Pas titullit vjen edhe firma, Barcelona blindon Hansi Flick
Barcelona dhe Hansi Flick siguruan titullin e dytë radhazi në La Liga, ndërsa gjatë festës presidenti Laporta u shfaq shpesh përkrah teknikun gjerman si për të konfirmuar lidhjen e fortë ndërmjet tyre. Mundo Deportivo zbulon se palët kanë gjetur një akord total për rinovimin e kontratës aktuale e cila skadon në 2027. Pini Zahavi, agjenti i Hansi Flick udhëhoqi negociatat me presidentin Laporta dhe Drejtorin Sportiv, Deco. Gjetja e një akordi nuk ishte e vështirë pasi dëshira e të dy palëve ka qenë gjithnjë për të vijuar bashkëpunimin.
Mundo Deportivo ka zbuluar se Flick do të firmos një kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, por me opsion rinovimi deri në 2029. Nëse palët janë të kënaqur me punën mund të vijojnë automatikisht bashkëpunimin ndërmjet tyre. Jo vetëm rinovimi i kontratës me Flick, drejtuesit e klubit po punojnë edhe në lidhje me Marcus Rashford.
Sulmuesit anglez i përfundon huazimi në fund të këtij sezoni, por shifrat dhe forma e tij me fanellën blaugrana kanë futur në mendime drejtuesit e Barçës. Jo vetëm për super golin e shënuar në “El Clasico”, por sulmuesi anglez mbylli një vit me 14 gola dhe po kaq assiste, ndërsa gjatë festës shprehu dëshirën e tij për të qëndruar në Barcelonë.
