Penélope Cruz rrëfen momentin e frikshëm: “Mendova se do të ikja nga kjo botë!
Penélope Cruz ka ndarë një moment të frikshëm që përjetoi gjatë xhirimeve të filmit të saj më të ri, “The Black Ball”, pasi mjekët e paralajmëruan për një aneurizëm të mundshëm në tru. Aktorja spanjolle tregoi ngjarjen gjatë një konference për shtyp në Festivalin e Filmit në Cannes, vetëm pak pasi filmi mori duartrokitje të gjata në premierën e tij.
Sipas Cruz, gjithçka ndodhi ndërsa ajo po përgatitej për të xhiruar disa skena nate ku personazhi i saj performon si këngëtare kabareje për ushtarët. Aktorja kujtoi se ishte duke vendosur paruken kur mori lajmin tronditës nga ekipi mjekësor.
“Mendova se do të vdisja,” u shpreh ajo, duke e cilësuar përvojën si një nga momentet më surrealiste të jetës së saj.
Fatmirësisht, pas kontrolleve të mëtejshme, mjekët e lejuan të rikthehej në sheshxhirim ditën tjetër, duke konfirmuar se mund të vazhdonte skenat me këngë dhe vallëzim pa rrezik të menjëhershëm.
Aktorja 52-vjeçare tha se kjo përvojë i ndryshoi mënyrën se si e sheh jetën. Ajo u shpreh se pas atij momenti kuptoi sa e brishtë është jeta dhe sa e rëndësishme është të vazhdosh përpara pavarësisht vështirësive.
Në fund, Cruz falënderoi ekipin e filmit për mbështetjen gjatë periudhës së vështirë. “The Black Ball” pritet të dalë në Spanjë më 2 tetor dhe është në garë për çmimin prestigjioz Palme d’Or në Cannes.
