Wed, Apr 29, 2026

LISTA/ Nuk ndalen ndryshimet në polici

LISTA/ Nuk ndalen ndryshimet në polici
  • PublishedApril 29, 2026

LISTA/ Nuk ndalen ndryshimet në polici

Kupola e Policisë së Shtetit u është nënshtruar ndryshimeve të reja.

Florjan Rrasa është emëruar drejtor për Krimin Ekonomik. Taulant Gjoka është vendosur zëvendësdrejtor Rendi në Policinë e Fierit.

Këto ndryshime vijnë pas disa ndryshimeve të mëparshme të ndodhura në radhët e ‘Bluve’, pas marrjes së detyrës së kryepolicit nga Skënder Hita.

As 1 muaj në krye, Skënder Hita rifreskon një pjesë të mirë të strukturave në drejtoritë e policive vendore. Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, emërimet e drejtuesve bëhen me konkurs, por në këtë rast, Hita ka zgjedhur të veprojë përmes të komanduarve të përkohshëm.

Vendin që la bosh në Fier, kryepolici ia besoi Erion Ahmetit. Disa muaj më parë ai u largua nga drejtimi i Korçës, ndërsa ka një karrierë të gjatë në Policinë Rrugore. Shef të Komisariatit në Fier, Hita zgjodhi të dërgojë Gerald Toskën.

Në mesin e ndryshimeve në kupolën e bluve, surprizë vjen ndryshimi me firmë të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Ai caktoi në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Klevis Qosen, ish drejtor i Burgjeve i cili u lirua nga detyra në fillim të këtij muaji. Eduard Merkaj lë AMP-në pasi e drejtoi më shumë se gjysmë viti.

Një sërë ndryshimesh nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, vijnë edhe në nivele zëvendësish.

Lajmi se do të lëvizë, nga zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit, shef rendi në Përmet, Krenar Guçen, e gjeti në gjyq. Ai u thirr si dëshmitar në procesin “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme, pasi fotoja e tij është gjetur në telefonin e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Në Tiranë zv/drejtor për hetimin e krimit emërohet Oliger Torba, ndërsa në të njëjtin pozicion në Shkodër u emërua Petrit Halo.

Islor Islami, drejtori i dorëhequr pak ditë më parë nga Policia e Lezhës pasi u zbuluan disa kazino të jashtëligjshme, transferohet në Drejtori të Përgjithshme, shef Sektori në Mbështetjen Hetimore të Krimit të Organizuar.

Një ditë më parë, Hita emëroi në krye të Operacionales, Alban ndërsa në vend të tij te Antiterrori – emëroi ish-drejtorin e Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Ndryshimet në Policinë e Shtetit pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Emërimet e reja:
Erion Ahmeti – Komandohet Drejtor i Policisë Fier
Andi Banushi – Zëvendësdrejtor i Policisë Elbasan
Krenar Guçe – Shef Rendi në Përmet
Gerald Toska – Shef i Komisariatit Fier
Dritan Muça – Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Vlorë
Dritan Malaj – Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Berat
Petrit Halo – Zëvendësdrejtor në Shkodër
Arben Nasufi – Zëvendësdrejtor për Rendin në Lezhë
Islor Islami – Shef Sektori në Mbështetjen Hetimore të Krimit të Organizuar (DPPSH)
Erdit Rreçeku – Shef Komisariati Peqin
Lusjan Zeqaj – Emëruar në Policinë Rrugore Tiranë
Ermal Zaimi – Komandant i Linjave të Trafikut Urban
Jetnor Shira – Drejtues i sektorit në Policinë Rrugore Tiranë