Malli i pastër nga Ekuadori…/ Pazaret me projektet e kullave në Tiranë
Malli i pastër nga Ekuadori…/ Pazaret me projektet e kullave në Tiranë
Pas ish-aneksit të “Qemal Stafës”, harta e SPAK-ut zhvendoset te projektet konkrete të ndërtimit në Tiranë.
Hetimet tregojnë se ndërtimi nuk përdorej vetëm si destinacion final për blerje apartamentesh, por funksiononte si sistem financiar, ku trojet, lejet, kontratat e sipërmarrjes, garazhet apo dhe apartamentet bëheshin njësi për ruajtje, copëzim, shtresëzim dhe qarkullim kapitali. Rasti më domethënës lidhet me Luçiano Koçekun, i dyshuar nga SPAK për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Prokurorët thonë se Koçeku kishte rrjetin e tij ku pjesë dyshohet se ishin edhe vëllezërit Abedin dhe Ervin Koçeku, apo dhe Astrit e Kastriot Vladi.
Një degë tjetër e hetimeve, më pak të zgjeruara, por të rëndësishme për hartën e pastrimit të parave, lidhet me sipërmarrësit Orest Sota dhe Orgest Birçaj.
SPAK i përmend ata bashkë me të dyshuarit Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj në lidhje me investime në pasuri të paluajtshme, ndërtime apo kompani ku shfaqnin interesa, përfshirë “2A Construction”, “Onix”, “Top Seven” dhe “Top Seven Construction”.
SPAK shkon më tej, duke e përshkruar Sotën si bashkëpunëtor të Hamzait në aktivitetin e dyshuar të narkotrafikut, ndërsa edhe komunikimet me Birçajn i lidh me të njëjtën veprimtari.
Kjo tregon se interesi për pasuri të paluajtshme dhe kompani ndërtimi nuk kufizohej vetëm te grupet Koçekut dhe Shehut. Sipas SPAK-ut, ai duket të jetë më i shpërndarë dhe përfshin aktorë të ndryshëm të dyshuar kryesisht në rrjete trafiku.
Nga komunikimet Sky ECC janë evidentuar të dhëna për investimin e shumave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm në automjete luksoze dhe në industrinë e ndërtimit.
Sipas SPAK-ut, ka dyshime se këto para fshiheshin edhe pas projekteve dhe ndërtimeve të kryera nga “Nova Group” dhe kompani të tjera të lidhura me të, si “Ferro Beton & Cons.”, “Erald-G”, “LTD CO” dhe “Develalb Construction”. Këto kompani, sipas prokurorëve, qëndronin formalisht në emër të sipërmarrësit Ilir Shtufi dhe të afërmve të tij, ndërsa pas tyre dyshohet se fshiheshin interesat e grupit të Koçekut.
Në vitin 2020, në bisedat me Franc Çopjen (i njohur edhe si Franc Gergely dhe si drejtues i klanit Çopja në Elbasan) Koçeku mburrej se i kishte 5 kompani, se i kishte “sistemuar letrat” me kredi dhe banka dhe se autoritetet “nuk kishin ku ta kapnin”.
Ndaj, kjo duket të jetë një nga nyjet më të mëdha të zbuluara deri më sot ku sektori formal i ndërtimit lidhet me kapitalin e dyshuar kriminal në Tiranë, përmes një rrjeti kompanish, kontratash, të drejtash pronësie, apartamentesh, garazhesh, kredish, huadhëniesh dhe marrëveshjesh shkëmbimi.
Një nga rastet më të qarta për dyshimet e SPAK-ut është “Garden Building” në Rrugën e Kavajës, një ndërtesë 85 metra e lartë, me 24 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, projektuar nga studio Archea Associati e arkitektit Marco Casamonti. Objekti zuri vendin e ish-Muzeut të Shkencave të Natyrës.
Sipas dokumenteve, punimet nisën në mars 2018 dhe përfunduan në shkurt 2021. Kontraktor kryesor ishte grupi Nova. Në qershor 2026, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro mbi 43% të të drejtave që Nova kishte përfituar ose pritej të përfitonte në këtë ndërtesë, me dyshimin se një pjesë e punimeve u kryen përmes flukseve të parave që vinin nga aktiviteti i drogës së grupit të Koçekut.
Në dosje përmenden si raste tipike të paktën katër njësi banimi të lidhura direkt me Koçekun, familjarë ose persona të afërt, plus një depo. Vetëm një pjesë e këtyre pronave kapin mbi 400 mijë euro vlerë të deklaruar.
Në leximin e SPAK-ut, ato janë pjesë e një mekanizmi ku paraja e dyshuar futet në një objekt ndërtimi përmes kontratave të porosive, pastaj devijohet ose fshihet te persona familjarë apo të besuar.
Kështu, kulla bëhet më shumë se ndërtesë, bëhet instrument për qarkullimin, shtresëzimin dhe integrimin e kapitalit.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është “Golden Tower Residence” në rrugën “Mine Peza”, gjithashtu i projektuar nga Casamonti dhe i lidhur me grupin Nova. Kulla 13-katëshe me 33,719 m² ndërtim u miratua në vitin 2019.
Në këtë rast, Luçiano Koçeku nuk del thjesht si blerës apartamentesh. Sipas dosjes, ai shfaqet si hallkë ndërmjetësuese mes pronarëve të truallit dhe kompanisë ndërtuese, grupit Nova.
Përmes një akt-marrëveshjeje të vitit 2017 me pronarët, pas miratimit të lejes së ndërtimit, Koçeku kishte përfituar 100 m² truall në sipërfaqen ku do të ndërtohej pallati. Më pas, SPAK thotë se përmes një kontrate si pronar trualli për paracaktim pjesësh takuese, ai kishte siguruar marrëveshje për të përfituar pjesë të sipërfaqeve të ndërtimit, përfshirë rreth 500 m² apartamente banimi dhe 10 poste parkimi.
Hetimet përmendin gjithashtu se, përpara nënshkrimit të kontratës si pronar trualli, Koçeku kishte firmosur në vitin 2020 një “Rregullore të brendshme për administrimin e ndërtesës” si përfaqësues i kompanisë LTD. Sipas SPAK-ut, kjo tregon se pas LTD-së, grupit Nova dhe fazës së plotësimit të dokumentacionit për leje ndërtimi për “Mine Peza Residence” qëndronte Luçiano Koçeku.
Episodi tregon se si “ndërmjetësimi” në ndërtim kthehet në pasuri. Personi nuk investon domosdoshmërisht si zhvillues i dukshëm, por merr pjesë në zinxhirin që lidh pronarin e tokës me ndërtuesin. Në fund, përfitimi nuk është më “komision në të zezë”, por sipërfaqe ndërtimi, apartamente dhe parkime.
Rast tjetër domethënës është bërë një pallat 7-katësh në rrugën “Stavri Themeli”, zonë e njohur kryesisht prej qendrës tregtare “Globe”. SPAK liston një numër të madh pasurish të regjistruara në emër të kompanive “Develalb Construction” dhe “Nova Group”.
Sipas dosjes, pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje ndërtimi të vitit 2019 nga dy kompanitë në fjalë. Por “Develalb Construction” ishte themeluar vetëm pak muaj para marrjes së lejes, ndërsa aktet noteriale për prenotime, shitje apartamentesh dhe garazhesh ishin lidhur nga kjo kompani.
SPAK dyshon se pronari real i këtyre marrëveshjeve nuk ishte sipërmarrësi Ilir Shtufi, por Luçiano Koçeku. Këtë e bazon kryesisht te komunikimet Sky ECC, ku Koçeku i përcillte grupit të tij planimetri apartamentesh dhe i ofronte ato për shitje me para në dorë.
Lista e pasurive të vendosura nën sekuestro nga ky pallat e bën edhe më të dukshëm procesin e fragmentimit të pronës. Në dosje dalin të paktën 37 zëra kadastralë të regjistruar në emër të “Develalb Construction” dhe “Nova Group”. Rreth 20 prej tyre janë apartamente, njësi apo duplekse, ndërsa 15 janë garazhe.
Projekti tjetër i dyshuar se u përdor për pastrim parash është “Colonnade”, një kompleks pallatesh me sipërfaqe 30,858 m² në rrugën “Dritan Hoxha”, i konceptuar si godinë banimi, shërbimi dhe hoteleri deri në 16 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë. Sipas të dhënave publike, projekti u formalizua në janar 2023.
Në pamje të parë, bëhet fjalë për një nga projektet e shumta të densifikimit të Tiranës në rrugën “Dritan Hoxha”. Por SPAK e lexon atë si një tjetër rast ku sektori formal i ndërtimit u ndërthur me dyshime për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Shkolla e Biçikletave si Autoshkollë Pastrimi Parash! Prapavija e një shpronësimi publik…
Ai lidhet kryesisht me kompanitë Nova Group dhe LTD, si dhe me personat nën hetim Luçiano Koçeku, Gëzim Islami dhe Ilir Shtufi.
Prokurorët dyshojnë se Koçeku është përpjekur të fshehë burimin dhe lëvizjet e pasurisë e tij përmes aktivitetit të kompanive LTD dhe Nova, kontratave të sipërmarrjes dhe blerjes së sipërfaqeve të vogla në truallin ku më pas nisi të ngrihej “Colonnade”.
Trualli prej 3,964 m² pranë stacionit të karburantit “Kupola” dhe një ndërtesë prej 347.27 m² lidhen me këtë projekt. Sipas dosjeve të SPAK, ndërtesa qe legalizuar në vitin 2021, ndërsa më pas mbi këtë pronë u regjistrua dhe leja e ndërtimit.
Në fazën fillestare, leja u dha si zhvillim në ortakëri mes grupit Nova dhe LTD. Por, në fund të vitit 2023, LTD u tërhoq nga investimi dhe dha pëlqimin për ndryshimin e subjektit zhvillues në leje.
Pra, projekti nisi me dy kompani dhe përfundoi pastaj vetëm në duart e Novas.
SPAK dyshon se ky ishte një veprim formal pasi nga ana tjetër LTD kishte një kontratë shkëmbimi ku, si pronare e truallit, do të përfitonte rreth 100 poste parkimi, 23 apartamente dhe dy njësi shërbimi me sipërfaqe totale rreth 1,500 m².
Me fjalë të tjera, nga trualli nuk nxirreshin para, por pasuri të paluajtshme të fragmentuara. Kjo, sipas SPAK-ut, e bënte të dobishëm për një skemë pastrimi parash.
Paralelisht, hetimet kanë zbuluar një seri aktesh të mëparshme si marrëveshje sipërmarrjeje, amendime kontratash dhe një kontratë hipoteke mes “Ferro Beton & Construction” dhe LTD, për rreth 1.29 milionë euro garanci në huadhënie.
Këto veprime, sipas SPAK-ut, tregojnë se “Colonnade” nuk ishte vetëm një projekt ndërtimi, por një mekanizëm financiar ku trualli, leja, kompanitë dhe të drejtat mbi objektin lëviznin përmes kontratave të njëpasnjëshme.
Skema bëhet edhe më e qartë në dhjetor 2023, kur Koçeku shiti 30% të kuotave të LTD te “Erald-G”, kompani në pronësi të Gëzim Islamit, kunatit të tij. Hetuesit dyshojnë se Koçeku u largua formalisht nga LTD, por interesat e tij vijuan të qëndronin brenda saj përmes Islamit.
Hetimet tregojnë se kapitali i dyshuar kriminal hynte në sektorin e ndërtimit në Tiranë përmes trojeve, lejeve të ndërtimit, kontratave të sipërmarrjes dhe ndarjes së projekteve në apartamente, garazhe e njësi shërbimi.
Por e njëjta logjikë duket se nuk ndalet në kryeqytet. Në bregdet, ajo merr një formë tjetër ku tokat bujqësore, pyjet dhe kullotat kthehen në vila turistike, resorte dhe transaksione shumë milionëshe.
