Thu, May 22, 2025

Trajneri Shkëmbi, plan stërvitjeje për 1 korrik, por…

  • PublishedMay 21, 2025

Trajneri Shkëmbi, plan stërvitjeje për 1 korrik, por…

Bledi Shkëmbi ka planifikuar që të nisë punën më 1 korrik, me një grumbullim në Tiranë dhe juglindje. Ky plan mund të mbesë vetëm në letër, sepse te Tirana gjërat janë në ajër, pasi nuk është saktësuar asgjë. Pika e parë e diskutimeve në fund të muajit mbetet e ardhmja e Bledi Shkëmbit dhe drejtorit Agim Ibraimi.

Presidenti Refik Halili duhet të vendosë nëse do të mbajë korçarin apo jo në ekipin bardheblu. Shkëmbi ka edhe një vit kontratë, ndonëse mund të ndodhë që palët të ndajnë rrugët. Për t’u parë mbetet si do të zgjidhet kjo situatë te Tirana. Fakt është se Refik Halili brenda dy sezonesh ka ndryshuar 6 herë stolin, duke sjellë pesë emra të rinj.

Maji do të sqarojë edhe një situatë tjetër: atë të lojtarëve. Presidenti, drejtori dhe trajneri do të vlerësojnë se cilët futbollistë do të qëndrojnë dhe cilët do të largohen nga grupi aktual. Edhe pse presidenti Refik Halili ka deklaruar se do të mbajë gjithë grupin, gjasat janë që skuadra do të ndryshojë shumë në të ardhmen. Do të ketë largime pa kthim, si spastrime.

Për t’u parë janë edhe emrat që janë në tavolinën e bisedimeve. Të tjerë do të largohen prej klubit dhe janë ata futbollistët që do të shiten. Drejtuesit duan të mbajnë boshtin e skuadrës, ndërsa pjesës tjetër do t’i ofrohet një largim me marrëveshje apo zgjidhje alternative.


AlbaniaWeb.net