Ngjarje tragjike në familjen shqiptare! Burri vret ish-gruan dhe partnerin, e më pas edhe veten
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në Asti të Italisë, ku një shtetas shqiptar dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij dhe partnerin e saj të ri, përpara se t’i japë fund jetës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, 59-vjeçari Astrit Koni ka qëlluar për vdekje ish-bashkëshorten e tij, Drita Koni, si dhe partnerin e saj, gjithashtu me origjinë shqiptare. Pas kryerjes së krimit të dyfishtë, ai dyshohet se është vetëhedhur nga një lartësi, duke humbur jetën në vend.
Mësohet se ish-çifti Koni kishte jetuar prej rreth 20 vitesh në Itali, ndërsa kohët e fundit kishin vendosur të ndaheshin. Ndërkohë, Drita Koni dhe partneri i saj i ri punonin së bashku si kopshtarë në ambientet e një kështjelle në zonë.
Sipas burimeve, autori ka mundur të hyjë në ambientet e kështjellës pasi ishte në posedim të çelësave, çka i ka lehtësuar kryerjen e krimit. Trupat e pajetë të dy viktimave janë gjetur pranë njëri-tjetrit, ndërsa trupi i autorit është gjetur më poshtë, pasi dyshohet se është hedhur nga një kullë.
Alarmi për ngjarjen është dhënë nga vëllai i Drita Konit, i cili kishte humbur kontaktet me të për disa orë dhe kishte kërkuar ndihmë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat e karabinierëve, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe atë lokal në Itali.
