Wed, Feb 11, 2026

Fushata kundër ligjit për ‘Barazinë Gjinore’ u frymëzua nga Donald Trump

Fushata kundër ligjit për ‘Barazinë Gjinore’ u frymëzua nga Donald Trump
  • PublishedFebruary 11, 2026

Miratimi i ligjit ‘Për barazinë gjinore në Shqipëri’ në nëntor, i cili përfshiu në përdorim termin e ‘identitetit gjinor’ sipas standardeve ndërkombëtare për barazi dhe mosdiskriminim, ndezi debate në media dhe në platformat e rrjeteve sociale.

Ligji u kundërshtua ashpër nga një aleancë midis partive opozitare dhe grupimevekonservatore ‘pro-familjes’, të cilat ndërmorën një fushatë të koordinuar të bazuar në narrativat e ‘panikut moral’, duke shënjestruar komunitetin LGBT dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat u portretizuan si kërcënim për ‘familjen tradicionale shqiptare’.

Nëpërmjet metodave kërkimore të hapura (OSINT), BIRN gjurmoi dhe analizoi postimet në rrjete sociale dhe artikujt e publikuar në media nga mesi i shtatorit 2025 deri në fillim të janarit 2026, duke identifikuar të paktën tetë narrativa të ndryshme identitare të shpërndara kundër ligjit dhe mbështetësve të tij, përfshirë akuzat se ai i shërbente “agjendës marksiste globaliste, përmes njerëzve të Sorosit”, se “familja tradicionale është në rrezik dhe duhet shpëtuar”; se “ligji i hap rrugën genderizimit të fëmijëve të mitur dhe adoleshentëve në shkolla”apo se “ligji imponon 72 gjini të reja”.

Këto narrativa, të prezantuara si të vërteta absolute – një karakteristikë e retorikës populiste – u përsëritën rregullisht, ishin të koordinuara dhe u shpërndanë nga të njëjtët aktorë, kryesisht nga Koalicioni Shqiptar Pro Familjes, anëtarë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë në opozitë, si dhe aktivistë me bindje konservatore dhe profil publik, të cilët i thanë BIRN se pikëpamjet e tyre ishin në koherencë me administratën amerikane të presidentit Donald Trump.

“Ne ishim ata që ishim absolutisht me politikën republikane kundër fëmijëve trans – ku edhe vetë Trump e ka luftuar dhe kjo më bënte që të isha edhe unë një Trumpiste e momentit”, tha Dorina Mema, një ish atlete fitnesi, inxhinier biotech, aktiviste me bindje konservatore, që bashkoi zërin kundër ligjit, me Koalicionin Pro Familjes.

Përballë një fushate të ashpër në media dhe rrjete sociale, organizatat që propagandonin për miratimin e ligjit e gjetën veten të paralizuara dhe pa koordinim për t’iu kundërpërgjigjur njëzëri këtyre narrativave.

“Sulmet online, publikimi i të dhënave personale dhe etiketimi si zbatues të një ‘axhende sorosiane’ e zhvendosën debatin nga përmbajtja reale e ligjit,” tha Ines Xhelili, drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).

Çfarë është gjinia?

Në biologji, gjinia ose seksi biologjik i referohet karakteristikave fizike dhe fiziologjike me të cilat lind një person, si kromozomet, hormonet dhe organet riprodhuese. Këto elemente përcaktojnë nëse një individ klasifikohet zakonisht si mashkull ose femër në lindje. Megjithatë, biologjia njeh edhe raste të ndërmjetme, si fëmijët interseks, ku karakteristikat seksuale nuk përputhen plotësisht me kategoritë tipike mashkull ose femër.

Në kuptimin shoqëror, gjinia nuk lidhet vetëm me seksin. Ajo lidhet me rolet, normat dhe pritshmëritë që një shoqëri u atribuon burrave, grave apo identiteteve të tjera gjinore. Mënyra se si një person e përjeton dhe e përcakton veten përkufizohet si identitet gjinor, ndërsa mënyra se si ai ose ajo paraqitet në publik, referohet si shprehje gjinore.

“Grua nuk lind, por bëhesh,” shkruante filozofja franceze, Simone de Beauvoir në vitin 1949 në librin e saj “Seksi i dytë”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, ndryshe nga seksi biologjik, gjinia si konstrukt shoqëror ndryshon në kohë dhe nga një kulturë në tjetrën. Ajo është hierarkike dhe prodhon pabarazi që ndërthuren me pabarazi të tjera sociale dhe ekonomike.

Ligji ‘Për barazinë gjinore në Shqipëri’ synon të adresojë pabarazitë që vijnë si rrjedhojë e hierarkisë gjinore në shoqërinë shqiptare.

“Në këtë ligj flitet për gratë, për nënat e vetme në biznes, si mund të ndihmohen, për ngacmimet seksuale në vendin e punës – është një spektër shumë i gjerë, që nëse zbatohet, përfitueset janë gratë dhe vajzat,” thotë Xhelili nga AWEN.

“Një nga përkufizimet në ligj fliste për seksizmin dhe ai ishte një nga fjalët më të kontestuara, ose për identitetin gjinor, dhe këtu plasi bomba më e madhe,” shtoi ajo.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me përcaktimin që OBSH ka për gjininë, në mënyrë të veçantë grupet fetare dhe konservatore, të cilat kanë gjetur një aleat të fuqishëm në lëvizjen MAGA të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

“PD njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, të bazuara në aspektin biologjik dhe natyror,” tha Besart Xhaferri, deputet i Partisë Demokratike dhe drejtues i forumit të saj rinor.

“Ne bazohemi patjetër edhe mbi vetë deklaratat e presidentit Trump, linjën që është zyrtare sot në politikën konservatore amerikane, të cilat njohin gjinitë mashkull dhe femër që jepet në certifikatën e lindjes nga mjeku,” shtoi ai.

Aktivistja Dorina Mema, tha se projektligji i ngjante legjislacionit në vende ku janë njohur më shumë se dy gjini dhe se ajo e kundërshtonte atë për shkak të pasojave që, sipas saj, ky përcaktim i gjinisë mund të sjellë te fëmijët.

“Fëmijët deklarojnë që në moshë të vogël se janë trans dhe i çojnë për hormone,” deklaroi Mema, ndërsa shtoi: “Me këtë ligj unë nuk negocioj dot.”

“Unë shikoj një tendencë për ta dërrmuar gjenetikën shqiptare,” theksoi ajo.

Koalicioni Pro-Familjes

Koalicioni Pro Familjes, organizatë joqeveritare që në faqen e saj zyrtare thekson vokacionin për mbrojtjen e familjes tradicionale dhe ideologjisë konservatore, si dhe se përbëhet nga individë të paangazhuar në parti politike, u shfaq si një nga aktorët më të zëshëm kundër projektligjit për Barazinë Gjinore.

Megjithatë, lidhjet me politikën nuk mungojnë, pasi djali i drejtuesit të koalicionit, Akil Pano, është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe ishte kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare.

I ftuar në emisionin Opinion me Blendi Fevziun në TV Klan më 22 shtator 2025, pastori Akil Pano e cilësoi projektligjin si “një tmerr i paparë”, “koktej gjinish” dhe “kancer që do të shkatërrojë kulturën shqiptare”.

Këtë narrativë e shtyu më tutje një sondazh i Institutit për Liri dhe Trashëgimi, një qendër që prezantohet si ‘zëri i konservatorizmit shqiptar’ dhe drejtohet nga Jonathan Pano, djali i Akil Panos.

Gjetjet e publikuara më 13 tetor 2025 në Facebook, në formën e “raportit kombëtar mbi qëndrimin e qytetarëve shqiptarë për ligjin e barazisë gjinore”, shfaqnin shifra gati absolute mbi perceptimin e publikut shqiptar për koncepte si familja, gjinia etj.

Sondazhi i Institutit për Liri dhe Trashëgimi u publikua dhe u amplifikua paralelisht nga Koalicioni Pro Familjes, i cili e përdori atë si argument qendror në fushatën kundër ligjit për barazinë gjinore.

“99% e shqiptarëve e konsiderojnë familjen tradicionale (burrë, grua, fëmijë) si themelin e shoqërisë”, apo “97.6% e kuptojnë gjininë si kategori biologjike binare (mashkull/femër),” theksohej në sondazh. Këto gjetje u shfaqën në titujt e mediave online me konkluzionin se shqiptarët ishin kundër ligjit për barazinë gjinore në Shqipëri.

Paralelisht me këtë, aktivistë me bindje konservatore e radikalizuan diskursin publik, duke e lidhur miratimin e ligjit me rrezikimin e fëmijëve, sterilizimin, imponimin e përdorimit të hormoneve për ndryshimin e gjinisë, deri te narrativa për shkatërrimin e gjenetikës kombëtare shqiptare.

“Janë shumë pak njerëz që e kuptojnë se ky është një ligj që prek të drejtat e njeriut, nëse kontestohet kaq hapur, dhe kjo është shumë shqetësuese,” thekson Ines Xhelili.

Për Xheni Karajn, aktiviste e të drejtave të njeriut, kjo lloj propagande nuk është e re, por ka nisur nga grupet konservatore që nga viti 2021, duke amplifikuar urrejtjen ndaj komunitetit LGBT, pas një periudhe progresi real në pranimin nga shoqëria të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

“Kthesa ndodhi me fushatën e dezinformimit për ‘prindin 1’ dhe ‘prindin 2’, një debat i importuar, larg realitetit shqiptar, që krijoi terrenin për formimin e Koalicionit për Mbrojtjen e Familjes – një riprodhim i lëvizjeve ‘anti-gender’ amerikane të rrënjosura në patriarkalizëm,” tha Karaj.

“Retorika që e portretizon komunitetin LGBT si rrezik për fëmijët dhe kombin çoi në dehumanizim dhe polarizim ‘ne kundër atyre’,” shtoi ajo.

Edhe Ines Xhelili thotë se Koalicioni Pro Familjes është pjesë e një axhende globale “anti-gender”, e mbështetur financiarisht dhe e shoqëruar me një fushatë të qëllimshme dezinformimi.

I kontaktuar për këto pretendime, drejtuesi i Koalicionit Shqiptar Pro Familjes, pastori Akil Pano, refuzoi të komentojë mbi akuzat, duke thënë se deklaratat e tij mund të nxirren jashtë kontekstit.

Ndërkohë, Besart Xhaferri nga Partia Demokratike, edhe pse pranoi se ka koordinim mes PD-së dhe Koalicionit Pro Familjes në kundërshtimin e ligjit, theksoi se ky subjekt politik distancohet nga gjuha stigmatizuese ndaj grave apo komunitetit LGBT.

“Shumë anëtarë të Koalicionit Pro Familjes janë simpatizantë apo pjesë e strukturave të PD-së dhe ne biem dakord në kauzën që ata kanë ngritur,” tha Xhaferri.

“Megjithatë, jemi përpjekur ta trajtojmë këtë çështje përmes argumenteve ligjore në komisionet parlamentare dhe me votën tonë kundër në Kuvend,” theksoi ai.

Partia Demokratike mbështet gjithashtu nismën e Koalicionit Pro Familjes për mbajtjen e një referendumi për anulimin e ligjit për barazinë gjinore, por mohon që kjo të jetë një strategji për të siguruar vota elektorale.

“Referendumet janë të rëndësishme në debate kaq të mëdha publike,” tha ai. “Këto janë çështje shoqërore dhe jo instrumente të ambicies elektorale,” përfundoi Xhaferri.

Narrativa dezinformuese

BIRN analizoi përmes metodave të kërkimit të hapur, OSINT, të paktën 25 artikuj, postime në formën e videove, deklaratave dhe përmbajtje të tjera që u shpërndanë nga mesi i shtatorit 2025 deri në fillim të janarit 2026, ku bie në sy se në platformën Instagram ka një përhapje masive të tyre.

Nga analizimi i përmbajtjeve të shpërndara në rrjetet sociale dhe në disa media online, rezultojnë tetë narrativa mbizotëruese që ushqejnë kundërshtimin ndaj projektligjit për barazinë gjinore.

Ligji paraqitet fillimisht si një kërcënim për “familjen tradicionale”, ndërsa në vijim pretendohet se ai imponon ekzistencën e gjinive të shumëfishta – nga pesë deri në “72” apo edhe një numër të pafundëm. Një tjetër tezë e përhapur është se fëmijët rrezikohen nga “genderizimi” në shkolla dhe se edukimi mbi barazinë gjinore do të çojë në “shpëlarje truri” me pasoja të pariparueshme.

Në këto narrativa, ligji portretizohet gjithashtu si pjesë e një “axhende globale” të lidhur me figura si Xhorxh Soros, me ekstremin e majtë apo me atë që cilësohet si “marksizëm kulturor”.

Disa pretendime shkojnë më tej, duke e paraqitur nismën si një përpjekje për të shpopulluar Shqipërinë, për të zhbërë kombin dhe për të fshirë nocionet “burrë” dhe “grua”. Paralelisht, përhapet ideja se ligji do të kriminalizojë gjuhën dhe mendimin, duke rikthyer censurën dhe madje diktaturën – deri në pretendimin se pohimi i ekzistencës së dy gjinive do të çojë në burg. Së fundi, artikulohet pretendimi se “99 për qind e shqiptarëve” janë kundër ligjit, ndërsa komuniteti LGBT paraqitet si rrezik për fëmijët dhe për “gjenin” apo identitetin kombëtar shqiptar.

Këto narrativa nuk përbëjnë një fenomen të ri me origjinë në debatin publik shqiptar, por janë të importuara dhe të ricikluara nga fushata të ngjashme dezinformimi të zhvilluara më herët në vende si Hungaria, ku janë përdorur për të mobilizuar kundërshtimin ndaj politikave të barazisë gjinore.

Gazetarja e verifikimit të fakteve në Hungari, Zsófia Fülöp, e cila ka hulumtuar për organizatën fakt-verifikuese, Lakmusz, mbi mënyrën se si shpërndahen narrativat “anti-gender”, konfirmon për BIRN ngjashmërinë me ato që u përhapën në Shqipëri.

“Në qendër të tyre ka qenë pretendimi se të drejtat LGBT dhe koncepti i gjinisë rrezikojnë fëmijët, duke i lidhur në mënyrë të qëllimshme çështjet e gjinisë me pedofilinë, nën retorikën e ‘mbrojtjes së fëmijëve’ dhe ‘familjes tradicionale’,” shpjegoi ajo.

Ngjashëm me Hungarinë, edhe në Shqipëri aktivistët besojnë se interesat politike kanë ndihmuar në amplifikimin e narrativave dezinformuese.

Xheni Karaj vlerëson se kjo kauzë është shfrytëzuar nga Partia Demokratike për përfitime elektorale, ndërsa Partia Socialiste ka përfituar për ta zhvendosur vëmendjen publike nga skandalet e korrupsionit.

“Fakti që debati zgjati kaq shumë, për mua ka qenë një përdorim edhe nga mediat e të dyja palëve për tërhequr vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që plasën direkt sa u mbyll debati për miratimin e ligjit,” tha ajo.

Përtej debatit politik, ajo argumenton se narrativa e ndërtuar rreth ligjit nuk lidhet me problemet reale të shoqërisë shqiptare.

“Problemi i njerëzve, në fund të fundit, nuk është se çfarë bëj unë me jetën time dhe çfarë bën partnerja ime,” tha Karaj.

“Nuk ka mbetur problemi i edukimit te komuniteti LGBT, kur të rinjtë po vrasin njëri-tjetrin nëpër shkolla dhe ti nuk ke ambiente të sigurta,” përfundoi ajo.