Tue, Oct 20, 2026

‘Lufta në Ukrainë, depresioni dhe dhimbja e ndarjes’, çifti i famshëm i tenisit i jep fund martesës

‘Lufta në Ukrainë, depresioni dhe dhimbja e ndarjes’, çifti i famshëm i tenisit i jep fund martesës
  • PublishedOctober 20, 2026


Një nga çiftet më të njohura të sportit botëror, Elina Svitolina dhe Gaël Monfils, kanë njoftuar fundin e martesës së tyre. Tenistja ukrainase e bëri të ditur lajmin përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, ku rrëfeu ndikimin e luftës në Ukrainë në gjendjen e saj emocionale dhe vështirësitë që kanë shoqëruar jetën e saj gjatë viteve të fundit.

Svitolina, ish-numri 3 në renditjen botërore të WTA-së, u martua me tenistin francez në vitin 2021. Çifti ka një vajzë së bashku, Skai.

Në mesazhin e saj, ukrainasja pranoi se lufta në vendlindje ka lënë pasoja të thella tek ajo, duke i shkaktuar net pa gjumë, dyshime dhe ndjesinë se po humbiste gradualisht veten.

“Ky është mesazhi më i vështirë që më është dashur të ndaj ndonjëherë. Të gjithë e dinë se sa shumë do të thotë Ukraina për mua. Ajo për të cilën kam folur rrallë është ajo që lufta ka bërë me mua nga brenda. Ajo që nuk keni parë janë netët pa gjumë, dyshimet dhe ndjesia se po humbisja ngadalë veten”, shkroi Svitolina.

Image

Tenistja vlerësoi mbështetjen e pakushtëzuar të Monfils, duke theksuar se ai i kishte qëndruar pranë edhe në momentet më të vështira. Megjithatë, sipas saj, beteja e brendshme që po përjetonte e çoi drejt një vendimi të dhimbshëm.

“Gaël i pa të gjitha. Ai nuk ma lëshoi kurrë dorën. Luftuam së bashku për një kohë të gjatë, me gjithçka që kishim. Por disa beteja zhvillohen brenda teje dhe dashuria e një personi tjetër nuk mund t’i fitojë ato në vendin tënd. Me kalimin e kohës, kuptova se duhet të gjej rrugën për t’u rikthyer tek vetja dhe se nuk mund ta bëj këtë brenda martesës sonë”, u shpreh ajo.

Svitolina theksoi se, pavarësisht ndarjes, vajza e tyre do të mbetet përparësia kryesore.

“Martesa jonë po përfundon, por familja jonë jo. Do të jemi gjithmonë prindërit e saj, krah për krah. Nuk ka askënd për të fajësuar, por vetëm dy njerëz që e kanë dashur shumë njëri-tjetrin dhe një histori që po ndryshon formë”, përfundoi tenistja, duke kërkuar privatësi gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Image