Mon, Jun 1, 2026

Vijon inspektimi i stadiumeve të Kategorisë së Parë, situata

Vijon inspektimi i stadiumeve të Kategorisë së Parë, situata
  • PublishedJune 1, 2026

Federata e Futbollit vijon procesin e vlerësimit të stadiumeve të Kategorisë së Parë, në funksion të përmirësimit të kushteve infrastrukturore, transmetimit televiziv dhe implementimit të sistemit VAR nga sezoni 2026/2027.

Në këtë kuadër, Departamenti i Licencimit në FSHF, në bashkëpunim me ekspertët përkatës, ka zhvilluar vizita inspektuese në disa stadiume të vendit, konkretisht në “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, “Besëlidhja” në Lezhë, “Sopoti” në Librazhd, “Korabi” në Peshkopi, “Liri Ballabani” në Burrel dhe “Oriku” në Orikum.

Qëllimi i këtyre inspektimeve është vlerësimi i gjendjes aktuale të impianteve dhe evidentimi i ndërhyrjeve të nevojshme për përmbushjen e kritereve të licencimit, me synim zhvillimin e ndeshjeve në kushte më të mira organizative dhe teknike.

Gjatë inspektimeve janë vlerësuar elementë si fusha e lojës, dhomat e zhveshjes, ambientet funksionale, kushtet për spektatorët, siguria, si dhe infrastruktura e nevojshme për transmetimin televiziv dhe sistemin VAR.

Nga vlerësimet në terren janë evidentuar disa ndërhyrje të nevojshme, kryesisht lidhur me ndërtimin ose përshtatjen e platformave të transmetimit, krijimin e hapësirave për sistemin VAR, përmirësimin e infrastrukturës elektrike të dedikuar, si dhe rritjen e standardeve organizative në stadiume.

FSHF u ka përcjellë klubeve dhe administratorëve të stadiumeve raportet përkatëse me konstatimet dhe rekomandimet e nevojshme, me qëllim që ndërhyrjet të planifikohen dhe realizohen në kohë përpara nisjes së sezonit të ri.

Ky proces është pjesë e angazhimit të FSHF-së për rritjen e standardeve të garës dhe përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në të gjitha nivelet.