Thu, Aug 20, 2026

Ja sa makina të blinduara ka në Shqipëri, kush fshihet pas tyre

Ja sa makina të blinduara ka në Shqipëri, kush fshihet pas tyre
  • PublishedAugust 20, 2026

TIRANË– Shënjestra udhëtonte me makinë të blinduar, makina e blinduar i shpëtoi jetën… janë shpesh këto fjalitë që përdorin gazetarët dhe mediat, sa herë që në vend ndodh një atentat, me apo pa pasoja të rënda. Një nga rastet më të bujshme, që mjeti i blinduar i shpëtoi jetën është atentati ndaj Ylli Brahimit, në vitin 2022 në Milot, ku mbeti i vrarë i riu Klisman Preçi, i cili sapo kishte zbritur nga makina. Brahimi, i njohur si një nga njerëzit e afërt me bosin e zhdukur të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, arriti të mbijetonte, edhe pse në drejtim të mjetit të tij Land Cruiser të blinduar, u derdhën më shumë se 100 plumba.

Edhe sot atentati mbetet i pazbardhur, por ajo që mund të thuhet me siguri, është që vetë Brahimi iu druhej kundërshtarëve, pasi jo më kot ishte kujdesur që për sigurinë e tij të lëvizte me një mjet të blinduar…. Por sa të tillë ka sot në Shqipëri, kujt i duhet një mjet i blinduar për të qarkulluar, dhe kush e jep lejën për pronarët? SHEKULLI ju sjell sot një shkrim ekskuziv, mbi mënyrën sesi jepen lejet për mjetet e blinduara, dhe sa është numri i makinave që figurojnë me leje nga policia.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit i thanë SHEKULLI-t se aktualisht në Shqipëri, qarkullojnë 91 mjete të blinduara, të pajisur me leje të posaçme nga drejtoritë vendore të policisë. Siç edhe pritet, numrin më të madh te lejeve të drejtimit, për mjetet e blinduara e ka Tirana, me 47 automjete, e ndjekur më pas nga Shkodra, Fieri dhe Vlora. Pikërisht në këto qytete është i përqëndruar dhe aktiviteti kryesor mes biznesit, politikës dhe krimit. Ndërkohë gjatë viteve nuk kanë munguar rastet kur edhe pse nuk kanë pasur leje të posaçme, një sërë mjetesh janë importuar nga jashtë, me qëllim garantimin e jetës së personazheve që kanë probleme me ligjin, por edhe konflikte të hapura.

Burimet nga Policia i thanë SHEKULLI-t, se në rastet kur konstatohen mjete të blinduara të pa pajisura me leje të posaçme nga drejtoritë vendore, drejtuesit e tyre gjobiten me masë administrative nga 100 deri në 200 mijë lekë, si dhe merren masa për konfiskimin e mjeteve.

PJESË NGA PYETJE PËRGJIGJET

SHEKULLI- Sa është numri i automjeteve të blinduara që janë lejuar të qarkullojnë aktualisht në Republikën e Shqipërisë?

Nga personat fizikë janë të regjistruara dhe të administruara gjithsej 91 automjete të blinduara.

SHEKULLI- Cila drejtori vendore e policisë ka numrin më të lartë të lejeve të dhëna dhe si paraqitet shpërndarja e tyre në territorin e vendit?

Shpërndarja e automjeteve të blinduara në përdorim nga persona fizikë, sipas juridiksioneve të drejtorive vendore të policisë, paraqitet si më poshtë:

DVP Tiranë: 47 automjete.

DVP Shkodër: 17 automjete.

DVP Fier: 10 automjete.

DVP Vlorë: 8 automjete.

DVP Durrës: 5 automjete.

DVP Elbasan: 3 automjete.

DVP Berat: 1 automjet.

Nga të dhënat e mësipërme rezulton se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mban numrin më të lartë të automjeteve të blinduara në përdorim nga persona fizikë.

Shekulli- Kush janë poseduesit e këtyre automjeteve?

Pronarë të këtyre automjeteve janë personat fizikë të pajisur me autorizim të posaçëm, në përputhje me kërkesat e Udhëzimit të Përbashkët të Ministrit të Brendshëm nr. 1362/2, datë 29.05.2006, dhe Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nr. 5495 prot., datë 31.05.2006 “Për karakteristikat konstruktive dhe funksionale të mjeteve të blinduara”.

Shekulli: Çfarë parashikon ligji në rastet kur një automjet i blinduar qarkullon pa autorizimin përkatës të lëshuar nga organi kompetent?

Bazuar në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998,“Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 92, pika 6/1, përcaktohet se çdo person që qarkullon me një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës të lëshuar nga organi kompetent, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga 100 000 deri në 200 000 lekë, si dhe me masën plotësuese të konfiskimit të automjetit. E njëjta masë zbatohet edhe ndaj zotëruesit të automjetit, në rast se ai ia beson drejtimin e tij një personi të paautorizuar.

Ndërkohë zyrtarisht me kalimin e viteve numri i mjeteve të blinduara, të pajisura me leje ka ardhur në rënie të lehtë, pasi në vitin 2020, policia raportonte se numri i tyre në qarkullim në Shqipëri ishte 118. Ndërkohë në jo pak raste, ka pasur operacione të bujshme për sekuestimin e mjeteve që qarkullojnë pa leje, veçanërisht në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, i zhvilluar rreth 6 vite më parë, me qëllim identifikimin e pasurive të paligjshme, të personazheve të lidhur me krimin. Asokohe OFL bllokoi 6 makina të blinduara në Durrës të cilat rezultonin në pronësi të Xhevdet Troplinit, Bledin Doçi, Ervis Doçit, Ilir Gjyzelit. Ndërsa sekuestroi gjithashtu dhe automjetet e blinduar të Dashamir Gjokës, Durim Bamit, Saimir Taullait, Landi Muharremit./INONEWS