Tue, May 19, 2026

Linda e AKSHI-t kyç gojën pas daljes nga SPAK, avokatja shtyn mikrofonët: Do flasë kur të doje ajo

Linda e AKSHI-t kyç gojën pas daljes nga SPAK, avokatja shtyn mikrofonët: Do flasë kur të doje ajo
  • PublishedMay 19, 2026

Linda e AKSHI-t kyç gojën pas daljes nga SPAK, avokatja shtyn mikrofonët: Do flasë kur të doje ajo

Ish drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ka qëndruar sot për rreth 30 minuta në SPAK, në zbatim të masës së saj “detyrim paraqitje”.

Në dalje ajo u përball me gazetarët, të cilët e pyetën për përgjegjësitë e saj në institucionin që ajo drejtonte. Por ish zyrtarja e lartë nuk pranoi të flasë, ndërsa avokatja e saj, teksa shtyu mikrofonat e gazetarëve tha se “kur të dojë do të flasë”.

Kujtojmë që pak ditë më parë Gjykata e Lartë mori vendimin për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.

E hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime mbi shkelje të procedurave në tenderë publikë, Karçanaj ndiqet në një gjendje të lirë sigurie.

Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj

SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Ndaj Hava Delibashit, e cila më 24 mars u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë:

“Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.

Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.