Mon, Feb 23, 2026

Jamarbër Malltezi deklarohet i pafajshëm në çështjen “Partizani”

Jamarbër Malltezi deklarohet i pafajshëm në çështjen “Partizani”
  • PublishedFebruary 23, 2026

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë u zhvillua të hënën, më 23 shkurt, seanca e radhës e çështjes penale në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, si dhe të pandehurve të tjerë në çështjen e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Gjatë kësaj seance, të pandehurit përmbyllën parashtrimet dhe paraqitën kërkesat për pyetjen e dëshmitarëve dhe administrimin e provave, duke i cilësuar pretendimet e SPAK të ngritura mbi të dhëna të pavërteta.
Të pandehurit u deklaruan të pafajshëm dhe kërkuan rrëzimin e kërkesës për gjykim si të pabazuar. Parashtrimet dhe kërkimet e Berishës, përmes mbrojtësit të tij, janë paraqitur në seancat pararendëse.

Gjatë seancës të hënën, vijoi dhe përfundoi parashtrimet i pandehuri Jamarbër Malltezi, i cili shfaqi fillimisht në ekran një deklaratë të deputetit socialist Taulant Balla, i cili kreu kallëzimin penal për këtë çështje, ku ai shprehej se një pjesë e amanetit ishte burgosja e Sali Berishës.

Malltezi shfaqi edhe një deklaratë të kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit i drejtohej SPAK duke kërkuar hetime ndaj kreut të opozitës. Sipas Malltezit, të nesërmen e deklaratës së Ramës, SPAK u ishte drejtuar me kërkesa për informacion 16 institucioneve.

Malltezi deklaroi se familja Begeja, trashëgimtar i së cilës është edhe ai, ka zotëruar prona e toka të shumta, nga të cilat është rikthyer një pjesë e vogël. Ai shtoi se, nëse do të kishin pasur ndikim në vendimet e qeverisë së kryesuar nga i vjehrri, duhet të ishte kthyer edhe pjesa tjetër e pronave.

Sipas Malltezit, disa pronarëve – pronat e të cilëve u sekuestruan gjatë regjimit komunist – u është dhënë shpërblim; të tjerëve, qeveria aktuale u ka dhënë pronat kundrejt vlerës 1 euro, ndërsa për anëtarët e familjes Begeja – theksoi ai – kërkohet dënimi.

Ai kundërshtoi pretendimin se VKM-të e qeverisë Berisha kanë qenë nominative dhe solli në vëmendje se kishte qenë kryeministri Edi Rama, në tagrin e kryebashkiakut të Tiranës, i cili në atë kohë kishte miratuar lejen për zhvillimin e pronës së familjes Begeja. Po ashtu, Malltezi nënvizoi se Berisha kishte nënshkruar në mënyrë ex officio vendimet e Ramës. Sipas tij, Rama, në tre raste, ka ndryshuar destinacionin e pronës dhe theksoi se kryeministri aktual ka kryer shpërdorim detyre.

Sipas Malltezit, SPAK ka paraqitur të dhëna të pavërteta në kërkesën për gjykim dhe në parashtrime, pasi vetëm 10% e pagesës për objektet që gjendeshin në tokat e familjes Begeja ishin përdorur letra me vlerë, ndërsa 90% ishte shlyer me vlera monetare.

Po ashtu, ai tha se nuk qëndronte pretendimi i SPAK për ndryshim të një VKM-je, që ishte përdorur për favorizimin e tij dhe bashkëpronarëve të tjerë. Malltezi deklaroi se në atë VKM ishte ndryshuar vetëm një pikë që kishte të bënte me ankandet, ndërsa pjesa tjetër e vendimit është ende në fuqi. Ai cilësoi të pavërteta edhe të tjera akte të dosjes së SPAK.

Në përfundim të fjalës së tij përpara trupit gjykues, Malltezi kërkoi që të administrohen si prova aktet që ai ka dorëzuar për të vërtetuar se akuzat nuk qëndrojnë. Po ashtu, ai kërkoi rrëzimin e kërkesës për gjykim dhe të parashtrimeve të SPAK. Për prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kërkoi që të urdhërohet regjistrimi i një hetimi për falsifikim dokumentesh; ndërsa ndaj Edi Ramës për shpërdorim detyre, e ndaj Taulant Ballës për kallëzim të rremë.

Edhe përfaqësuesi ligjor i biznesmenit Fatmir Bektashi, avokati Sokol Hazizaj, e cilësoi kërkesën për gjykim si të paligjshme dhe të palogjikshme. Ai kërkoi që të kryhet akt-ekspertimi kontabël për të gjitha investimet e kryera, si dhe për transaksionet, që të kuptohet se ku kanë shkuar vlerat monetare të shoqërisë së zotëruar nga Bektashi. Hazizaj tha se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë akuzën e korrupsionit aktiv të ngritur ndaj të përfaqësuarit prej tij dhe e cilësoi atë të pafajshëm. Të njëjtat pretendime u ngritën edhe lidhur me shoqërinë Kontakt, në pronësi të Bektashit.

Edhe përfaqësuesi i të pandehurit Xhimi Begeja e cilësoi të pafajshëm të mbrojturin prej tij. Sipas tij, nuk mund të akuzohet i pandehuri Xhimi Begeja për pastrim parash vetëm sepse ndërtoi në tokën e tij dhe me të ardhura të trashëguara. Po ashtu, u nënvizua se gjithçka rrjedh nga kompensimi i pronave. I pandehuri Xhimi Begeja u shpreh se, në kushtet kur ishin para SPAK pse kishin marrë 5% të pronave të tyre, çfarë do të ndodhte nëse do t’u ishin kthyer të gjitha pronat.

Edhe përfaqësuesja e të pandehurës Andia Pustina kërkoi pafajësi. Ajo vërejti se e mbrojtura prej saj akuzohet pasi motra e saj ka shoqëri me bashkëshorten e Malltezit. Avokatja Klodiana Gjyzari u shpreh se shoqëria Homeplan nuk ka asnjë financim ‘cash’ dhe se çdo gjë është kryer përmes transaksioneve bankare. Ajo kërkoi të pyeten të gjithë ekspertët dhe dëshmitarët e kërkuar prej tyre.

Avokati Klodian Skënderi e cilësoi të pabazuar edhe akuzën e ngritur ndaj shoqërisë Pustina sh.p.k., duke pretenduar se nuk ka fakt penal.

Prokurori Arben Kraja kërkoi kohë që të paraqesë qëndrimin e tij lidhur me parashtrimet, provat dhe kërkimet e paraqitura prej të pandehurve për thirrjen e dëshmitarëve. Seanca u shty për më datë 6 mars, në orën 13:30.

Berisha dhe Malltezi akuzohen nga SPAK për korrupsion pasiv. Sipas prokurorisë, Jamarbër Malltezi ka përfituar të ardhura mbi 5 milionë euro nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.