Shenjtores që iu kthye trupi
Në Shqipëri, Nënë Tereza është kudo dhe askund. Emri i saj qëndron mbi aeroport, mbi shesh, mbi spital: një emër që bota e njeh dhe shteti e var si medalje. Por këtu e kemi për gjak, jo për vepër. Dita e shenjtërimit të saj, 5 shtatori, është edhe festë zyrtare. Këtë vit ra e shtunë dhe na fali një të hënë pushimi. Tri ditë fundjavë: sa veta kujtuan pse, e sa bënë një lutje apo një vepër bamirësie?
Shumë prej nesh nuk e njohin historinë e saj. As unë nuk e dija se ajo luftoi vite me radhë për të hapur urdhrin e vet, duke shkruar letër pas letre derisa më në fund Vatikani iu përgjigj. Nuk e dija se zgjodhi sarin e bardhë me vija blu, rrobën e grave më të varfra të Kalkutës. Nuk e dija se shkoi drejt e te të sëmurët në rrugë dhe se mblodhi vetë donatorë e mbrojtës nga e gjithë bota, me një pavarësi që Kisha rrallë ua njihte grave. Jetën e saj e dha në Kalkutë, jo në Shqipëri.
Në një vend si ky i yni, ku njerëzit i falen vetëm pushtetit, Tereza është harruar ashtu si harrohen gratë: e nderuar në pllaka, e munguar në jetë. Bota e njeh për mëshirën. Por urdhri i saj u ngrit mbi diçka të rrallë në shoqërinë shqiptare: solidaritetin.
Kur ishte gjallë, ky vend nuk e la as të hynte. Nëna e saj, Drane, vdiq në Tiranë në verën e vitit 1972, duke pritur një leje që nuk erdhi kurrë. Kur Tereza erdhi më në fund, më 1989, e çuan së pari te varri i diktatorit, e vetëm pastaj te varri i nënës.
Këtë shtator, regjisorja dhe shkrimtarja Teona Strugar Mitevska e solli Terezën në Tiranë jo si ikonë, por si grua. Filmi i saj Mother (2025), që pati premierën botërore në Festivalin e Venecias, çeli më 21 shtator edicionin e 24-t të Tirana International Film Festival në Kinemanë Millennium, duke marrë Çmimin e Nderit të festivalit në hapje dhe Çmimin e Publikut në mbyllje. Historia e jashtëzakonshme e një gruaje nga Shkupi, e rrëfyer nga një grua tjetër e jashtëzakonshme nga Shkupi.
Tereza arriti diçka tepër të vështirë për një grua brenda Kishës Katolike të asaj kohe: të themelonte një urdhër të ri. Mitevska thotë se e admiron pa masë. Nga skena e Millennium-it, e quajti “një grua shqiptare nga qyteti im, nga Shkupi, një grua që e admiroj pafundësisht: e fuqishme dhe rebele”. Por ka një gjë që nuk e pranon dot: qëndrimin shumë të ashpër të Terezës ndaj abortit.
“Edhe pse e admiroj si njeri, për trashëgiminë e saj, për atë që bëri, nuk gjeja dot paqe me qëndrimin e saj për abortin,” më tha. “Sado ta shohësh në kontekstin e kohës, ishte murgeshë, pjesë e institucionit katolik, e gjithë kjo nuk më mjaftonte për ta pranuar, për ta ndjerë timen.” Ndaj vendosi ta kuptojë jo përmes doktrinës dhe rregullave të Kishës, por si grua: me duar që gatuajnë bukë, me zemërim, me xhelozi, me forcë. Dhe mbi të gjitha, me një trup gruaje që nuk mund të injorohet: një trup i krijuar për të kryer mrekullinë e jetës, por edhe me të drejtën morale për ta refuzuar.
Unë nuk e dija që filmi ishte për Nënë Terezën. E mora vesh pak minuta para se të fikeshin dritat. Filmi rrëfen shtatë ditët e fundit të saj në kuvendin e Loretos në Kalkutë, para se të vinte përgjigja që do ta shndërronte në ikonë. “Më interesonte nevoja e saj për të lënë rehatinë,” më tha Mitevska. “Në Loreto kishin kopshte, kishin gjithçka, nuk vuanin fare për bukë, ndërsa jashtë…”
Jashtë ishte një qytet i plagosur. Kalkuta, kryeqyteti i dikurshëm i Indisë britanike, ishte “qyteti më i bukur, Londra e dytë”, siç e përshkruan Mitevska, një qytet i ruajtur, ku jo kushdo mund të hynte. Por befas vijnë të gjithë fshatarët, që sipas rregullave nuk kishin as të drejtë të hynin.
Ata vinin nga uria e Bengalit e vitit 1943, që sipas shumicës së studiuesve, vrau rreth dy milionë njerëz. Më shumë se natyra, e shkaktuan politikat britanike të kohës së luftës: orizi iu la ushtrisë dhe punëtorëve të luftës, ndërsa Londra refuzoi shumicën e kërkesave për drithë. Më 1946, në atë që njihet si “Vrasjet e Mëdha të Kalkutës”, mijëra njerëz u vranë në rrugë brenda pak ditësh, në përplasjet mes hindu-ve dhe myslimanëve. Një vit më vonë, britanikët u larguan duke e ndarë Indinë, e bashkë me të edhe Bengalin, dhe Kalkuta u mbush me refugjatë.
Murgesha shqiptare, sipas Mitevskës, ishte një grua-gjeneral: e përpiktë, e pandalshme, komandante e një ushtrie grash. Idenë e kësaj ushtrie, Mitevska e mori vite më parë, kur xhiroi një dokumentar mes motrave të Misionareve të Bamirësisë.
“Janë një ushtri, por një ushtri tjetër lloj,” më tha. “Qeshin gjithë kohën, mburren, bëjnë thashetheme. Të duket si një fshat shqiptar apo maqedonas.”
Një murgeshë e ardhur nga Filipinet i tregoi këmbët dhe i tha: “Nuk më pëlqen të rruhem, e këtu nuk jam e detyruar. Nuk dua burrë, nuk dua të martohem.”
Për Mitevskën, kjo ishte një grua “që erdhi nga një mjedis shumë i shtrënguar dhe gjeti lirinë brenda një mjedisi tjetër po aq të shtrënguar, Kishës Katolike”. Liri nga të qenët gruaja e një burri, prej shoqërive që i detyrojnë gratë t’u përkasin burrave, si kjo e jona, sot e dikur.
Nuk ka ndonjë shpjegim logjik pse Nënë Tereza duhet rrëfyer me kamerë dhe kolonë zanore punk. Shpjegimi i vetëm është ai i Mitevskës: donin “lirinë punk, si fëmijët, lirinë për të mos pyetur për asgjë”. Dhe filmi hyn si tank. Hapet me akorde kitare elektrike që shpërthejnë si alarm. Kamera nuk rri kurrë e qetë: dridhet, rebelohet, e pastaj ngrihet pingul mbi skenë, në bird’s eye view, dhe ne e shohim gjithçka nga lart, sikur të ishim ngjitur në një cep të tavanit, shpesh me një shpejtësi marramendëse. Në një skenë, Tereza vallëzon me “Hard Rock Hallelujah” të Lordi-t, grupit finlandez të metalit që fitoi Eurovizionin më 2006, të maskuar si përbindësha. Hallelujah, me kitarë elektrike. Është një bombardim zanor dhe pamor, që m’i lodhi sytë aq sa më duhej t’i fërkoja shpesh. Ndoshta një sy më i ri e duron më lehtë, madje e shijon si lojë. Sytë kanë afat skadence. Perspektiva jo.
Por ku qëndron drama brenda filmit? Te Nënë Tereza dhe alter egoja e saj. Këtë më tha Mitevska, në një nga kafenetë e Piramidës. Tirana ishte në valën e protestave pas skandalit të fundit qeveritar. Një mbrëmje më parë ishte paralajmëruar protestë, dhe në mëngjes policia kishte rrethuar gjithë perimetrin rreth Kuvendit. Ndërsa Millennium-i ishte mbyllur dhe festivali ishte degdisur i tëri te Piramida, ne flisnim për një film mbi një grua që largohet nga kuvendi, teksa Kuvendi ishte i rrethuar.
Tereza është gjenerali, Agnieszka është zemra. “Absolutisht,” më tha Mitevska kur e pyeta nëse janë e njëjta grua. “Nëna është stoike, e ashpër, e padepërtueshme. Agnieszka është emocion i pastër.”
Tereza duhej të ishte e organizuar, e llogaritur, për të bërë gjithçka që kishte për të bërë, ndaj emocionin ia la tjetrës. Por Mitevska kërkoi të çarat edhe te gjenerali. Ajo thotë se gjetja e momenteve të brishtësisë mes skenave ishte gjëja më e vështirë për të dhe Noomi Rapace, aktoren protagoniste që luan rolin e Terezës.
“Në fillim nuk e ndien dot: është kaq e ashpër, është gjeneral, është e pamundur. Dhe e tillë ishte.” Pastaj shtoi diçka për veten: “Kur fillova të bëja filma, mendoja se që të më merrnin seriozisht në botën shumë mashkullore të kinemasë, duhej të isha pikërisht e tillë. M’u desh kohë të kuptoja se mund të jem femërore dhe e fortë njëkohësisht.”
Edhe trupi i gjeneralit flet. “Vuajtja, për ta thënë thjesht, të afron me Zotin,” më tha Mitevska. “Dhe kur ajo kujdeset për atë burrë të sëmurë, ka pothuajse kënaqësi në atë që ndien.”
Agnieszka, përkundrazi, nuk e ka këtë forcë mohimi. Ajo e lejon veten të ndiejë, e ndarë mes betimit që ka bërë dhe dëshirës që s’e shuan dot, dhe e paguan shtrenjtë. Bie në dashuri, mbetet shtatzënë, dhe burri që dashuron vritet në dhunën ndëretnike të Kalkutës.
“Thjesht ra në dashuri,” më tha Mitevska. “Është e thjeshtë. U ndodh edhe më të këqijve prej nesh!” (Qesh) Agnieszka është e trilluar, por ajo është mishi dramatik i filmit. Pse i duhej Mitevskës ky personazh? “Kur lexon ditarin e saj personal, Tereza flet për amësinë, për dëshirën, për kaq shumë anë të qenies së saj,” shpjegoi. “Ishte një grua shumë e mprehtë: mënyra si i kuptonte dëshirat e thella, frikërat e thella, kotësinë e saj.”
Agnieszka është propozimi i Mitevskës për atë dëshirë: Shoqja e saj më e dashur, aq intime… sa mund të ishin edhe të dashura, mbetet shtatzënë dhe bën atë që ndoshta Tereza gjithmonë kishte dashur ta bënte, por hoqi dorë në emër të shërbimit. Prej këtu lind pyetja që përshkon gjithë filmin: “Nënë e një fëmije, apo nënë e të gjithëve?”
Historia është e mbushur me nëna kontradiktore: gra që u bënë nëna për mijëra të tjerë, por që nuk mundën të rritnin fëmijët e tyre.
Maria Montessori, mjekja italiane që shpiku një mënyrë të re për edukimin e fëmijëve, e përdorur ende sot në shkollat e të gjithë botës, lindi një djalë jashtë martese. Në Italinë e asaj kohe, kjo do t’i kishte shkatërruar emrin, ndaj djali u dërgua të rritej te një familje në fshat. Ajo e ndiqte nga larg dhe e mori pranë vetëm kur ai ishte bërë adoleshent.
Astrid Lindgren, shkrimtarja suedeze që u dha fëmijëve të botës Pipi Çorapegjatën, vajzën më të fortë në botë, që jeton e lirë, pa nënë e pa baba, mbeti shtatzënë në moshën tetëmbëdhjetë vjeç nga një burrë shumë më i madh e i martuar. Ajo shkoi të lindte në Kopenhagë, larg syve të botës, sepse atje nuk ishte e detyruar ta tregonte emrin e babait. Djali i saj i kaloi tri vitet e para te një familje kujdestare daneze, derisa e ëma mundi ta merrte me vete.
Winnie Madikizela-Mandela, që Afrika e Jugut e quajti “Nëna e Kombit”, u burgos dhe u internua nga regjimi i aparteidit. Vajzat e saj u rritën kryesisht nëpër konvikte, larg saj.
Aung San Suu Kyi, që populli i Birmanisë e thërriste “Nëna Suu”, zgjodhi të mos largohej nga vendi i saj, edhe pse kjo do të thoshte arrest shtëpie për gati pesëmbëdhjetë vjet. Dy djemtë e saj u rritën në Angli, dhe burri i saj vdiq pa e parë më.
Janë gra që bota i quajti nëna të të gjithëve, por që nuk u lejuan të ishin nëna për fëmijët e tyre. Tereza zgjodhi të mos bëhej nënë. Por ajo u pengua edhe të ishte bijë: nënën e saj nuk arriti ta shihte më kurrë.
Çfarë është një nënë? Një gjë është e sigurt: një nënë, qoftë e të gjithëve, qoftë vetëm e fëmijëve të saj, duhet të jetë luftëtare. Edhe Mitevska lufton.
“Një ditë më parë, një burrë i zemëruar më tha: ‘Ajo nuk ishte feministe,’” më tregoi. “Dhe unë i thashë: ‘E di çfarë? Unë e pretendoj si feministe.”
Nuk ka qenë gjithmonë kaq e sigurt. “Më parë kisha frikë, për shkak të abortit. Por sa më shumë flas për këtë, sa më shumë diskutoj me burra të zemëruar që më shpjegojnë se çfarë mendoj unë në të vërtetë, aq më shumë bindem se ne, gratë e sotme, duhet ta pretendojmë si feministe dhe ta pranojmë me gjithë kompleksitetin e saj. Na është dashur të durojmë shumë, t’u themi po shumë rregullave që nuk na përshtateshin, vetëm për të mbijetuar.”
Burrat e kanë më të thjeshtë. Edhe Tereza e “Mother” flet me bindje, nga këndvështrimi i saj, për sa e lehtë është për burrat të jetojnë jo vetëm në një shoqëri të ndërtuar posaçërisht për ta, por edhe në një fe të krijuar posaçërisht për ta, ku privilegji i lirisë së tyre pothuajse nuk njeh kufi.
Mitevska megjithatë na sjell një përjashtim. Ati Friedrich, personazhi kryesor mashkull i filmit, nuk është as tiran, as karikaturë. Ai është i bazuar te një njeri i vërtetë: jezuiti belg Celeste Van Exem, udhëheqësi shpirtëror i Terezës në Kalkutë. Në shtator 1946, në trenin për në Darjeeling, ku po shkonte për tërheqjen vjetore shpirtërore, Tereza dëgjoi atë që do ta quante “thirrje brenda thirrjes”. Kur u kthye, Van Exem ishte i pari të cilit ia rrëfeu.
Në janar 1947 eprorët e transferuan larg Kalkutës, në Asansol. Pas katër muajsh, Van Exem u bind se thirrja e saj ishte e vërtetë dhe e nxiti t’i shkruante kryepeshkopit për leje. Me këshillën e tij, para se t’u shkonte të varfërve në rrugë, Tereza ndoqi disa muaj një kurs mjekësor te Motrat Misionare Mjekësore Amerikane në Patna. Van Exem shkroi vetë edhe kushtetutën e urdhrit të ri, të cilën kryepeshkopi e çoi në Romë më 1950. Tereza mbajti letërkëmbim me të deri në vdekjen e tij, më 1993, duke i rrëfyer edhe errësirën e saj shpirtërore, vitet kur ndihej e braktisur nga Zoti.
“Ishte shumë mbështetës ndaj ambicies së saj. Ishte vërtet mbështetja e saj më e madhe,” më tha Mitevska.
Në film, Ati Friedrich është i butë, i qetë, gjithmonë i afrueshëm. Ai është i vetmi që e ndan fenë si ideologji nga njeriu, dhe i vetmi mes të dyve, që e mbështet Agnieszkën kur ajo vendos të abortojë. Me një sinqeritet që tingëllon si ironi, Friedrich i thotë Terezës se Kisha nuk kërkon të ndëshkojë fëmijët, që i predikon si fryt të mëkatit. Kisha kërkon të ndëshkojë gratë. Në vetminë e kuvendit, Tereza gjen te ky prift një mik, të vetmin me të cilin mund të flasë si e barabartë. Në Kishë, priftin e thërrasin Atë. Te Mitevska, Friedrich është Vëllai: jo ai që urdhëron nga lart, por ai që të qëndron pranë.
E pyeta Mitevskën pse ia kishte vënë pikërisht një prifti në gojë fjalët më feministe të filmit. “Sepse nuk besoj se feminizmi është vetëm për gratë,” m’u përgjigj. “Feminizmi është barazi për të gjithë, u përket të gjithëve. Dhe është e habitshme se si brenda fesë katolike burrat mund të mendojnë me shumë më tepër liri se gratë. Ne jemi ndonjëherë armiqtë tanë më të mëdhenj, por jo për fajin tonë. Janë kushtet që janë krijuar për ne.”
