Viti 2001, Mariah Carey në Ferizaj
Ylli i muzikës botërore, Mariah Carey, kishte vizituar Kosovën në dhjetor të vitit 2001, kur performoi për ushtarët amerikanë të dislokuar në “Camp Bondsteel” në Ferizaj.
Sot, 25 vjet më vonë, kujtimi i vizitës së saj në Kosovë mbetet një nga momentet e veçanta të turneve të saj për trupat amerikane, transmeton Zeri.info.
Mariah Carey ishte në Kosovë më 4 dhjetor 2001, si pjesë e një turneu të organizuar nga USO America. Ajo vizitoi tri baza amerikane në Kosovë dhe performoi për trupat paqeruajtëse amerikane, me qëllim ngritjen e moralit të ushtarëve gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Një nga ndalesat e saj ishte kampi “Bondsteel” në Ferizaj.
Gjatë koncertit, Carey interpretoi disa prej këngëve të saj, duke përfshirë “Loverboy”, “Never Too Far/Hero” dhe “My All”, ndërsa për atmosferën e Krishtlindjeve këndoi edhe “Santa Claus Is Comin’ to Toën” dhe hitin e saj tashmë ikonik “All I Want for Christmas Is You”.
Këngëtarja mbërriti në bazat amerikane me helikopter dhe u prit me entuziazëm të madh nga ushtarët. Ajo pozoi për fotografi, firmosi albume dhe zhvilloi një koncert për trupat.
Në atë kohë, Carey e përshkroi vizitën si një përvojë krejtësisht të veçantë për të.
“Ka qenë shumë ndryshe nga çdo gjë që kam përjetuar më parë dhe është diçka që nuk do ta harroj kurrë”, kishte thënë ajo pas vizitës.
Vizita e saj në Kosovë ndodhi vetëm disa muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Në atë periudhë, Carey ishte ndër artistët që vazhduan të vizitonin trupat amerikane jashtë vendit për t’u dhënë atyre mbështetje dhe për të ngritur moralin.
Fotografitë e asaj kohe, të shpërndara nga agjenci ndërkombëtare, e dokumentojnë Careyn në “Camp Bondsteel”, duke takuar dhe përshëndetur ushtarët amerikanë.
Një nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop kishte zgjedhur kështu Kosovën si një nga ndalesat e saj në një periudhë të rëndësishme për praninë amerikane në vend. /Zëri
