Thu, Jul 30, 2026

ILD kërkon uljen e përkohshme të pagës së gjyqtares Suela Dashi

ILD kërkon uljen e përkohshme të pagës së gjyqtares Suela Dashi
  • PublishedJuly 30, 2026

ILD kërkon uljen e përkohshme të pagës së gjyqtares Suela Dashi

Sipas ILD, Dashi ka munguar në mënyrë të pajustifikuar në punë për shtatë ditë në dhjetor të vitit 2021, si dhe nuk ka njoftuar kryetarin e gjykatës ku punonte për mosparaqitjen e saj. Po ashtu, ILD konstatoi se nga ana e magjistrates nuk është paraqitur kërkesë për heqje dorë nga gjykimi i një çështjeje, kur është e detyrueshme sipas ligjit.

Sipas ILD, Dashi ka kryer mosrespektim të rëndë e të persëritur të ligjit procedural, fakte që janë konstatuar nga gjykata e Apelit Gjirokastër. ILD vlerëson se shkeljet janë kryer me dashje.

Sipas raportit të parashtruar në mënyrë të përmbledhur në KLGJ, veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares Dashi kanë cenuar parimet e paanshmërisë dhe ligjshmërisë, të drejtat e palëve në procesin gjyqësor, si dhe prestigjin e magjistratit dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor.

Si rrethanë lehtësuese, ILD konstaton faktin se ndaj magjistrates nuk ka pasur më parë masë disiplinore në fuqi, si dhe se ajo ka bashkëpunuar gjatë zhvillimit të hetimit disiplinor.

Në përfundim, u kërkua që ndaj gjyqtares Dashi, të caktohet masa disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.

Gjyqtarja Dashi deklaroi në seancën plenare të mërkurën se pretendimi lidhur me mungesat ishte rregulluar më parë nga ish-zv/kryetarja e gjykatës dhe KLGJ. Ajo paraqiti qëndrimin e saj edhe lidhur me gjetjet e tjera që kishin të bënin me situatën e kushteve për heqje dorë dhe shkelje procedurale, duke nënvizuar se në një rast bëhej fjalë për masë sigurimi personal dhe duhej trajtuar brenda pesë ditëve.

Lidhur me vijimin e gjykimit, kur kishte pasur kërkesë për përjashtimin e saj, Dashi shpjegoi ndër të tjera se e kishte konsideruar kërkesën e palës si instrument për zvarritjen e procesit.