Themeluesit e arsimit të lartë dhe shkencës në Shqipëri
NGA PROF. MARENGLEN SPIRO
Shkolla jonë e lartë, formimi shkencor dhe kultivimi i talenteve, në të gjitha fushat e veprimtarisë, shkencë e inovacion, mjekësi e shëndet, inxhinieri e konstruksion, ekonomi e zhvillim, filozofi, drejtësi e ligj, shoqëri, zhvillim publik, art, talent e kulturë, bujqësi e ushqim, sporte e kulturë fizike, ka udhëhequr shkencërisht mendimin zhvillimor të vendit, duke treguar kurdoherë horizontet e pritshme dhe rrugët e mënyrat e përparimit nacional, pavarësisht nga kufizimet, vështirësitë e pengesat stagnative (ideologjike) të kohërave.
Ndaj, figura të shquara të themeluesve të tij, u shpalosën në Forumin e Dytë të vitit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave zhvilluar këto ditë, me tërë madhështinë e tyre, në kumtesat e pasardhësve të denjë të kësaj plejade personalitetesh të nderuar, anëtarë të Akademisë, referues, ish bashkëpunëtorë të rinj aso kohe dhe pasues të veprimtarisë së themeluesve të arsimit të lartë e shkencës në Shqipëri, por që janë sot edhe figura të rangut të parë në hierarkinë akademike të vendit, kërkues shkencorë me bashkëpunime të rëndësishme me kolegë në zë të huaj, të cilësuar lartësisht nga sistemet e klasifikimeve e akreditimeve më të njohura ndërkombëtare.
U prezantuan, me radhë, studiuesi i shquar i historisë Aleks Buda, ish Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave; korifeu i studimeve gjuhësore të shqipes Eqerem Çabej; specialisti i linguistikës klasike, drejtuesi i studimeve dialektologjike Mahir Domi; personalitetet shkencore Kolë PAPARISTO dhe Islam ZEKO, me njohuri të thella dhe organizatorë të formimit shkencor bashkëkohor në fushën e biologjisë; një nga themeluesit e Akademisë së Shkencave dhe të formimit të lartë në shkencën e Fizikës, Sotir Kuneshka; drejtuesi i ditur formimit juridik shkencor Luan OMARI dhe udhëheqësi i talentuar shkencor në të labirintet e së drejtës ndërkombëtare Arben PUTO; lektori elokuent, me mprehtësi mendimi e njohuri të thella në estetikë e art Alfred Uçi dhe analisti i mençur i problemeve filozofike të kohës Zija Xholi; mjeku pediatër kompetent e fisnik Selaudin Bekteshi; mjeku me një prezencë të pashoqe akademike dhe njohuri shkencore Fejzi Hoxha; personaliteti i shquar, pasqyrues i idealeve të Rilindjes Kombëtare, një nga themeluesit në zë të arsimit të lartë Aleksandër XHUVANI; historiani multidisiplinor Kristo Frashëri; ekonomistët e saktë e të talentuar Hekuran Mara, Aristotel Pano e Lefter Kriqi; intelektuali i palëkundur Petraq PILIKA që ka mbajtur shkencën e matematikës, në punime e mësimdhënie, në nivele të larta e dinjitoze; plejada e tërë e inxhinierëve studiues që kanë ndërtuar vendin, prezantuar zgjidhje teknike për struktura e pajisje të integruara bashkëkohore; kirurgu i shquar, mirëpërmendur e mirënjohur Petrit Gaçe; neurologu dinamik dhe përkrahës e mbështetës i mjekëve të rinj dhe studentëve-mjekë Bajram PREZA; artistët muzikantë të talentuar Alfred Paparisto e Tonin Harapi; arkeologët e heshtur në publik, por shumë të përkushtuar e të apasionuar pas gjetjeve të lashtësisë së shqiptarëve Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali e Frano Prendi; gjuhëtarët Shaban Demiraj e Androkli Kostallari që kanë strukturuar e disiplinuar parimet origjinale të gjuhës sonë shqipe, por kanë mësuar këdo, nëpërmjet formimit të pasuesve të denjë të tyre; sot njëqindekatër vjeçari Ismet Elezi, fillimet akademike të të cilit lidhen ngushtë me themelimin e arsimit të lartë në fushën e të drejtës penale; Teki Tartari, Mentor Përmeti e Hysen Laçej, specialist të gjenetikës së aplikuar që kanë ndikuar fuqishëm në formimin shkencor bashkëkohor në Universitetin Bujqësor; specialistët e shënuar të etnografisë shqiptare Qemal Haxhihasani, Rrok Zojzi e Andromaqi Gjergji si dhe, së fundi, artistët e shquar të artit pamor Vilson Kilica e Mumntas Dhrami.
Pjesa më e madhe e referimeve u realizua nën kujdesin e anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave: një nga studiuesit më në zë të Historisë së shqiptarëve, Akademiku Prof. P.Xhufi, autoriteti shkencor i studimeve gjuhësore të mirënjohura Prof. E.Lafe, personaliteti me kulturë të spikatur shkencore në fushën e biologjisë, ish Ministri Prof. E.Ruka, biofizikani Prof. M.Spiro, juristi i përmendur i të drejtës ndërkombëtare Prof. K.Krisafi, sociologu i mirënjohur Prof. F.Tarifa, mjeku personalitet akademik e shkencor Prof. M.Barbullushi, specialisti i teknologjive të informacionit dhe komunikimit Prof. A.Xhuvani, diplomati i nivelit të lartë dhe historian i historisë shqiptare kontemporane Prof. P.milo, lektori i teorive të reja ekonomike publike në universitete, brenda e jashtë vendit Prof. Sh.Bundo, matematikanët inteligjentë, me eksperiencë e përkushtim Prof. Ll.Puka e Prof. M.Naqo, inxhinierja e mirënjohur në vend, deputetja Prof. L.Bozo, mjeku me aftësi të veçanta në kardiokirurgji Prof. A.Baboçi, kompozitori ynë dhe dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, arkeologu drejtues i sotëm kompetent i kërkimeve kryesore arkeologjike në vend Akademiku Prof. G.Hoxha, pasuesi i titullarëve të linguistikës moderne shqiptare Prof. R.Memushaj dhe specialisti i përkushtuar i shkencave bujqësore Prof. E.Roço.
Një sërë intelektualësh të dëgjuar në vend, njohës të fushave përkatëse, u angazhuan, gjithashtu, në referime për këtë plejadë profesorësh e akademikësh: doktoresha e pediatrisë, ish Ministre Prof. A.Godo, doktoresha figurë akademike e shkencore e neurologjisë Prof. J.Kruja, përfaqësuesi i shkencës sonë juridike penale brenda e jashtë vendit Prof. A.Shegani, linguistët e përmendur, studiues të mirëfilltë të veçantive të gjuhës shqipe Prof. Gj.Shkurtaj e Prof. E.Hysa, profesoresha e nderuar e etnografisë shqiptare Prof. A.Onuzi, Përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, me cilësinë e profesorit të Historisë së Artit dhe Historisë së Fotografisë E.Hoxha.
Në zhvillimet e sotme akademike e shkencore në vend, puna dhe përkushtimi i themeluesve të arsimit të lartë e shkencës është bërë një mbështetje e fortë për ecjen më tej, në fuqizimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe mësimdhënies universitare, nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare ndëruniversitare dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta të kërkimit dhe formimeve duale, me njohjet reciproke të formimeve akademike. Universitetet tona dhe Akademia e Shkencave ndodhen në një fazë sa të rëndësishme aq edhe delikate të krijimit të njësive të qëndrueshme kërkimore dhe daljes në arenën europiane e ndërkombëtare me dinjitet të këtyre strukturave të formimit të lartë dhe shkencës, duke vijuar, kështu, në vullnetit e themeluesve të arsimit të lartë e shkencës në vendin tonë.
Angazhimi dhe përkushtimi i këtyre personaliteteve që hodhën themelet e formimit universitar dhe të kërkimeve shkencore në vend, është një shembull i madh veprimtarie intelektuale në sferat e formimit universitar dhe kërkimit, për të ecur drejt zhvillimeve europiane bashkëkohore në këto fusha, siç po zhvillohen përpjekjet sot në vendin tonë, nga universitetet e vendit dhe Akademia e Shkencave.
Autori, Sekretar Shkencor i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
/Gazeta Panorama