Zyrtarisht kampionë, Arsenal ngre lart trofeun, Arteta: Nuk gjej fjalë, jam krenar për djemtë
Arsenal u kurorëzua zyrtarisht si kampion i Anglisë, të dielën pasdite, me “topçinjtë”, që ngritën lart trofeun e kampionit, pas ndeshjes së fundit, atë ndaj Crystal Palace. Në derbin londinez, të besuarit e Mikel Artetës, fituan 1-2 në transfertë.Gabriel Jesus ishte autori i golit të parë në fundin e pjesës së parë, ndërsa dyfishimi erdhi nga Madueke pak para mesit të fraksionit të dytë.
Goli i shkurtimit të diferencave për Palace erdhi vetëm në fundin e sfidës me autor Matetën, por që nuk mjaftoi për të ndryshuar rezultatin, që shkoi në favor të miqve. Të dyja skuadrat do të kenë dy finalet e fundit evropiane për të zhvilluar, Arsenal atë të Champions League, ndaj PSG, ndërsa Crystal Palace ndaj Rayo Vallecano, për finalen e Conference League.
Menjëherë pas përfundimit të sfidës ishte momenti i festimeve dhe dhënies zyratarisht të trofeut të kampionit ekipit të Arsenal. Arteta dhe lojtarët e tij përmbyllën një sezon të suksesshëm në Premier League, duke rikthyer titullin në Londrën Veriore pas plotë 22 vitesh mungesë. Ky ishte titulli i 14 në histori për Arsenal.
Nuk munguan as fjalët emocionuese të Mikel Artetës, njeriu që nuk u dorëzua asnjëherë, pavarësisht zhgënjimeve të sezoneve të fundit, duke rikthyer buzëqeshjen tek tifozët e skuadrës së tij: “Është shumë e vështirë ta shpreh me fjalë, por çfarë momenti. Shumë emocione, shumë gëzim, krenari. Mendoj se mënyra se si u arrit kjo tregon atë që këta djem po ndiejnë dhe arsyen pse ndodhi kjo magji.”, ishin disa nga fjalët e shprehura nga tekniku spanjoll, në përfundim të ceremonies festive të ekipit londinez.
