Thu, Jul 30, 2026

Çfarë thonë fragmentet për Objektin X

Çfarë thonë fragmentet për Objektin X
  • PublishedJuly 30, 2026
Pesë tituj nga koleksioni i familjes së Enver Hoxhës me shënime anësh faqeve. Foto: Elsa Demo.

Në katin e dytë të Vilës 31 ekziston një fragment i asaj që ka qenë biblioteka e Enver Hoxhës dhe e familjes së tij. Për 25 mijë tituj flet e zonja e shtëpisë në kujtimet e veta. Ankohet edhe për bastisje nga Partia Demokratike, nën kujdesin e Azem Hajdarit. Por studime serioze a periferike për këtë cep të vilës ku përpunohej dhe orientohej dija e pushtetit, nuk ka.

Pesë tituj që mendohet t’i kenë përkitur këtij vendi, të cilët Elidor Mëhilli i ka huazuar nga fondet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, presin historianin t’u mbushë zbrazëtinë që i rrethon. “Pikërisht në këtë çast, ne nuk ndodhemi më pranë vendit ku dikur ishte pushteti, tani ndodhemi, fjalë për fjalë, në vetë zemrën e pushtetit”, thotë ai me anglishte të kthjellët e të plotë, aq dhe e pakuptimtë që përdoret në një objekt burim traumash të papërpunuara. Midis gjërave që trauma, ajo kolektive, ua ka nevojën për t’u çliruar është pikërisht gjuha amëtare. Duhet të sprapset kjo anglishte e ligjëruesve shqiptarë, edhe pse ka rezidentë të huaj në vilë dhe shpesh mungon qytetari i zakonshëm, që nuk po zgjedh ta vizitojë lirisht objektin.

Profesori i historisë europiane dhe ndërkombëtare në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut gjendet në një rol të ndërmjetëm midis historianit dhe eksperimentuesit vizual për t’ia qëlluar dialogut me të shkuarën, diçka që u ka munguar mjaft rezidencave gjatë 1 viti e pak histori të Vila Art Rezidencë Tirana.

Qendra e artit nën patronazhin e fondacionit francez “Art Explora” pranon çdo tre muaj artistë dhe studiues nga bota, mirëpo prurjet e tyre kanë qenë krejt neutrale për ekosistemin e artit dhe nën nivelin e pritshmërive në raport me kontekstin e vilës.

Sulmet ndaj saj gjatë protestave të opozitës në muajin shkurt konfirmuan opinionin se atë e njohin vetëm si simbol diktature dhe i pushtetit që shfaq fytyrë autokracie. Ndaj historianë, artistë dhe menaxherët e tyre duhet të rishikojnë pozicionet e deritanishme.

Janë ditët e studiove të hapura, 17-19 korrik. Brenda në vilë bën vapë sa edhe jashtë. Elidor Mëhilli i prezanton një publiku të ngushtë disa rezultate mbi kërkimin “Jetët sekrete të librave në Vilën 31”. Ai e fillon me një korrigjim: Kjo nuk ka qenë kurrë vilë e Enver Hoxhës. Ndodhi që ai jetoi këtu, që familja e tij të jetojë këtu, por ka qenë gjithmonë pronë shtetërore dhe është paguar nga fonde publike, me paratë e gjyshërve dhe prindërve tanë. Pronë e shqiptarëve, në përdorim për dhjetë vjet nga një fondacion i huaj.

Vila u pat ndërtuar si shtesë e një prone të konfiskuar pas lufte, proces që ndodhte me tokën dhe të gjitha llojet e sendeve me vlerë dhe mallrave, përfshirë librat. Kush ka lexuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës, kupton se ajo ka ngritur alibi për origjinën e titujve, që nga koha e udhëheqësit në Liceun e Korçës. Zemra e bibliotekës ka qenë franceze: Kornej, Rasin, Ruso, Volter, Monteskje, Napoleon Bonapart, Hygo, Zhorzh Sand, Flober. Kishte enciklopeditë angleze, italiane, ruse… “Ku vajtën albumet me riprodhime të pikturave nga Muzetë më me famë të Europës”, pyet vejusha, “albumet me riprodhime të ilustruara të ndërtimeve më të bukura e interesante botërore, si ato të antikitetit, piramidat e Egjiptit, tempujt e Athinës?”. Të gjitha këto pasuronin raftet e reja të bibliotekës në vilë në vitet 1973-’74, kur Edison Gjergo e Maks Velo, ndër shumë të tjerë, përgjoheshin, spiunoheshin dhe dënoheshin me burg pse kur iu bastisën shtëpitë, iu gjetën libra për artin modern, për të cilët jashtë vilës 31 dhe Bllokut njerëzit inkriminoheshin për agjitacion e propagandë.

historiani elidor mëhilli gjatë prezantimit në vilën 31historiani elidor mëhilli gjatë prezantimit në vilën 31
Historiani Elidor Mëhilli gjatë prezantimit në vilën 31. Foto: Elsa Demo.

Vejusha flet për kapica të mëdha librash që u dogjën, “siç kishin bërë nazistët e Hitlerit”. Një sasi e dorës së dytë prej 2675 titujsh u dorëzua në Bibliotekën Kombëtare me urdhër të kryeministrit Meksi. Të tjerë që kishin mbetur në shtëpi, në bodrum, rreth 3-4 mijë copë, ajo i mori pas daljes nga burgu.

Me një fragment biblioteke para, historiani duhet t’i përgjigjet pyetjes: në çfarë procesi kalonte zgjedhja e librave.

Pjesa dërrmuese janë zgjedhur nga Hoxha ose nga dikush afër tij. Duke parë katalogun e botimeve në gjuhën frënge (Bulletin Critique du Livre Français), ai shkruante “dua këtë libër” ose “porositma!”. Bulletin Critique dhe kërkesa e diktatorit me shkrim dore, kjo e dyta e riprodhuar, janë ekspozuar për këtë rast. Mëhilli tregon për një marrëveshje speciale me qeverinë franceze për të siguruar libra çdo vit. Shpesh, Hoxha kërkonte tituj për të cilët lexonte nëpër gazeta. Ambasada në Paris udhëzohej po ashtu të blinte libra dhe me të ardhur, listat kontrolloheshin nga një sekretar. “Ka mes titujve që mund të identikohen si porosi e Hoxhës, por çfarë shikoni në rafte nuk thonë asgjë. Mund t’i përkisnin atij, mund t’i ketë porositur ai ose jo. Duhet një punë e palodhur kërkimore historike për të përcaktuar me saktësi rrugën nga një kërkesë deri tek dorëzimi i librit në raft.”

Në të majtë të bibliotekës janë vendosur librat e atyre që konsiderohen themeli ideologjik i regjimit: Marks, Lenin, Stalin, Hoxha (thuhet se librat e Hoxhës botoheshin me tirazh deri në 180 mijë kopje një titull). Ka një arsye, sipas Mëhillit, sepse “bibliotekat janë çfarë koleksionojmë, çfarë duam, si e modelojmë veten, si duam të na shohim dhe si të na kujtojnë, pra është një hapësirë performative dhe Hoxha donte të shihej si një nga klasikët. Pjesë e kësaj pune, gjithçka që u përdor për të formësuar veten si individ, si një njeri që i përket historisë, ishte mbledhja dhe sistematizimi i informacionit, me vetëdijen se Shqipëria kishte hyrë me vonesë në organizimin e formave të komunizmit. Por nuk do të thotë doemos se ishin të tijat ato që shohim këtu”.

Prezantimi ngushtohet tek 5 quirky books dhe ato strange little things përanësh faqeve. Këtu del në pah një metodë tërheqëse, e admirueshme gati: identifikimi i tipeve të ndryshme të leximit nga ana e individëve që i kanë lënë ato gjurmë. Është metodë që i kërkon edhe jashtë arkivave zyrtare dëshmitë me vlerë historike, të cilat shkolla e historishkrimit tek ne i quan të papërfillshme.

Për shembull, “Histoire de la guerre froide” (1965) me autor André Fontaine, diku në faqen 212 përshkruan qershorin e vitit 1953, dmth pak kohë pas vdekjes së Stalinit. Një vijë e gjatë është hequr tejetej paragrafit ku dora ka shënuar: qershor 1953. Është koha që diçka duhet të ndryshojë dhe do të krijojë tension në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Prandaj edhe ky nënvizim si lexim i Luftës së Ftohtë përmes analogjisë. Mëhilli nuk beson ta ketë nënvizuar Enver Hoxha, por dikush tjetër në shtëpi e ka lidhur këtë episod.

Libri i dytë, “Le somnambidules”, një roman satirik nga Robert Escarpit (1971), flet për një botë ku vendet njëri pas tjetrit i kap një lloj sëmundjeje që i paralizon njerëzit me gjumë, duke ëndërruar sikur janë krejtësisht zgjuar. Me pak humor, historiani shqiptar e përqas veprën me një seri të mundshme Netflix-i. Në faqet e para dhe në faqen e brendshme të kopertinës, me shkrim dore janë bërë shënime që çojnë tek një lexim paranojak, i cili hamendëson se ky vend i çuditshëm mund të jetë Shqipëria e Luftës së Ftohtë dhe një nga personazhet mund të jetë Brezhnjevi apo Kisinxheri.

Rasti i librit “Les assassins de Kennedy” i Richard H.Popkin-it i ka ofruar mundësi për lexim konspirativ atij që e ka kaluar në duar në shtëpi. Ai ka bërë me shumicë shënime në shqip të llojit: nuk ka kuptim, nuk më bind, nuk ka mundësi!

Tek historia e një dedektivi të KGB-së në vitin 1954 që shkon në Perëndim në librin “Policier de Staline” i autorëve P.Deriabine e F.Gibney, kushdo që e ka lexuar, është përpjekur të dekodojë diçka për Bashkimin Sovjetik. Sipas analizës së Mëhillit, ishte e dobishme për Hoxhën të dinte çfarë ndodhte me zbuluesit dhe disidentët që shkonin në Perëndim dhe të kuptonte si funksiononte shërbimi sekret sovjetik. Duke mos pasur informacione publike, ai që e ka lexuar përpiqet të krijojë një kronologji.

ditari i albert speer it me shënimin e enver hoxhësditari i albert speer it me shënimin e enver hoxhës
Ditari i Albert Speer-it me shënimin e Enver Hoxhës. Foto: Elsa Demo.

Shembulli i pestë dhe i fundit janë kujtimet e një armiku nga perspektiva ideologjike: “Journal de Spandau” nga Albert Speer. Arkitekti i perandorisë naziste, ministër i Luftës gjatë Luftës së Dytë Botërore mbajti ditar në burgun e Spandaut, që u botua në frëngjisht në vitin 1975. Në faqen 77, lexuesi jo vetëm që lë gjurmë, por e shkarravit një pjesë të argumentimit të Speer-it. Është një pasazh ku ai kujton një bisedë me Hermann Goering-un gjatë gjyqit të Nurembergut: “Dans cent ans, dit-il en substance, Hitler sera à nouveau le symbole de l’Allemagne. Qu’a-t-on fait de Napoléon, Frédéric le Grand ou le tsar Pierre? L’Histoire ne les traite pas d’assassins. L’important est de rester solidaires. Nous devrons tous mourir un jour. Mais l’occasion d’entrer dans l’Histoire en tant que martyrs ne s’offre pas tous les jours. Les Allemands prennent leurs distances maintenant, mais ils savent très bien que jamais ils ne vécurent aussi bien que sous Hitler.” Dora ka shkarravitur me të kuqe fjalitë (që në shqip vijnë kështu):

“E rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar. Të gjithë do të duhet të vdesim një ditë. Por mundësia për të hyrë në histori si martirë nuk të ofrohet çdo ditë.”

Nëse do t’u besojmë kujtimeve të Nexhmijes, Hoxha nuk pëlqente të markonte librat. Sado jo absolutisht i sigurt, Mëhilli mendon se shënimet janë të Hoxhës, dorëshkrimi është i tiji, ajo shkarravinë agresive është e të njëjtit person, një mënyrë që bie në sy.

Pyetja që vjen pas është: Kush kontrollon narrativën, dijen, memorien, kush ka të drejtën ose autoritetin për të përfaqësuar zërin e një periudhe të caktuar historike? “Duke e parë historinë në një këndvështrim më të gjerë”, komenton historiani, “diktatura është një sistem që prodhon dije, e kontrollon atë dhe eliminon burime të caktuara të informacionit. Kishte një kontrast të thellë mes brendisë së kësaj dhome dhe realitetit jashtë në vitet ’70, kur Hoxha kryente gjithë këtë punë. Shqipëria censuronte libra perëndimorë, një pjesë dërrmuese nuk lejoheshin për publikun e gjerë dhe atë që lexonte një fantashkencë si “Le somnambidules”, do ta gjente belaja.”

Elidor Mëhilli mendon t’i rikthehet kësaj pune, sepse i jep të dhëna për një aparat të tërë editorësh, redaktorësh, përkthyesish, që kishin përgjegjësi për veprën e diktatorit dhe për ndërtimin e një miti rreth figurës së tij. Për shembull, disa vëllime që mbajnë vula me emrin e Institutit të Historisë së Partisë, më vonë Instituti i Studimeve Marksise-Leniniste, organ i mbikëqyrur nga Nexhmije Hoxha, të thonë se “kufijtë midis personit, familjes dhe institucionit, ishin gjithmonë të mjegullt brenda këtyre mureve”.

Objekti sekret dhe fuqia e sendeve

fragment i bibliotekes se enver hoxhesfragment i bibliotekes se enver hoxhes
Fragment i bibliotekës së Enver Hoxhës. Foto: Elsa Demo.

Në një artikull të fundit, “Pa nostalgji”, pjesë e antologjisë “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” (2026), Mëhilli krahason Bllokun e viteve të para pas rënies së regjimit me këtë të sotmin që “vazhdon të prodhojë arkivin e vet, si edhe qyteti përreth që vazhdon ta durojë, edhe pse duket sikur shumëkush e ka humbur aftësinë për ta lexuar”. Por aftësia për të lexuar, që është shumëplanëshe, nuk varet nga sa kohë rrjedh dhe kapacitetet që ofron teknologjia e lartë, përderisa njerëzit “ende ngatërrojnë sirtarët prej druri, betonin dhe pishinën e Enverit me historinë”. Kjo është një nga kritikat e Mëhillit kundër sportit popullor që diktaturën e përvijon nëpërmjet orendive, hapësirave boshe (bunkerë, bodrume, dhoma gjumi, zyra hetuesie) dhe trupave në mungesë (krevati bosh i diktatorit, biblioteka e tij, Shtëpia e Gjetheve rrethuar me tekste të vyshkura kuratoriale, kronikat filmike të pushimeve të fëmijëve, nipave, dhe mbesave të diktatorit në Dhërmi – diktatori edhe notonte!).

Studiues i regjimeve diktatoriale dhe i fenomeneve politike e kulturore gjatë Luftës së Ftohtë, i formuar në Princeton University, autor i veprës “From Stalin to Mao: Albania and the Socialist World” (2017), Mëhilli i është përkushtuar kërkimeve për politikat e arkivit duke dalë kundër qasjes së historianëve të komunizmit ndaj arkivit si një minierë për t’u gërmuar, që ka eklipsuar idenë e arkivit si praktikë të pushtetit.

Për t’u rikthyer tek Vila nr.31, në zemër të territorit të quajtur Bllok. Prej vitesh Mëhilli i është qasur këtij vendi fillimisht së jashtmi, kur mund të fotografonte vetëm librat e përdorur në bordurën rrethuese të vilës atëkohë e kyçur, ndërsa sot ai e viziton shpesh e më shpesh për të thelluar kërkimet mbi një vend informal për rishkrimin e historisë. Ai është autor i tekstit që të prezanton objektin sapo kapërcen pragun.

Me rastin e hapjes së rezidencës në prill 2025, si folës kryesor ai trajtoi temën “The Vila as an Archive in a Country Struggling with its Past”. E së fundi, gjatë rezidencës tremujore, në bashkëpunim me fotografin Ilir Tsouko realizoi dokumentarin “Objekti X”. Është emri i përdorur për vilën në korrespondencën e projektuesve, shoqëruar me: “tepër sekret”. Arkitekt kryesor është Sokrat Mosko. Në fazën e parë të projektit shfaqen emrat e A. Janos dhe Klement Kolanecit, dhëndrit të Enver Hoxhës. Objekti X projektohet me kinema, ashensor dhe pishinë që Hoxha nuk e gëzoi. Përfundoi në vitin 1973, e ndërsa projektuesit siguronin pajisje nga katalogët perëndimorë, diktatura nisi sulmin kundër liberalizmit në muzikë, art dhe arkitekturë, kundër veshjes me ndikime të huaja po ashtu. Atë vit ai pësoi goditjen në zemër. Ky shtatë minutësh shërben si baza kërkimore për një film në zhvillim e sipër mbi mënyrën si pushteti rishkruante të shkuarën brenda Vilës 31.

Çfarë ka ndodhur në këtë objekt dhe si ka ndikuar në jetën e njerëzve?

studioja e hapur e elidor mëhillit në vilën 31studioja e hapur e elidor mëhillit në vilën 31
Studioja e hapur e Elidor Mëhillit në vilën 31. Foto: Elsa Demo.

Nexhmija mendohet të ketë pasur shumë peshë në këtë vend. Ajo ka arkivën e vet. Kush ishte ajo? Çfarë marrëveshje kishte bërë për të qenë pranë një njeriu kaq të rëndësishëm? Mëhilli ka eksploruar letrat e saj, për ndërhyrjet e saj editoriale. “Narrativa të dyshimta dhe versione të shumëfishta të së shkuarës vendosen krah për krah. Dhuna është aty, edhe pse nuk mund të shihet qartë sepse nuk është direkte”, thotë Mëhilli gjatë prezantimit të dokumentarit, në mbrëmjen e dytë të studiove të hapura. “Është aty, në dhomën e saj të editimit, nëpër libra, në retushime, shkarravina, kryqe, fshirje të fjalive dhe paragrafëve, aty ndodh nxjerrja jashtë historisë e njerëzve që një ditë janë në majë, ditën tjetër i dëbojnë në një vend të largët dhe i lënë atje për dhjetëvjeçarë për diçka që nuk e kanë bërë. Aty është drafti final i historisë. Ende po mësojmë, po zbulojmë. Kam nevojë ta shkund atë që mendoj se e di, të provokoj, të bëj lidhje, këndvështrime të reja. Përgjegjësia është këtu.”

Praktika e tij prej historiani ka kaluar nga arkivi si burim tek arkivi si subjekt, ku u bëhet vend boshllëqeve, mungesave, gabimeve dhe është imagjinata historike ajo që merr rëndësi. Vetë studioja e hapur këto ditë në Vilë ishte model i kësaj metode. Nga ana vizuale ajo ishte një instalacion sendesh të imta, të lidhura lirisht në një gjuhë subjektesh; nga ana e përmbajtjes, nuk kishte burime kapitale, dokumente me arna sensacionale sekret apo deklasifikuar, as emra të mëdhenj në lojë pjesë e diçkaje të padëgjuar, nuk kishte markë rrëfimi ekskluzive. Studioja e tij ishte një tip kundër-arkivi. Në koherencë me këtë qëndrim, kur hyje, në të djathtë, në një kornizë në mes të rafteve të zbrazura ishte vendosur një citat nga Jan T. Gross: “E, megjithatë, nuk është çka ka ndodhur, por çka u pengua të ndodhte, që na jep një masë më të vërtetë të fuqisë shkatërruese të totalitarizmit: shuma e librave të pashkruar, për ta thënë me fjalët e një autoreje (Paulina Preiss, Biurokracja totalna, Paris 1969). Në fakt, shuma e mendimeve të pamenduara, e ndjenjave të pandiera, e veprave të pakryera, e jetëve të pajetuara deri në fundin e tyre të natyrshëm.”

Mbi tryezë, si të ishte një foto familjare, në kornizë dhe ajo, ky shënim i historianit: “Ky vend ende nuk e di saktësisht se sa njerëz janë burgosur, dënuar me internim apo janë ekzekutuar gjatë diktaturës. Vendndodhja e eshtrave të mijëra njerëzve mbetet e panjohur.” Në një shtëpi-muze, bunker-muze a tunel-muze shfaqja e pasigurive të tilla janë profanim për historinë zyrtare, e cila preferon shifra dhe garanci absolute. Shënimi nuk ka vlerën e dokumentit, por merr plotësisht kuptim pranë një historie njerëzore si e Hajri Pashajt, nga të burgosurit që u ngrit në revoltë në Spaç, në 1973-shin. Mëhilli ka gjetur në arkiv letrën që ai shkroi para ekzekutimit, në moshën 28-vjeçare dhe gati bën një premtim: “Do të kujdesem unë që emri i Hajriut të jetë në librat e historisë.”

Ai guxon të bëjë pjesë të instalacionit një figurinë të portretit të diktatorit blerë në një dyqan suveniresh dhe një foto personale me të ëmën para Piramidës, e vitit 1984. As njëra, as tjetra nuk janë burime me vlerë historike, autentike, nuk janë informacion i drejtpërdrejtë, nuk janë të tillë librat të blerë në rrugët e Tiranës (Metoda e Potapovës – një vëllim i metodës shqip ku ruhen gjurmët e përdoruesve të zakonshëm, emrat e tyre shkruar me dorë) dhe as kërkesat për qasje në arkiva, së bashku me refuzimet dhe dokumente të tjera burokratike pas vitesh pune në fondet zyrtare të Partisë dhe Sigurimit. Tryeza e ekspozimit të sendeve (disa copëza gurësh ishin vendosur vende-vende si për të bindur fletën e librit dhe “shtruar” dokumente të caktuara) nuk ndiqte ndonjë rend linear kohor apo tematik, por kishte vëmendjen dhe ndjeshmërinë për çfarë nuk ka hyrë akoma në librat e historisë; të vinte aty një pararendje që vështirësitë dhe pengesat, të qëllimshme apo ajo, gjatë kërkimit studimor, meritojnë të ekspozohen dhe të jenë pjesë e një mënyre të bëri dhe të treguari të historisë. Ato e shprishin rendin tradicional të rrëfimit dhe përqafojnë një lloj kujtese, një formë arti të kujtesës, që nëse nuk e ngacmon me delikatesë, ajo memorie rrezikon të mbyllet dhe të mos pikojë kurrëfarë historish njerëzore që, përndryshe, shkenca pedante nuk ka mjete t’i nxjerrë prej thellësive.

Në njëzet vitet e fundit, që nga koha kur mundohej ta shkruante historinë me burime e dëshmi të mbledhura në mënyrë zyrtare, Elidor Mëhilli e ka gjurmuar paralelisht të shkuarën jashtë arkivit, në Shqipërinë e sotme, në librat e dorës së dytë në rrugë, kudo ku pushteti ka lënë shenjat e veta në dokumente, kujtesë dhe ndërtesa. Fotografinë e ka mjet të preferuar për mbledhjen e shenjave të kulturës materiale që lënë prapa vende që transformohen.

Praktika e tij tregon sa e nevojshme është që të shfryhen prej një farë epike pretendimet për historishkrimin. Ai e pat shprehur diku një frikë të ngjashme: A kisha rënë edhe vetë pre e ekzagjerimeve të kohës?, ndërsa përpiqej të kuptonte arkivat dhe dilte në përfundimin se, sidomos dosjet e Sigurimit janë të mbushura me gënjeshtra. Për t’ia dalë, nuk është aq e nevojshme transparenca sesa instrumentet për të kuptuar çfarë ruhet në arkiva. “Dhe për këtë duhen ligje më të mira dhe akses më i mirë për kërkuesit, që politika të mos ndërhyjë.”

objektet në studion e mëhillit 1objektet në studion e mëhillit 1
Objektet në studion e Elidor Mëhillit në vilën 31. Foto: Elsa Demo.