SPECIALE/ Nga koha e Panuçit tek Europiani, rrëfehet Ivan Balliu: Në Shqipëri si mbret, çmenduri kur Guardiola më ftoi te Barça

Futbollin e nisi katër vjeç dhe aktualisht luan si mbrojtës i djathtë për Kombëtaren shqiptare.
Ivan Balliu vjen në një rrëfim të gjatë për karrierën e tij futbollistike që nga hapat e parë dhe deri te përfaqësimi me ngjyrat kuqezi. Ai flet me gazetarin Ivan Vargas për situatën te Shqipëria, Europianin e verës në Gjermani dhe eksperiencën që ka kaluar si me ekipin kombëtar, por edhe në klubet ku ka luajtur, si në Portugali, Francë dhe Spanjë, pa harruar vitet në La Masia.
Hapat e parë në futboll, si ishin?
Fillova të luaja futboll në moshën katër vjeçare. Gjithçka ka qenë përmes gjyshit, sepse prindërit e mi nuk e duan fare futbollin. Nëna ime, Marta, kishte një dyqan këpucësh në qytet dhe babai im, Salvadori, ishte një shofer taksie, kështu që ata duhej të punonin fundjavave. Gjyshi im, Salvadori, ishte ai që më shoqëronte çdo të shtunë që të luaja.
Plus, ai e donte futbollin. Në atë kohë, kur fillova me skuadrën e qytetit luaja si sulmues, ndaj imagjinoni gjithë ato raste që kam humbur ndër vite (qesh). Duke luajtur me moshën më të madhe sesa unë, një skaut nga Girona erdhi, më pa dhe më firmosa kur isha rreth 9 vjeç. Aty tashmë ndryshova pozicion në fushë dhe fillova të luaj në krah si anësor sepse isha shumë i shpejtë dhe në dy vitet e fundit që isha atje luaja edhe si mesfushor. Pasi kalova ato dy vite te Girona, firmosa me Barçën.
Pep Guardiola ju thirri në fazën përgatitore në vitin 2011 me ekipin e parë, si e kujtoni?
Çmenduri! Të jetosh në një dimension tjetër. Të kaloje nga ndarja e dhomës, në udhëtimin shtrirë gjatë fluturimit. Të jepnin rrobat që doje, si me mengë të gjata apo të shkurtra, treçerekshe etj, krejtësisht e pabesueshme. Isha i habitur nga gjithçka rreth meje dhe mbaj mend se, duke qenë se ato ishin dhoma individuale, vendosja pesëdhjetë alarme dhe mezi flija natën nga frika se mos më zinte gjumi dhe vonoja për mëngjes.
Rrugëtimi juaj në Francë përkon me një thirrje nga Shqipëria për të luajtur për Kombëtaren…
Është për të qeshur, sepse më parë kisha marrë gjithmonë shumë mesazhe në “X” në shqip dhe mendoja se ishin nga njerëz të hutuar. Epo, ndërsa isha në Metz, më kontaktuan nga Federata Shqiptare, e cila sapo kishte luajtur Europianin në Francë. Më thanë se mbiemri Balliu ishte super tipik në Shqipëri dhe se kisha të afërm atje. Që nga ai moment, filluam të kërkonim me ndihmën e tyre, gjetëm një fije për të tërhequr me një stërgjysh që emigroi, munda të merrja pasaportën dhe të debutoja me Kombëtaren. Mënyra se si po ju them, duket fare e thjeshtë, por e vërteta është se u desh shumë për ta bërë, por hapi i parë ishte i tillë: u takuam me presidentin e federatës në Paris, shkuam për të ngrënë dhe atje ai më prezantoi një projekt dhe më tha se ata donin që të kontribuoja në rritjen e ekipit kombëtar. Në fakt, pothuajse në çdo grumbullim dy-tre lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë më parë vijnë dhe praktikisht debutojnë. Personalisht, e pashë të luajturën për Shqipërinë si një mundësi të madhe. Ishte një mundësi që do të më sillte shumë dhe do të më shtonte shumë mua personalisht, pasi do të kisha mundësinë të luaja në një Botëror, një Kampionat Europian… Sapo erdhi opsioni, nuk e mendova.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
PANORAMASPORT.AL
