, “Edi më lejoi”. Më mbeti shija e filmave të Kinostudios, ku të vërtetat thuhen me gojën e personazheve negative. Por nëse do ketë një ditë një hetim për fshirjen e memories dhe masakrën urbane mbështetur nga burime të dyshimta parash, ky dokumentar do duhet të shërbejë si provë.
Në Bienale ishte parashikuar të prezantohej “The albanian files”, një libër që përmbledh vepra të ndërtuara dhe të propozuara nga arkitektë ndërkombëtarë që punojnë në Shqipëri prej viteve dymijë. Ishte thënë që libri ka për redaktore Anneke Abhelakh-un dhe se shoqërohet me një ese nga Dejan Sudjic. Pyeta disa pjesëmarrës në Bienale, as e kishin idenë që ekzistonte. Pyeta arkitektë shqiptarë, nuk kishin dijeni. Doja të lexoja esenë e Sudjic-it, sepse kush e njeh si autor të studimit “Kompleksi i ndërtimit: Si të pasurit dhe të pushtetshmit i kanë dhënë formë botës” (The Edifice Complex: How the Rich and Powerful and their Architects Shape the World, 2006), me të drejtë do dyshonte që ai të kishte shkruar për zhvillimet e arkitekturës tek ne i komisionuar nga establishmenti, shtoi faktin që Sudjic-i nuk rezulton të ketë ardhur apo të jetë marrë ndonjëherë me rastin shqiptar në arkitekturë. E njoh nga arkitekti Artan Raça, i cili e ka përmendur në kontekstin e disa shembjeve në Tiranë që nxorën zbuluar fuqinë e pushtetit përballë arkitekturës. Sudjic-i shkruan:

Arkitektët nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të hyjnë në kompromis me regjimin dhe pushtetin kushdo qoftë ai. Por, kur llogaritë politike përziehen me psikopatologjinë, atëherë arkitektura nuk është më një problem i politikës së ditës, ajo kthehet në iluzion, madje deri në sëmundje që konsumon viktimat e saj. Ekziston një paralele psikologjike midis dhënies formë të territorit me anë të ndërtimeve dhe ushtrimit të pushtetit politik. Të dyja varen nga një akt vullneti. Të shikosh se si merr jetë para syve të tu një vizion mbi botën nëpërmjet një modeli arkitekturor, kjo ushtron vetvetiu një lloj efekti joshës dhe bëhet edhe më shumë tërheqës kur mendon se sa lehtë mund t’i imponohesh fizikisht qytetit tënd…
Dëgjova më pas disa nga bisedat e serisë së podcasteve që kuratorja Abhelakh ka realizuar me historianë, filozofë e antropologë shqiptarë e të huaj për t’i parë 100 vjet arkitekturë nga perspektiva të ndryshme. Në bisedën me të ftuar Elisabetta Terragni-n, Lea Ypin dhe Nebi Bardhoshin diskutohet “Mbi lirinë”, si ndodhi tranzicioni nga izolimi në liri dhe si administrohet liria në demokraci. Antropologu Nebi Bardhoshi thoshte se vendi jeton në krizë të shumëfishtë dhe në demokraci performative, që nuk është demokraci. Politikat neoliberale të privatizimit, PPP-ve, koncensionet janë në harmoni me gjuhën e teatrit, e state theatre që kryeministri e njeh mirë. “Political and moral problems were not problems at all”, thotë Lea Ypi në debat me Bardhoshin dhe këmbëngul që këto probleme të demokracisë performative të mos shihen si një ekskluzivitet lokal, sepse edhe Britania e madhe ku ajo jeton dhe punon e ndonjëherë edhe reagon për të drejtat e emigrantëve shqiptarë, i përjeton në një shkallë ekstremisht më të lartë se Shqipëria dhe do duhet që (nga ju që jetoni në Shqipëri) çështjet lokale të shihen në raport me ato globale. Neutraliteti i Ypit, ligjërimi i saj relativizues me një tufë termash dhe përgjigjesh prej njeriu që s’është as brenda dhe as jashtë, më vjen si prej stokut të intelektualit që edhe kur dyshon, është më rehat të jetojë dhe të bëjë teori me standard të dyfishtë, e pasi realiteti të jetë arkivuar dhe të ketë hyrë në histori, intelektuali i stokut mund të shkruajë kujtime në formë romani ku “njeriu bëhet gënjeshtar edhe me veten: ato që mendon tani, i duket sikur i ka menduar edhe dikur”, siç do thoshte Liri Belishova. Bardhoshi i kujtoi se miqtë e tij emigrantë në Angli nuk do ktheheshin në atdhe, sepse nuk kanë garanci për fëmijët e tyre nga sistemi arsimor dhe shëndetësor së pari, se të rinjtë i kanë të humbura mundësitë dhe vetëm me braktisjen e fshatit dhe mbylljen e disa dhjetra shkollave në vitet e fundit po të merreshim, kostoja e demokracisë do dilte përtej imagjinatës.
Ndërsa shkruaja këto radhë, në Kuvend ka zbritur prokurori i ri i SPAK-ut dhe protestat për dorëheqjen e kryeministrit vazhdojnë para Parlamentit dhe Kryeministrisë. Të nesërmen, ditë e shtunë, Ministrja e Shëndetësisë doli vetë për një reportazh të tregojë se shërbimi i kimioterapisë është në nivel europian. Ishte një ditë pas kërcënimit që kishte marrë gazetari Osman Stafa për investigimet mbi sistemin e Onkologjikut.
Në të njëjtën orë, kryeministri prezantoi Smart City Albania. Ai tha se në sajë të rritjes së sigurisë në shkolla, është ulur ndjeshëm numri i mungesave, madje dhe i kopjeve. Syri i teknologjisë me inteligjencë artificiale, dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe, ka një rrjet mbulimi në 20 bashki dhe futet kudo. “Ky sistem i sjell të gjithë në rresht në ekran para Policisë së Shtetit”, tha ai. “Brenda dy viteve do jemi në nivelin e vendeve më të sigurta të botës.”
M’u bë se dëgjova zërin e një nëne që i kanë vrarë fëmijën dhe gjykata i ka ulur dënimin vrasësit-bashkëmoshatar. Në fund të procesit ajo kishte thirrur “të lumtë dora Elvis Shkëmbi”. Ky ishte një djalë që kishte qëlluar mbi një gjyqtar dhe brenda natës, thonë, u shndërrua në vrasës.



