Thu, May 7, 2026

Një pikë larg ëndrrës! Sylvinho: Kemi dy finale, risia dhe mungesa e Çunit

Një pikë larg ëndrrës! Sylvinho: Kemi dy finale, risia dhe mungesa e Çunit
  • PublishedNovember 11, 2023

Dy ndeshje luftë për një pikë që na dërgon në “Euro2024”. Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e parë të këtij muaji në transfertën e Moldavisë më datë 17 nëntor, më sfidën që nis në ora 18:00, ndërsa më datë 20 nëntor Kombëtarja do të presë në stadiumin ‘Air Albania’ përfaqësuesen e Ishujve Faroe, për të përmbyllur kështu këtë edicion të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Ditën e sotme tekniku brazilian Sylvinho doli në një konferencë për mediat.

Braziliani theksoi se prurja e re, Muçolli ishte i nevojshëm për dy ndeshjet e radhës, ndërsa shtoi se Çuni penalizohet sepse në atë rol luan Cikalleshi dhe Daku, por alternativë janë edhe Seferi me Uzunin.

“Para së gjithash kemi dy finale të rëndësishme. Në të gjithë fushatën kemi 46 lojtarë, tani kemi thirrur 24 lojtarë. Muçolli vjen për herë të parë me mua si trajner. Mihaj pati një dëmtim dhe për fat të keq nuk mund të vinte, por në atë rol jemi të mbuluar.

Kemi Cikalleshin dhe Dakun në qendër, kemi Uzunin dhe Seferin si sulmues të dytë, por që mund të luajnë edhe në qendër. Çunin e pamë ndaj Bullgarisë, është shumë i mirë por ka të njëjtin rol me Cikalleshin dhe Dakun.

Na duhej një anësor, ndaj kemi thirrur Muçollin. Mendojmë se Muçolli është një lojtar që luan topin, është një lojtar teknik dhe mund ta menaxhojë mirë ndeshjen edhe në lidhje me kundërshtarët që kemi. Mund të luajë në të majtë dhe të djathtë, ishte i nevojshëm për këto dy ndeshje. Janë kundërshtarë që të lejojnë pak hapësira” tha ai.