Euro U17/ Italia fiton ndaj Çekisë, 3 gola në “Niko Dovana”
Italia e nisi me fitore aventurën në Kampionatin Europian U-17 “Shqipëria 2025”, duke triumfuar ndaj Çekisë në ndeshjen e parë të saj në Grupin B.
Takimi u zhvillua mbrëmjen e sotme në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, ku axurrët fituan me rezultatin 2-1.
Ndeshja dhuroi spektakël, me italianët që kaluan në avantazh në minutën e 38-të, falë golit të shënuar nga Inacio. Vetëm katër minuta më vonë, Italia dyfishoi rezultatin me Antonio Arenën. Pjesa e parë u mbyll 2-0.
Në fraksionin e dytë, Çekia ngushtoi rezultatin në minutën e 53-të me golin e Matous Srb. Megjithatë, Italia administroi mirë avantazhin dhe ruajti fitoren deri në fund, duke e mbyllur sfidën me rezultatin 2-1.
Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Anglia dhe Belgjika, që zhvilluan mes tyre ndeshjen hapëse pasditen e kësaj të marte në stadiumin “Egnatia Arena” në Rrogozhinë, e cila përfundoi në barazim 1-1.
Italia kryeson Grupin B me 3 pikë.