Reziston De Laurentiis, refuzon ofertën e sheikëve për Osimhen, bosi i Napolit synon shifrën e “frikshme”

Arabia Saudite vijon të tundojë me miliona kesh lojtarët më të mirë në qarkullim, por jo të gjithë janë të gatshëm të braktisin futbollin e rëndësishëm. Së fundmi, është presidenti De Laurentiis që i ka thënë “Jo” një ofertë prej 130 milionë euro për Victor Osimhen. Bosi i Napolit jo vetëm që nuk ka ndërmend të lë të lirë nigerianin që të transferohet tek Al Hilal, por palët po shkojnë drejt një rinovimi të kontratës, pasi në sytë e tij Osimhen vlen shumë herë më shumë.

Sipas mediave italiane, sulmuesi më i mirë i Serie A pritet të firmos një kontratë të re me Napolin deri në 2027, ndërsa do të përfitojë deri në 7 milionë euro në sezon. Në fakt, sipas Il Mattino: De Laurentiis nuk ka ndryshuar shumë në lidhje me Osimhen, mbetet në pritje të një ofertë 200 milionëshe, vetëm me këtë shifër mund të futet në negociata me ndonjë klub.

De Laurentiis e njeh shumë lojtarin, potencialin e tij, vlerën në treg dhe interesimin e madh që ka për të. Numri një i klubit beson se nëse Mbappe largohet te Real Madrid këtë verë, PSG është gati të paguajë 200 milionë euro për sulmuesin e tij. Në çdo rast, De Laurentiis nuk e ka me nxitim, është i bindur se vlera e kartonit të Osimhen vetëm do të rritet.
()
