Fri, Aug 21, 2026

Edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore”/ Presidenti Duka: Sezon i ri, më shumë konkurrencë, më shumë talente & ambicie për futbollin shqiptar

Edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore”/ Presidenti Duka: Sezon i ri, më shumë konkurrencë, më shumë talente & ambicie për futbollin shqiptar
  • PublishedAugust 21, 2026

Sot nis sezoni i ri i “Abissnet Superiore”, edicioni i 88-të në historinë e elitës së futbollit shqiptar. Sfida Vllaznia–Skënderbeu, që do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, do të çelë zyrtarisht një kampionat që vjen me ndryshime të rëndësishme, më shumë konkurrencë dhe ambicie të reja.

Në prag të startit të sezonit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përcjell mesazhin e tij për edicionin e ri, duke vënë theksin te zhvillimi i talenteve, rritja e konkurrueshmërisë së klubeve shqiptare, profesionalizmi dhe bashkëpunimi për të çuar futbollin shqiptar edhe më përpara.

Presidenti Duka uron të gjitha klubet, lojtarët, trajnerët, arbitrat dhe stafet për një sezon të suksesshëm, ndërsa tifozëve u uron një kampionat të bukur, emocionues dhe të paharrueshëm.

Mesazhi i Presidentit të FSHF, Armand Duka, në prag të edicionit të 88-të të “Abissnet Superiore 2026-2027”:

Sot nis edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore”, një tjetër kapitull në historinë e futbollit shqiptar dhe një sezon që vjen me ambicie të reja, ndryshime të rëndësishme dhe dëshirën për ta çuar edhe më përpara nivelin e garës.

Ky sezon do të jetë ndryshe. Formati i ri i kampionatit, me tri faza të rregullta dhe ndarjen më pas në play-off dhe play-out, synon të garantojë një garë më të fortë dhe më të hapur deri në fund. Lufta për titullin, objektivat europiane apo mbijetesa do të kërkojnë përkushtim maksimal nga çdo klub dhe do ta bëjnë çdo javë të kampionatit edhe më të rëndësishme.

Një nga prioritetet tona kryesore mbetet zhvillimi i futbollistëve të rinj shqiptarë. Rregulli i ri për aktivizimin e detyrueshëm të një lojtari të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare, është një mundësi konkrete për talentet tona që të fitojnë hapësirë, eksperiencë dhe besim në nivelin më të lartë të futbollit vendas. Investimi te të rinjtë është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit shqiptar.

E nisim këtë kampionat edhe në një moment pozitiv për klubet tona në arenën europiane. Egnatia ka siguruar tashmë një vend në fazën e ligës së UEFA Conference League dhe vijon të luftojë për një tjetër arritje të rëndësishme, atë të fazës së ligës së UEFA Europa League. Dinamo City, gjithashtu, është në play-off-in e UEFA Conference League dhe po lufton për një vend në fazën e ligës.

Këto rezultate tregojnë se klubet shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë eksperiencë dhe konkurrueshmëri në Europë. Ky progres duhet të na motivojë të gjithëve për të bërë më shumë.

FSHF do të vijojë të mbështesë klubet në rrugën e tyre të zhvillimit, duke i nxitur të investojnë në akademi, infrastrukturë, profesionalizëm dhe në krijimin e kushteve sa më të mira për futbollistët dhe stafet e tyre. Vetëm përmes një pune të përbashkët mund ta konsolidojmë progresin e arritur dhe ta çojmë futbollin shqiptar në një nivel edhe më të lartë.

Në të njëjtën kohë, duam që futbolli të jetë gjithmonë e më pranë njerëzve. Për këtë arsye, iniciativa “Klubi në Komunitet” do të vijojë edhe gjatë këtij sezoni, me synimin për të forcuar lidhjen mes klubeve, tifozëve, familjeve, fëmijëve dhe komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Një sezon i ri kërkon edhe përgjegjësi të reja. Uroj të gjitha klubet, lojtarët, trajnerët, arbitrat dhe stafet për një kampionat të suksesshëm, të karakterizuar nga konkurrenca e ndershme, respekti, profesionalizmi dhe Fair-Play. Çdo ndeshje është një mundësi për të treguar vlerat më të mira të sportit dhe për të kontribuar në imazhin e futbollit shqiptar.

Tifozëve dua t’u them se ju jeni dhe mbeteni një pjesë e pandashme e këtij spektakli. Stadiumet kanë nevojë për pasionin, zërin dhe mbështetjen tuaj. Le t’i mbushim ato me emocione dhe rivalitet sportiv, duke respektuar gjithmonë kundërshtarin dhe lojën.

Futbolli shqiptar po rritet dhe këtë rritje duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku. Edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore” është një tjetër hap në këtë rrugëtim, me më shumë konkurrencë, më shumë hapësira për talentet dhe ambicie gjithnjë e më të mëdha.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, uroj të gjitha skuadrat për një sezon të suksesshëm dhe të gjithë tifozët për një kampionat të bukur, emocionues dhe të paharrueshëm.

Le të nisë edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore”!