Transvestiti i Jutbinës
Mes shumë fragmenteve të diskutueshme ose pak të komentuara të Eposit të Kreshnikëve, ciklit të njohur të këngëve epike të shqiptarëve, renditen dhe ca vargje nga kënga “Martesa e Halilit”. Brenda peizazhit epik të këngës qëndrojnë disa fragmente krejtësisht romantike që lavdërojnë hijeshinë fizike të femrës me një gjuhë të ëmbël, elegante dhe të ekuilibruar e, ca më poshtë, këto lavde përshkruajnë bukurinë e një djali, bukurinë e Halilit, që është veshur si grua. Dikush e ka kapërcyer atë pjesë teksti, pa e shtjelluar, dikush tjetër, përfshi autorin e këtyre radhëve, me shaka e ka quajtur Halilin “drag-queen i parë i shqiptarisë”. Mirëpo, matanë shakave, çfarë na thotë Halili veshur si grua?
Kënga “Martesa e Halilit” [për lehtësi, gjendet online këtu, fq. 44] është pjesë e ciklit të këngëve epike të traditës shqipe që, në mënyrë konvencionale, i quajmë Eposi i Kreshnikëve. Varianti më i përdorur dhe më i përhapur i kësaj kënge është ai botuar në Visaret e Kombit, vëllimi II, 1937, fq. 23-41. Lënda e vëllimit është mbledhur nga at Bernardin Palaj dhe at Donat Kurti, të cilët dhe e kanë përgatitur për botim.
Kënga fillon me nderimin për hyjnoren, e cila është arsyeja që erdhëm dhe jemi ende në jetë. Më tej kënga na përshkruan se si një dite dimri të akullt një grup trimash bien bujtës në kullë të Mujit. Si u ngrohet trupi prej zjarrit e fryma prej alkoolit, pyesin Mujin se përse nuk e ka martuar vëllain e vogël, Halilin. Traditë ende e gjallë, kjo, ndër shqiptari. Atypari ndodhet Halili, i cili dëgjon e thotë se s’mund të martohet me asnjë prej vajzave të Jutbinës, pasi i konsideron të gjitha motra. Atypëraty betohet se do të marrë grua Tanushën e krajlit, më e bukura ndër gratë mbi dhe, sapo të ngrohet moti e të çelen shtigjet. Halili përshkruan Tanushën, e ky përshkrim konsiderohet i përveçëm për gjuhën elegante me të cilën është shprehur. Betimet e Halilit bëjnë që deti të lëshojë erë të ngrohtë, e cila shkrin borën për tri ditë dhe i hap rrugën, e ky të niset për Kotorret e Reja, ku gjendet Tanusha e krajlit. Halili kaluar mbi gjogun e Mujit kapton lugje dhe kreshta, kurse dielli, hëna e orët ndajnë se kush do të bëhet mbrojtës i Halilit. Aty ku Halili me gjithë gjog synojnë t’i futen përmes një lumi, shfaqet ora buzë shkëmbit dhe i dëften se ku ndodhet Tanusha, jo në Kotorre, po në shatorre verimi buzë lumit bashkë me treqind vasha. Me guxim e dredhi Halili shkon tek shatorrja e Tanushës, hyn brenda e kalon natën me të. Tanusha i shpjegon Halilit se nuk duhet ta gjejë agu veshur siç është, përndryshe u fluturon koka të dyve. Ndaj vajza e vesh Hailin si grua. Thotë kënga:
Oda ishte mbushë me pajë
Tu ‘i kanë zgiedhë ‘i parë petka ma t’mirat.
T’gjithë ngri n’ari si kokan kanë
E Halilit para ja ka shtrue.
– Çou, Halil, shpejto m’u veshë,
Se me t’xanë drita qysh je,
T’dyvet krajli veç na pret!
(vargjet 315-321)
Të nesërmen në mëngjes, teksa gjithë vashat kanë dalë ndanë lumit e lajnë lesh, del dhe Tanusha bashkë me vajzën e panjohur. Vajzat rreth e qark jo vetëm habiten nga bukuria e saj, por bëhen dhe xheloze. Komentet e tyre ia shprehin Tanushës:
Del Tanusha n’at breg lumit,
Vetë e dyta gisht për gisht,
Vend po xanë te gurt e lumit.
Kanë qitë çikat e e kanë pvetë:
– Amanet, mori e bukra e dheut,
Po kjo vashë n’dorë qysh t’ka ra,
Qi ne pahin krejt na paska marrë?!
Syni i saj si syni i zanës,
Balli i saj si balli i hanës,
Shtati i saj porsi hala n’bjeshkë,
Kurrkund shoqen nën ket diell s’e paska!
(vargjet 332-342)
Më pas, grupi i vajzave, bashkë me Tanushën dhe Halilin tebdil shkojnë në Kotorret e Reja. Vajzat zënë vend nëpër konakë, kurse Tanusha me Halilin ende veshur si grua mbyllen në një kullë dymbëdhjetë katëshe përmbi një shkëmb me pamje nga deti. Aty Halili bashkëjeton tri ditë e tri net me Tanushën dhe vrasin mendjen si të largohen së bashku prej andej. Bashkëjetesa e fshehtë zgjat fare pak, pasi nëna e Tanushës zbulon se personi që bashkëjeton me të bijën është cub i Jutbinës. Krajli e flak Halilin në burg të thellë kurse Tanushën e dëbon nga shtëpia si shkelëse e nderit. Duke pyetur rreth e rrotull, Tanusha gjen një grua të fisme e cila premton se do ta ndihmojë. Gruaja dërgon lajmës tek Muji, për ta njoftuar se Halili ka rënë ngushtë e i duhet ndihmë. Muji jep kushtrimin, mblidhen treqind agë të Jutbinës e nisen drejt Kotorreve të Reja. Kur mbërrijnë, nuk shfaqen, por fshihen rreth e qark pallateve të krajlit. Ky e nxjerr Halilin në shesh për ta vrarë, por, më parë, e lejon të shprehë dëshirën e fundit. Atëherë Halili merr lahutën e këndon shqip, gjuhë që krajli e të pranishmit nuk e kuptonin. Në këngë Halili i drejtohet një zogu, të cilit i thotë të njoftojë Mujin për atë që po i ngjet, si dhe ta thërrasë, që t’i vijë në ndihmë. Muji dhe treqind agët brofin prej nga ku janë fshehur, luftojnë rreptë me shkijet e vrasin shumë prej tyre, aq sa dhe deti bëhet gjak. Halili, tashmë i lirë, i vihet pas dhe kap krajlin, i cili jep frymën e fundit i lidhur në një hu. Pasi kanë shuar çdo qëndresë, agët u vënë zjarrin Kotorreve të Reja dhe shkatërrojnë gjithë çka mbetur më këmbë. Hëna agoi tri herë, thotë kënga, e zjarri s’kishte pushuar.
Fabula e këngës është jashtëzakonisht e larmishme dhe mbi motivet e saj mund të shkruhen shumë analiza. Do t’i qëndrojmë asaj që themi në fillim, veshjes së Halilit si grua. Nëse do t’u hedhim një shikim diakronik rasteve kur në traditën shqiptare i hasim burrat veshur si gra, këto ndodhin vetëm në raste loje e argëtimi, siç janë karnavalet. Në raste të tjera veshja e burrit si grua nuk është e lejuar, të paktën siç raportohet kjo traditë sot. Për të kuptuar pse ndodh kjo shmangie nga norma tek një prej këngëve më të rëndësishme të traditës gojore na vjen për ndihmë një studim që trajton arsyet e veshjes si grua të një tjetër personazhi, kësaj here të Akilit, heroit të luftës së Trojës.
Tek studimi i P. J. Heslin The Transvestite Achilles, Gender and Genre in Statius’ Achilleid, Cambridge University Press, 2005, trajtohet heroi i Iliadës, Akili, dhe historia e transvestizmit të tij. Në fillim duhet të nënvizojmë se Akilin veshur tebdil si grua nuk kemi për ta hasur tek Iliada, por në tekste të mëvonshme, më i ploti dhe më i zgjeruari prej të cilëve është Achilleis (Akileida) e Publius Papinius Statius, poet romak i shek. I pas K.. Vepra e Statius-it, e cila mbeti e pa përfunduar për shkak të vdekjes së autorit në vitin 95 pas K., përshkruan jetën e Akilit në ishullin Skiros, ku e ëma, Thetisi, e kishte çuar për ta fshehur nga rekrutimi për në Luftën e Trojës. Për ta kryer sa më mirë maskimin, Thetisi e veshi Akilin si grua. Akili transvestit jo vetëm që nuk dukej se ishte burrë, por mori vëmendjen e gjithkujt, si gruaja më e bukur mes grave përreth, qoftë për shkak të veshjes, qoftë për shkak të pamjes fizike, qoftë për shkak të gjestikulacioneve apo aftësive në vallëzim. Pavarësisht maskimit të arrirë, janë dy çaste kur Akili dëftehet se është burrë. I pari ndodh kur i vihet pas një vajze, Deidamias, të cilën e përdhunon. Këtë e dinë vetëm palët e përfshira në akt, autori dhe lexuesi, jo njerëzit rreth e qark. Herën e dytë e të fundit Akili dëften se është burrë kur, për t’i zbuluar identitetin, Odiseu vendos përpara grave në një tryezë sende të zakonta për të përditshmen e tyre, objekte punëdoreje apo tualeti, dhe një shpatë e një mburojë. Gratë marrin prej tryezës ato që lidhen me jetën dhe rolin e tyre të përditshëm, kurse Akili zgjedh shpatën e mburojën, duke mos mundur të fshihet. Kjo histori shfaqet edhe në variante të mëhershme tekstore, si tek Pausania, tek Polignoti, tek një vepër e humbur e Euripidit (Skirasit) dhe Athinioni i Maronisë.
Sipas P. J. Heslin, veshja e Akilit si grua nënkupton një formë të hershme të rites de passage, këtu riti i kalimit të mashkullit nga djalë, në burrë, mbështetur dhe nga bibliografia ekzistuese. Kurse përdhunimi i Deidamias dhe nisja e Akilit për luftë janë shpalosje e identitetit të vet mashkullor, i cili nuk kompromentohet nga veshja si grua, që është thjesht maskim dhe nuk nënkupton simbolikë për ndryshim të seksit. Po ashtu, përdhunimi i Deidamias është simbol i pranisë së ndikimeve prej festave bakike, gjatë të cilave marrëdhëniet seksuale me ose pa dëshirë ishin pjesë e traditës, ku mashkulli duhej të dëftente burrërinë, o të pranonte paburrërinë. Sidoqoftë, ky çast i Achilleis nuk është i përbashkët për “Martesën e Halilit”. Ndërkaq, poema e Statius-it dhe “Martesa e Halilit” kanë të përbashkëta e ndryshime të tjera. Mosha e dy heronjve duket se është e përafërt, adoleshenca e vonë, kurse statusi civil është i njëjtë. Si Akili, si Halili, janë të dy të pa martuar. Të dy janë në moshën e përshtatshme për të mbyllur një fazë të jetës, beqarinë, e për t’u martuar. Akili vishet si grua mes grave dhe përdhunon Deidamian, me pasojë shtatzëninë dhe lindjen e një djali, përkundër kësaj, Halili vishet si grua mes grave dhe me dëshirën e të dy palëve ndodh marrëdhënia seksuale me Tanushën. Pas këtij riti kalimi (rites de passage), Akili i bashkohet fushatës ushtarake kundër Trojës. Homeri u këndoi gjerësisht trimërive të Akilit, dëshpërimit dhe zemërimit të tij, pas vrasjes së njerëzve të dashur. Halili, banor ilegal i pallatit të krajlit, kapet dhe dënohet me vdekje. Këtu kënga me lahutë dhe kuvendimi me zogun i japin heroit Halil tjetër pamje: bëhet bardi që këndon fatin e mbramë të tij. Më tej, ndonëse Halili është luftëtar i çartur, luftën nuk e fiton ai vetë, por i vëllai, Muji, kurse Halili ka nderin të vrasë krajlin, shkakun e vuajtjeve të tij. Ndryshe nga heroi homerik, heroi ynë i bjeshkëve nuk vdes, por bashkë me Tanushën largohen prej pallateve të rrënuara të krajlit. Jeta e Halilit vijon bashkë me Tanushën, vajzën që pat zgjedhur dhe marrë grua. Tek Akili kemi fundin e heroit tragjik, fundin e luftëtarit që shkaktoi shumë mynxyra, për të cilin u grindën edhe zotat, e që në fund i bashkohet rreshtit të gjatë të të vdekurve. Kurse tek “Martesa e Halilit” kemi heroin e dashurisë, ai që bën gjithçka të marrë e të paarsyeshme në emër të dashurisë, kurse heroi luftarak është, sërish, si edhe në këngët e tjera të Eposit të Kreshnikëve, Muji dhe agët, të cilët eliminojnë të ndryshmin dhe rrafshojnë banesën e tij dhe, njëherazi, janë mekanizmi që mbrojnë dhe legjitimojnë dëshirën e Halilit, martesën e tij me Tanushën.
Sigurisht, nuk duhet të harrojmë se veshja e burrit si grua nuk na shfaqet si rit kalimi i përhapur dhe i përgjithësuar mes shqiptarëve. Raportimet e vetme të transvestizmit vijnë nga rrethana kur prindërit i veshin fëmijët e mitur me veshje të seksit tjetër apo u vënë emra të seksit tjetër apo të një besimi tjetër fetar, për t’i ruajtur nga sëmundja ose nga vdekja. Nëse veshja e Halilit si grua nuk është fragment i huazuar teksti, mbetet të mendojmë se kemi të bëjmë me një traditë ose fort të izoluar, ose të zhdukur. Ndonëse në rrafshin sipërfaqësor veshja e Halilit është një maskim taktik për të shpëtuar kokën, nëse aplikojmë mbi të lenten teorike që P. J. Heslin përdor për Akilin, mund të ngremë hipotezën se në nëntekstin e vjetër mitologjik të këngës fshihen mbetje të një riti më të hershëm kalimi. Prandaj dhe poema e Statius-it na shërben si mekanizëm ndihmës dhe model teorik, pasi në të dy rastet kemi të bëjmë me një ngjarje të ngjashme. Kurse mëtimi se kemi të bëjmë me rit kalimi vjen pasi Halili veshur si grua, veçse fabul e thurur bukur dhe në përputhje me kontekstin, ka edhe elementin e transvestizmit, i pazakontë në traditën shqiptare, por edhe më gjerë. Ndaj dhe ka vend për të propozuar hulumtime më të thella në shtresëzime mitike apo huazime të natyrës estetike.
Duke u rikthyer tek çasti pak përpara veshjes së Halilit si grua, kënga e shpalos qartë qëllimin e saj përmes gjuhës simbolike. Halili ka mbërritur tek shatorrja, dhe Tanusha:
– Hajde mbrendë, kopil! – po i thotë:
– Se ja desim t’dy për nji here,
Ja kem pshtue t’dy për nji here.
Sa mirë djali nuk po ngutet!
“Ndal nji here!” – çikës i ka thane.
E t’m’ka xjerrë shpatën prej millit;
Ka xanë pritën n’shtek t’shatorrit;
Ka lshue synin rreth oborrit;
Rob i gjallë asajt nuk shifet;
At-herë djali mrendë ka hi.
E ka marrë vasha për doret,
Shpejt e shpejt te’ i odë i prin.
Oda ishte mbushë me pajë.
Tu’i kan zgiedhë’ i pare petka ma t’mirat…
(vargjet 303-317)
Duke i qëndruar besnik lentes psikoanalitike dhe antropologjike, si në paragrafët më sipër, vargjet përpara veshjes së Halilit si grua marrin ngarkesë të fortë simbolike dhe alegorike. Këtu, para se të hyjë në shatorren e vajzës, Halili dëften identitetin e tij, mashkull luftarak, çka manifestohet prej shpatës që del prej millit. Teksa veshja prej gruaje është maskimi i domosdoshëm për të shpëtuar gjallë në ato rrethana, brenda hipotezës antropologjike ky veprim mund të klasifikohet si rit kalimi. Shpata, simboli klasik fallik, por edhe simboli klasik i luftës, detyrës burrërore, shfaqet teksa Halili merr pozitën e luftëtarit para hyrjes në shatorre, por zhduket deri kur vjen akti i fundit i fabulës, ndeshja me krajlin dhe vrasja e tij. Në këtë periudhë të ndërmjetme Halili plotëson kushtin teorik të liminalitetit, vishet si vajzë dhe sillet si vajzë, në kuptimin që nuk ka shpatë me vete.
E, në fund, pse duhej të ndodhin të gjitha këto, për çfarë u shkatërruan Kotorret e Reja? Na e shpjegojnë vargjet e fundit të këngës:
Kushdo t’pvesë për tokë e det
“Po pse Krajli u ka lan shkret?”
“Trathtoi bin, thoni nana e vet!
Ka xjerrë Muji vllan e vet!
Muer Halili i vashë mbet shkret!”
(vargjet 670-674)
Shkatërrimi është shpagimi që merr nëna kur tradhton vajzën, është dëmshpërblimi për burgosjen e Halilit. Kurse Halili, nga ana e tij, mbajti fjalën dhe i qëndroi besnik dëshirës, dogji botën, por atë që deshi e mori grua.
