Wed, Jul 8, 2026

680 mijë euro “dhuratë” Dionisit të Megatek! Përjashtohet gjyqtari Flamur Kapllani nga procesi

680 mijë euro “dhuratë” Dionisit të Megatek! Përjashtohet gjyqtari Flamur Kapllani nga procesi
  • PublishedJuly 8, 2026

Në një rast unik deri në rekord Guinness në sistemin postkomunist, gjyqtari Flamur Kapllani, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ish-kryetar i Gjykatës së Tiranës e deri në gjyqtar karriere, guxoi të vendosë pa shqyrtuar asnjë provë në themel se lajmet që s’i përshtaten interesit të x apo y individi janë të rreme.

“680 mijë euro dua…”! Precedenti i rrezikshëm/ Gjyqtari me Korrospodencë Flamur Kapllani censuron mediat për llogari të Dionis Teqjas

Me këtë vendim mase sigurie, edhe pse nuk ua njoftoi vendimin palëve e jo më t’i ftonte për t’i dëgjuar, siç e obligon profesionalisht ligji dhe morali juridik, ai, me një dhomë të mbyllur, me veten, tastierën dhe kompjuterin, vendosi: “Media të heqë publikimet e rreme”, fiks siç ia kishte kërkuar paditësi edhe në masë sigurie, edhe në padinë e themelit.

E teksa kjo padi ende s’na është vënë zyrtarisht në dispozicion dhe mbetemi në pritje, çështja vijon të jetë në pritje të apelit dhe shqyrtimit në themel të saj.

Disa nga argumentet e depozituara nga WebLajm.com në kërkesën për përjashtimin e z. Kapllani, të cilat u pranuan nga Gjykata e Tiranës

Së pari: Objekt i kërkesëpadisë (që ende nuk i është vendosur në dispozicion palëve) është shpërblimi i dëmit i pretenduar që i është shkaktuar paditësit nga disa lajme që sipas tij janë mashtruese. Gjyqtari z. Flamur Kapllani ka arritur në përfundimin që artikujt e cituar janë me tituj mashtrues dhe këtë e ka shprehur në dispozitivin e vendimit për marrjen e masës së sigurimit të padisë. Në vlerësimin tonë, fakti nëse këto artikuj janë ose jo mashtrues do të përcaktohet në përfundim të procesit të themelit, që do të zhvillohet pas njoftimit të rregullt të palëve dhe krijimit të mundësisë për të mbajtur qëndrim rreth tyre. Theksojmë se vendimi unifikues nr. 10/2004 e detyron Gjykatën që shqyrton sigurimin e padisë që të mos shprehet për çështje që lidhen me themelin. Më konkretisht, në këtë vendim është përcaktuar se:

Bllokon lajmet dhe kërkon 680 mijë euro, kush është Dionis Teqja i Megatek? Aksidente e shfrytëzim të miturish në punë

Gjykatat vendimin për marrjen e masës së përkohshme për sigurimin e padisë nuk duhet ta mbështesin në fakte apo veprime, si dhe në cilësimin juridik të tyre, që kanë të bëjnë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes në themel.

Gjithashtu, shqyrtimi i kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të padisë duhet të trajtohet në një mënyrë të tillë që të shmangë çdo lloj perceptimi sipas të cilit gjykata e ka paragjykuar zgjidhjen e çështjes në themel apo nuk është e paanshme në gjykim.

Së dyti: Gjyqtari, në mënyrë të njëanshme dhe të paarsyetuar, e ka zhvilluar procesin në dhomë këshillimi, pa praninë dhe njoftimin e palëve të paditura. Për shkak të zhvillimit të seancës në dhomë këshillimi, Gjykata ka kryer shkelje të rënda për sa i përket ndërgjyqësisë dhe vlerësimit të provave në këtë proces, duke mos arsyetuar rreth linkeve të publikuara nga secila palë e paditur. Më konkretisht, në vendimin objekt ankimi Gjykata nuk ka arsyetuar se si lidhet pala e paditur Arsen Rusta P.F. me linket e përmendura në vendim, pra cili link i atribuohet kësaj pale. Në fakt, pavarësisht që pala paditëse e barazon palën e paditur Arsen Rusta P.F. me portalin “Weblajm”, nuk rezulton që në vendim të jetë cituar ndonjë link i portalit “Weblajm”.

Së treti: Gjyqtari z. Flamur Kapllani ka vepruar në mënyrë të njëanshme edhe për sa i përket mosformimit të rregullt të trupës gjyqësore. Neni 35 i Kodit të Procedurës Civile parashikon që:

Gjykata e shkallës së parë gjykon me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar ose tre gjyqtarë.

Me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë gjykohen këto çështje:

Kërkon 680 mijë euro nga gazetarët! Dionis Teqja i MegaTek fërkon duart për lekë, AGSH: Abuzive dhe formë presioni

a) Paditë me vlerë më shumë se 50 milionë lekë.

Në kërkesëpadinë e tij, paditësi Dionis Teqja kërkon në total 680.000 euro, shifër e cila e kalon kufirin prej 50 milionë lekësh, pra është e qartë që themeli i kërkesëpadisë do të shqyrtohet nga tre gjyqtarë. Për sa i përket masës së sigurimit të padisë, ne vlerësojmë që, me formulimin e Kodit, edhe kjo kërkesë do të duhet të shqyrtohet përsëri nga tre gjyqtarë. Më konkretisht, Kodi ka përcaktuar në mënyrë të shprehur veprimet që kryhen nga gjyqtari i vetëm në nenin 158 dhe 158/a të Kodit, ku në germën “ç” të pikës 2 të nenit 158/a parashikohet që:

Vendos për marrjen e masave për sigurimin e padisë, në raste të veçanta ose të ngutshme, sipas nenit 205 të këtij Kodi.

Nga ky formulim kuptohet që gjyqtari i vetëm vendos vetëm në rastet e ngutshme dhe të veçanta, por duke pasur parasysh që artikujt të cilët pretendohen se kanë shkaktuar dëm janë publikuar rreth 4 muaj më përpara, vlerësojmë se do të ishte e udhës që gjyqtari të kishte formuar trupën e rregullt të përbërë nga 3 gjyqtarë.

Si përfundim, vlerësojmë se gjyqtari z. Flamur Kapllani është shprehur për çështje të themelit që në marrjen e masës së sigurimit të padisë, e ka zhvilluar seancën në dhomë këshillimi pa njoftimin e palëve të paditura, ka ngarkuar me detyrime subjekte që nuk kanë lidhje me kërkimet e paditësit, si dhe nuk ka thirrur trupën e përbërë me 3 gjyqtarë, duke cenuar kështu parimin e paanësisë.

Në këtë betejë ligjore, WebLajm.com përfaqësohet nga Avokati Gjon BUXHUKU, i cili ka arritur edhe të provoj me fakte se si një gjyqtar ishte i njëanshëm.

Shënim editorial

Në të drejtën e çdo ligji apo pretendimi, gjyqtari i nderuar Flamur Kapllani dhe cilido do të duhej të vendoste: Deri në shqyrtim të themelit, heqje apo bllokim sipas ligjit. Kaq është e mundur sipas legjislacionit shqiptar. Por kurrsesi të shtonte fjalën “LAJM I RREMË” pa bërë asnjë verifikim të dokumenteve, të cilat në këtë rast ishin lëshuar nga vetë Gjykata e Tiranës, ku z. Kapllani është pjesë.

Deri atëherë:

Punë të mbarë, z. Kapllani, dhe uroj që në çdo situatë të ngjashme të vlerësoni se media ju respekton, por ju s’mund të cilësoni e vlerësoni një lajm si të rremë apo të vërtetë.

Faleminderit, gjyqtare Manjola Xhaxho, për pranimin e kërkesës për përjashtimin e z. Kapllani.