Tue, Feb 10, 2026

Shqipëria shënon rritje të perceptimit të korrupsionit për vitin 2025

Shqipëria shënon rritje të perceptimit të korrupsionit për vitin 2025
  • PublishedFebruary 10, 2026

Perceptimi i shqiptarëve për korrupsionin në institucionet publike u rrit gjatë vitit 2025, pavarësisht hetimit nga Prokuroria e Posaçme të një serie çështjesh korruptive dhe zyrtarësh të nivelit të lartë.

Raporti i fundit vjetor i Transparency International mbi nivelin e perceptimit të korrupsionit në botë për vitin 2025 e ka vlerësuar me përkeqësim Shqipërinë, e cila shënon rënie me 3 pikë dhe 11 vende në klasifikim nga viti 2024.

Në renditjen e 182 vendeve në të gjithë botën, Shqipëria renditet në vendin 91 me 39 pikë nga 100, duke u reditur dhe më keq se vendet fqinje të Ballkanit, të cilët po ashtu kanë shënuar rënie.

Edhe pse nuk ka një kapitull dedikuar Shqipërisë për arsyet e këtij përkeqësimi, raporti i Transparency International analizon përkeqësimin për të gjitha vendet e Ballkanit lidhur me përqendrimin e pushtetit, ndikimin e padrejtë mbi gjyqësorin dhe presionin ndaj shoqërisë civile, fenomene që nxisin hapa mbrapa në zhvillimet demokratike dhe mekanizmat e balancës dhe kontrollit mes pushteteve.

“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, mungesa e transparencës në vendimmarrjen për projektet e investimeve me vlerë të lartë është një dobësi e përbashkët. Pezullimi i rregullave të transparencës dhe pushtetet diskrecionale të pakontrolluara po i vënë fondet publike në rrezik nga korrupsioni, ndërkohë që po minojnë besimin e publikut,” thuhet në raport.

Për Shqipërinë, Transparency International vë në dukje se institucionet e reja të drejtësisë, përkatësisht SPAK dhe Gjykata e Posaçme, kanë fituar besimin e qytetarëve pasi kanë dënuar ish-ministra, anëtarë të Parlamentit dhe kryetarë bashkish dhe vijojnë hetimet për një ish-president, ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë publikë.

SPAK e nisi vitin me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, ndërsa në vjeshtë u mor e pandehur edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera me vlerë qindramilionë euro.

Një kërkesë për autorizimin e arrestimit të saj po zvarritet nga mazhoranca socialiste prej më shumë se dy muajsh. Publiku u trondit nga një tjetër dosje hetimore  që zbulonte se drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Informacionit, AKSHI, funksionin si pjesë e një grup i strukturuar kriminal që ndikonte në tenderat e kësaj agjencie.

Të gjitha këto dosje, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, kanë zbuluar njëherazi se sa i përhapur është korrupsioni në institucionet publike, duke ndikuar edhe perceptimin publik për të.

“Kjo lidhet me zbulimin përmes dosjeve të SPAK, të skemave dhe aferave korruptive që janë bërë publike nga media dhe, për rrjedhojë, edhe nga qytetarët,” tha Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare” mbi rritjen e perceptimit për korrupsionin.

“Këto dosje tregojnë bashkëpunimin mes politikanëve, zyrtarëve publikë dhe krimit të organizuar për përfitimin e tenderëve me vlera të larta ose të pronave në kundërshtim me ligjin,” shtoi ai.

Ndërkohë për Daniel Prronin, ekspert për çështje të integrimit dhe antikorrupsionit, ka disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e indeksit dhe kjo lidhet kryesisht me mënyrën se si po performojnë institucionet shqiptare në raport me standardet demokratike të transparencës në menaxhimin e fondeve publike.

“Arsyet e rënies së sivjetshme kanë të bëjnë me shqetësimin e kahershëm të përqendrimit të lartë të pushtetit, kompetencat tepër të gjera të ekzekutivit dhe mungesën e transparencës në vendimmarrjen për projektet publike strategjike, ku rreziku i korrupsionit është veçanërisht i lartë,” tha Prroni për BIRN.

Prroni beson gjithashtu se në përceptim ndikojnë edhe “mangësitë në kornizën rregullatore dhe në praktikat institucionale”, të cilat shfaqen qartë sipas tij në rastet e bujshme të korrupsionit si ato të Ministrisë së Infrastrukturës dhe AKSHI-t.

Edhe pse raporti i Transparency International nuk ka analizuar në veçanti Shqipërinë për problematikat në luftën antikorrupsion, Prroni sugjeron se rastet e këtyre dosjeve të bujshme të korrupsionet kanë nxjerrë në pah edhe “dobësitë e mekanizmave të kontrollit dhe balancës”.

Ai referohet rastit të fundit kur Kuvendi ende nuk ka shprehur një qëndrim mbi heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Indeksi mirënjeh përpjekjet e institucioneve ligjzbatuese për të ndëshkuar korrupsionin, por ato nuk janë të mjaftueshme për të përmbysur peshën e dështimeve në politikat parandaluese, mangësitë në kornizën rregullatore dhe kulturën institucionale, të cilat ende pengojnë ushtrimin e kompetencave publike në pajtim me standardet e shtetit të së drejtës,” tha ai.

Ky regres në indeks pas një vlerësimi pozitiv në vitin 2024, sipas tij, e rikthen vendin pranë mesatares së dekadës së fundit prej 39 pikësh dhe tregon se përmirësimet e arritura mbeten të brishta, ndërkohë që performanca e Shqipërisë pasqyron edhe një prirje më të gjerë rajonale, ku përpjekjet ndaj korrupsionit në shumë vende po shfaqin shenja stanjacioni ose përkeqësimi.