“Me Maran do të krijojmë një identitet të ri”, Shehu para miqësores ndaj Izraelit: Nuk ka rëndësi pozicioni ku luaj, jam më të mirën
Mesfushori i Kombëtares, Juljan Shehu foli në prag të ndeshjeve miqësore nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Ai deklaroi se duhet të krijojnë një identitet të ri dhe se do luajë ai lojtar që e meriton më shumë.
“Mendoj se çdo trajner ka idetë e veta përsa i përket pozicionimit të lojtarëve në fushë, nuk e di nëse do të jem më përpara apo në të njëjtin pozicion, e rëndësishme është që sa herë të jem në fushë me Kombëtaren të jap maksimumin dhe më të mirën për ekipin. Nuk e di saktësisht ku do të jem se trajneri ka idetë e veta për lojën, do të bëj maksimumin nëse do jem para ose do të jem më mbrapa.
Çdo trajner dëshiron ta krijojë ekipin në bazë të ideve që ka, mund të ketë ndryshime dhe është normale që të ketë përderisa trajneri është i ri. Shpresoj që këto dy ndeshje të jenë shumë të rëndësishme për ne, përsa i përket vazhdimësisë që do kemi në ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator, do të bëjmë maksimumin dhe të ndërtojmë identitetin tonë me trajnerin e ri.
Çdo lojtar që vjen në ekipin Kombëtar e meriton të jetë përderisa është këtu, çdo pozicion dhe çdo vend është i hapur për gjithsecilin dhe do të luajë ai që meriton të luajë”, tha Shehu në konferencën e zakonshme për shtyp.
