Plumba gome dhe ujë me presion edhe mbi gazetarët

Gazetari i Citizens.al, Lorin Kadiu po fotografonte një qytetar të plagosur nga ndërhyrja e policisë gjatë protestës së 28 Nëntorit, kur një fishek metalik i një bombule gazi e goditi atë në këmbë duke i shkaktuar gjakderdhje.
“Isha duke fotografuar një qytetar që po lëvizte me motor, qartazi jo pjesëmarrës në protestë, i cili u godit me fishek gazi në fytyrë nga pak metra distancë. Pak sekonda më pas u godita në këmbë nga fisheku metalik i bombulës që lëshohet me pushkë,” tha Kadiu për BIRN të shtunën.
Kadiu mbante një kokore me mbishkrimin Press dhe mjete identifikimi si gazetar në momentin e goditjes.
“Do ta quaja një lloj neutralizimi, kam pësuar një çarje, gjakderdhje dhe hematomë në këmbë që ma bën të pamundur të lëviz dhe të ushtroj profesionin,” shtoi ai.
Gazetarja Lindita Çela, drejtuese e medias Shteg.org, u godit gjithashtu me plumb gome ndërsa po filmonte me telefon celular gjatë protestës. Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Çela ka qenë e identifikuar qartësisht si gazetare.
Gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë me forcë protestuesit në bulevard, u dëmtuan edhe dy gazetarë të SyriTV, të cilët u goditën me ujë me presion nga mjetet e policisë ndërkohë që po kryenin detyrën e tyre.
Pamjet filmike tregojnë se si gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka targetohen nga rrjedha e ujit me presion, e cila i përplas disa metra më tej në trotuar. Të dy ata ishin të identifikuar si gazetarë dhe po ushtronin detyrën e tyre duke raportuar ngjarjen.
Përmes një statusi në Facebook, gazetari Elkier Bushkolaj e konsideroi sjelljen e policisë krejtësisht joproporcionale.
“Sasia e madhe e ujit na përplasi në trotuar, ku kolegu Ardian Muka mori dëmtime të rënda. Në momentin që po i jepnim ndihmën e parë pranë trotuarit, policia na hodhi një bombolë gazi lotsjellës pranë dhe u detyruam që, në kushte emergjence, ta tërhiqnim Ardian Mukën brenda ambienteve të kullave,” shkroi Bushkolaj, duke shtuar se gjendja e kolegut të tij ishte e rëndë.
Gazetarë të tjerë raportohet të kenë marrë dëmtime gjatë punës së tyre në mbulimin e protestës, mes të cilëve edhe një gazetare e huaj.
Incidentet u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënë thirrje Policisë së Shtetit që të garantonte menjëherë sigurinë e gazetarëve gjatë protestës.
“AGSH shpreh shqetësimin e thellë për incidentet e përsëritura ndaj punonjësve të medias gjatë mbulimit të protestave dhe i kujton Policisë së Shtetit se ka detyrimin të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të mos pengojë ushtrimin e profesionit të tyre,” tha Asociacioni përmes një deklarate.
Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi goditjet në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të medias.
“UGSH vëren se gjatë gjithë orëve të protestës gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë të identifikueshëm dhe të paisur me shenjat dalluese dhe për këtë arsye çdo pretendim për mosvënie re, apo mosidentifikim është i papranueshëm,” deklaroi UGSH, duke kërkuar një reagim të shpejtë ligjor nga Policia e Shtetit.
