Shuhet figura më e diskutuar e krimit familjar në SHBA, Betty Broderick
Betty Broderick, e njohur gjerësisht për vrasjen e ish-bashkëshortit të saj dhe gruas së tij të re në vitin 1989, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Kaliforni.
Autoritetet e Departamentit të Korrektimeve dhe Rehabilitimit në Kaliforni bëjnë të ditur se Broderick ka ndërruar jetë më 8 maj, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në një qendër mjekësore jashtë burgut, ku ishte transferuar disa javë më parë për trajtim më të specializuar. Sipas raportit fillestar të një mjeku, shkaku i vdekjes është natyral, ndërsa përcaktimi zyrtar pritet të konfirmohet nga mjekësia ligjore e San Bernardino County.
Broderick ishte dënuar për vrasjen e ish-bashkëshortit të saj, Dan Broderick, dhe gruas së tij të dytë, Linda Kolkena, ngjarje që tronditi SHBA-në në vitin 1989 dhe u kthye në një nga rastet më të bujshme të krimit familjar. Ajo dhe Dan kishin qenë të martuar për 16 vite dhe kishin katër fëmijë, por martesa e tyre u shoqërua me konflikte të forta dhe një proces të gjatë divorci.
Pas ndarjes, Dan fitoi kujdestarinë e fëmijëve, ndërsa në vitin 1989 u martua me Kolkena. Pak muaj më pas, Broderick i vrau të dy në banesën e tyre, ngjarje për të cilën u dënua me dy herë burgim të përjetshëm.
Gjatë viteve në burg, ajo u bë subjekt i shumë dokumentarëve dhe intervistave, përfshirë edhe daljet e saj të bujshme televizive. Edhe pse ka kërkuar disa herë lirim me kusht, kërkesat e saj janë refuzuar vazhdimisht.
Broderick ishte bërë një figurë shumë e diskutuar në opinionin publik amerikan, e parë nga disa si viktimë e abuzimit emocional dhe nga të tjerë si autore e një krimi të rëndë pa justifikim.
Ajo kishte mundësi për t’u liruar me kusht në vitin 2032, por nuk arriti ta përmbushë këtë afat për shkak të vdekjes së saj.
