Tue, Jul 21, 2026

EKSKLUZIVE/ Raporti: Ish-kryepolici i Shkodrës përdori dron privat në operacione zyrtare, pamjet filmike u mbajtën jashtë inventarit

EKSKLUZIVE/ Raporti: Ish-kryepolici i Shkodrës përdori dron privat në operacione zyrtare, pamjet filmike u mbajtën jashtë inventarit
  • PublishedJuly 20, 2026

Një raport i agjencisë së mbikqyrjes policore hedh dritë mbi dyshimet se ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, ka përdorur një dron privat gjatë operacioneve policore, në kundërshtim me procedurat standarde të miratuara për administrimin e pajisjeve ajrore pa pilot.

Dokumenti, përshkruan se gjatë verifikimeve disiplinore është konstatuar se pajisja nuk ishte regjistruar dhe inventarizuar si aset i Policisë së Shtetit, megjithëse është përdorur në disa operacione zyrtare.

Sipas raportit, droni është përdorur për mbikëqyrje ajrore të banesave të personave në kërkim, si dhe në operacione për kontrollin e territorit në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Vaut të Dejës, Velipojës dhe Shkodrës.

Një nga elementët më të rëndë të konstatuar është që pas përfundimit të operacioneve janë shkarkuar pamjet filmike nga pajisja, ndërsa karta e memories është mbajtur bashkë me dronin dhe nuk rezulton të jetë administruar sipas procedurave zyrtare të Policisë së Shtetit.

Raporti citon deklarimet e punonjësve të policisë, të cilët kanë pohuar se droni ishte vënë në përdorim nga Gentian Berberi dhe se më 22 qershor 2026 pajisja iu dorëzua atij në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës.

Në përfundim të verifikimeve, arrihet në konkluzionin se përdorimi i kësaj pajisjeje është kryer në shkelje të Procedurës Standarde të Punës për përdorimin e dronëve në Policinë e Shtetit, pasi pajisja nuk ishte pjesë e inventarit zyrtar dhe nuk ishin respektuar detyrimet për regjistrimin, administrimin dhe dokumentimin e saj.

Dokumenti përmend gjithashtu se ndaj Gentian Berberit është nisur procedim disiplinor edhe për sjellje të papërshtatshme gjatë procesit të dorëzimit të detyrës dhe komunikimit me drejtues të Policisë së Shtetit.