“Aman mos më vrisni…”/ Ja ku fshihej Ylli Zalla
Pas disa tentativave të dështuara të mëparshme për ta arrestuar dhe videomesazhit së një dite më parë të transmetuar ku shfaqej para shtëpisë duke akuzuar policinë se donte ta vriste, Ylli Zalla përfundon me pranga në duar. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Brendshme.
49-vjeçari ishte fshehur në një banesë tjetër, rreth 500 metra larg shtëpisë së tij në Zallë të Fushë-Krujës. Në momentin e arrestimit, i shumëkërkuari ka qenë i armatosur me kallashnikov me 3 karikatorë. Sipas burimeve, zona mbahej në vëzhgim prej ditësh me dron të teknologjisë së lartë ‘Bayraktar’ nga ‘Operacionalja’ e Tiranës.
Zalla është i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit të nëntorit 2025 ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe miku i tij, Muçi Shaljani.Një ditë më parë, atij iu vendos tritol në banesë, çka bëri që makina e tij, tip ‘Benz’, të shkrumbohej.
Për ngjarjen e ndodhur të shtunën në mbrëmje vonë, policia u njoftua paraditen e së dielës nga bashkëshortja e Zallës që ndodhej në Itali, ndërsa dyshimet ishin që autori të jetë vetë ai. Por në një video, 49-vjeçari mohoi që të ishte ai personi që kishte vendosur tritolin me qëllim azilin politik, teksa akuzoi Policinë dhe bandat e krimit të organizuar se po përpiqen ta vrasin.
“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, tha ai.
Më 20 shkurt të këtij viti, Zallës iu gjet një arsenal armësh me të cilat dyshohet se furnizonte grupet kriminale. Edhe në një operacion në mars, në oborrin e banesës së tij u gjet një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës.
12 vjet më parë Zalla është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad.
Njoftimi i Ministrisë
Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit.
