E rëndë në Nevada: aktori i famshëm dënohet për abuzime seksuale ndaj të miturave
Nathan Chasing Horse, i njohur dikur për rolin e tij në filmin fitues të çmimit Oscar Dances with Wolves, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Nevada, pas një rasti që ka tronditur opinionin publik.
49-vjeçari u shpall fajtor për 13 akuza të rënda, përfshirë sulme seksuale ndaj tre vajzave indigjene. Sipas prokurorisë, ai kishte ndërtuar një rrjet abuzimi duke përdorur rolin e tij si udhëheqës shpirtëror i një sekti të quajtur “The Circle”.
Hetimet zbuluan se Chasing Horse kishte shfrytëzuar besimin dhe ndjeshmërinë e viktimave, duke i manipuluar nën premtime dhe kërcënime. Në disa raste, abuzimet janë justifikuar si “rituale shpirtërore” ose si mënyra për të “shpëtuar” familjarë të viktimave nga sëmundje të rënda.
Një nga viktimat dëshmoi në gjykatë se ishte detyruar të heshtë për vite me radhë, pasi ishte kërcënuar se do të dëmtohej nëse fliste. Ajo tha se ishte vetëm 14 vjeçe kur nisi abuzimi dhe përshkroi humbjen e fëmijërisë së saj si një plagë të pashërueshme.
Prokurorët deklaruan gjithashtu se organizata e tij funksiononte si një sistem kontrolli, ku anëtarët sillnin vajza të reja dhe i dorëzonin tek ai. Disa prej rasteve përfshijnë edhe të mitura që planifikoheshin të martoheshin sapo të mbushnin moshën ligjore.
Gjykatësi theksoi se veprimet e tij përbëjnë një abuzim ekstrem të pushtetit dhe besimit shpirtëror, duke e cilësuar dënimin me burgim të përjetshëm si të domosdoshëm për drejtësi ndaj viktimave.
