Thu, Jun 19, 2025

“Flokët vetëm të qethura, ndalohen minifundet dhe pantallonat ekstravagante”, vendimi i qeverisë më 1970! Tendencat për modernizmin e jetën sociale

  • PublishedJune 19, 2025

“Flokët vetëm të qethura, ndalohen minifundet dhe pantallonat ekstravagante”, vendimi i qeverisë më 1970! Tendencat për modernizmin e jetën sociale

UVIL ZAJMI
PJESA E PARE

Çfarë përfaqësojnë vitet 70-të, dhe pse kujtohen e janë të famshme? Nga fakti se një botë, një Europë, projektojnë një ndryshim të madh e me të ardhme, me bazë zhvillimin ekonomik, situatën sociale, në art, modë, në marrëdhëniet politike, që do të kompletohet në dhjetëvjeçarin vijues. Starti është dhënë në dekadën 1960-70: Juri Gagarin astronauti rus, del i pari në hapësirën kozmike; Krushovi shkon në Amerikë, ndërsa në Vietnam shpërthen lufta; në Olimpiadën e Meksikës 1968, atletë amerikanë Tomi Smith e Xhon Karlos, ngrenë grushtin lart, ndërsa aktori Stive Rives, kthehet në mani me trupin bukur. Astronautët, Armstrong, Kollins dhe Olldrin ulen në Hënë me Apolo 11-të. Janë vitet e muzikës Pop&Rock, gjatë të cilave shpërthejnë, por edhe do të ndahen Beatles; Tom Xhons, Elvis Presli, I Credens, Rolingstons, Abba, Bob Dylan, Xho Koker, Rod Stwart, Diana Ross, Deep Parple, Bee Gees, Elton John, Led Zeppelin, Pink Flloyd, Shocking Blue, Eagles me “Hotel California” dominojnë spektrin muzikor botëror. Fillojnë fluturimet e Boing 747; në Lindjen e Mesme plas lufta, ngrihet çmimi i naftës, duke provokuar një krizë energjike botërore. Në Kili bie qeveria Allende, ndërsa në SHBA, dorëhiqet presidenti Nikson. Karol Vojtila i pari Papë, jo italian, pas 455 vitesh, që do të njihet me emrin Xhiovani Paolo II. Në Mbretërinë e Bashkuar, Margaret Tacer, do të zgjidhet K/Ministre. Ai dhjetëvjeçar është i lidhur me lindjen e kompjuterit, kur më 1971, Intel, projekton modelin 4004, të parin mikroprocesor në histori, të ideuar nga Federiko Fagin. Bëhen popullore videolojrat, kalkolatricet elekrtronike. Philips e Sony shpikin kompakt diskun, “Walkman”. Vitet ‘70 janë edhe të telefonit, kur Martin Cooper, drejtor në seksionin e Kërkimeve të Motorola-s, SHBA, shpik atë celeluar dhe në 1973, realizon bisedën e parë, por që celularët do të futen në përdorim pas 10-vitesh, me një model që kushton 4.000 dollarë. Hollivudi, maja e kinemasë prodhon “kolosalët” e kohës me një rekord fitimesh: 1972, “Padrino” me Marlon Brando, “Peshkaqeni”, me Star Wars, ato me John Travoltën, Rocky me Stalonen, etj. Fillim vitet 70-të kanë një ngjarje jo të zakontë në rrafshin politik botëror: Sekretari i Shtetit amerikan, Henri Kizinger, viziton Kinën, pritet nga Mao Ce Duni dhe Çu En Lai. Pas tij edhe Nikson do të zbresë në Pekin. Stili i pantallonave, ato kauboj, kthehen në modë, pasion. Ndonëse, minifundet e stilistes britanike Mary Quant do lindin në vitin 1963, por ato do të regjistrojnë një bum të vërtetë më 1973. Bashkë me çizmet ose këpucët më taka. Po kështu këpucët e burrave me gomë dopio, apo me majë, tipike të personazheve të filmave Western.

PO NË SHQIPËRI

Edhe Shqipëria ka pasur, ka përjetuar vitet ’70-të të saj, ato të shpresës së madhe për liberalizëm, hapje, afrim me Perëndimin, të cilat dominohen nga një intensitet, dëshirë dhe pasion, për gjithçka ndryshe. Ndonëse kanë qenë pak, një periudhë e shkurtër e kufizuar nga 1968 deri më 1972, janë vitet kur ka tendencë për një modernizëm në jetën sociale të shqiptarëve, në familje, art, sport, modë, argëtim, shoqëruar me një klimë euforike. Kërkohet dhe pëlqehet tjetër mentalitet, kudo e për çdo gjë. Për të lënë pas, braktisur e për t’u ndarë me sistemin socialist, për t’u integruar në Europë, Botë. Për më shumë tolerancë, liri, në sjellje, veshje, mendim, qëndrim, interpretim, me një strategji, politikë të re.

SITUATA POLITIKE

Situata politike 1960-70, në Shqipëri ka ulje ngjitje në vend dhe jashtë saj. Nga miqësitë me jugosllavët, rusët, prishja, ndarja me to, që do të rëndojnë atmosferën politike, ekonomike, sociale. Një dekadë ku do të lindë një raport të ri politik, “Miqësia e pathyeshme”, shoqëruar me Revolucioni Kinez, ndikimet e tij, në art, sport, kulturë, veshje, filma, spektakle. Më 1967, shpërthen lufta ndaj fesë, prishen kisha e xhami, me pasoja të mëdha. Më 1968, pranverë, tanket ruse do të pushtojnë Çekosllovakinë, pas të cilës situata në Europë do të ndryshojë totalisht. Pas invadimit, dalja nga Traktati i Varshavës, në Shqipëri ka tension, tashmë e kthyer në një kantier, që do të bunkerizohet, me strehime nëntokësore për çdo lagje, zonë, në qytet, fshat. Gjithçka me punë vullnetare, me aksione, deri tarracat e pallateve, në gatishmëri nga një sulm ajror. Alarmet shoqërojnë plot ankth jetën ditore të popullsisë, studentëve, nxënësve. I gjithë territori, një popull vigjilent, ku “jetojmë, punojmë, vigjilojmë e mbrojmë”. Fund vitet 60-70 janë të lidhua gjithashtu me disa ngjarje: Për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Fier, humb jetën vajza 17- vjecare, Shkurte Pal Vata nga Dukagjini, që solidarizon gjithë vendin. Në mbrojtje të Digës në portin e Durrësit, ndahet nga jeta Adem Reka, pas të cilit shpërthen një fushatë sensibilizimi. Fuat Çela, i verbëri shtang Enver Hoxhën, i cili e pret në zyrën e tij. Po kështu nga Alo Qose, kooperativisti që punonte për 5-vjeçarët e ardhshëm, te mësuesi Ismet Sali Brucaj, dhe dalja që qarkullim e veprës së parë të Enver Hoxhës.

PA AUTOMJETE PRIVATE

Fundvitet ‘60 regjistrojnë një Shqipëri, dhe Tiranën pa automjete private. Nuk ka më vetura, të fundit e të pakët në numër iu lanë mjekëve të njohur. Vetëm një polic në qendër, nuk ka semaforë, taksitë te Teatri i Kukullave, pajtonët, si të vetmet mjete lëvizëse në kryeqytet. Si dhe linjat e autobuzëve “Viberti”, Kombinat, Kinostudio, Laprakë, bashkë me trenin dhe stacionin e vjetër të tij. Funksionojnë edhe linjat interurbane, me agjencinë e udhëtarëve pranë sahatit të madh. Kanë mbetur, funksionojnë, gjithashtu, dyqani i valutës, Xingoni, dhe ai me komision, ku mund të blije diçka ndryshe. Ma-Po, si kompleksi i madh që ka gjithçka e për të gjithë. Dyqanet e diplomatëve, dhe ai i Bllokut të udhëheqjes, shërbenin vetëm për familjet e autorizuara. Ka nisur ndarja me rusishten, dhe anglishtja është gjuha e preferuar në sistemin shkollor. Vitet 70-të do nisin me bunkerët, rifuxhiot e mbetura, por, pa funksionuar, pasi armiku imagjinar nuk duket, shfaqet askund.

“BRODUEI” KRYEQYTETAS

Janë rikthyer nga studimet thuajse të gjithë studentët që vazhdonin shkollimin në shtetet e kampit lindor, aleate me Bashkimin Sovjetik, që reflektohet me një fluks të ri në sjellje, mendim, qëndrim, argëtim. Tirana është qyteti që jep sinjalin e një shprese, edhe me rininë, përfshirë artistë, sportistë. Dalja në Broduein e njohu, në atë segment 1500 metra rrugë në hyrje-dalje të Rrugës së Dibrës, me një frekuentim befasues, edhe si një imitim, preferencë e atij amerikan. Qëndrimet aty, veshja, moda, shijet, përzgjedhja, në Broduein e Tiranës, unikal, për çfarë transmetonte. Intelektualë, artistë, sportistë, shkrimtarë, kompozitorë, valltarë, aktorë, humoristë, regjisorë, skenaristë, për një çast do t’i gjeje në atë rrugë si broduistë. Djemtë e pashëm, vajza, gjithashtu, kryesisht gjimnaziste, studentë, shoqëruar me dashuritë e famshme në Broduein në start. Shëtitja në bulevardin kryesor, duke e kthyer në traditë atë lëvizje, ku bashkoheshin, takoheshin të gjithë, pa moshë. Një Tiranë plot shkëlqim, entuziazëm, drita, me një perceptim ndryshe dhe shumë shpresë.

SHFAQJET E KOHËS

Aktiviteti artistik ka gjallëri, me disa, si ”Variete 63″ me regjisor Astrit Sojlin, shfaqje e Estradës së Beratit që pati një jehonë të madhe gjatë turneut në Shqipëri. Në 1966 “Zyra e ankesave”, premiere e Estradës së Tiranës, me humor, si dhe këngëtarët Nikoll Gjergji, Vaçe Zela. Por, më i bujshmi ka qenë ai i fudnviteve 60-të, “4000 duartrokitje” me regjisor Bujar Kapexhiun. I organizuar për të parën herë në Pallatin e Sportit “Partizani”, spektakli me muzikë dhe sport, ka bashkoheshin artistët me sportistët. Gjithashtu, në Tiranë aktivitet të rëndësishëm artistik organizonte Pallati e Kulturës “Ali Kelmendi”, Estrada e Ushtarit ku spikasnin aktorët Vilson Gjocaj, Kujtim Shehu, Xhelal Myftiu, Vegim Xhani, etj. Po kështu edhe në qytete të tjera, Estradat ishin bazë në evenimentet artistike. Edhe ndërmarrjet sapo kishin filluar të krijonin grupet e tyre artistike, ku spikat ajo e Artistikes “Migjeni”. Viti 1970, pjesëmarrja dhe triumfi në Festivalin e Dizhonit në Francës ku Ansambli Shqiptar i Këngëve e Valleve, arrin një sukses të jashtëzakonshëm. Në një konkurrim midis 45 shteteve, në këtë festival folklorik, Ansambli fiton “Gjerdanin e Artë”

RADIO TVSH TE RAI

Nga kanali eksperimental ai në vitet 60-të, dekada 1970, do të nisë me transmetimet e televizionit shqiptar, tashmë me seli, programe të reja. Por, gjatë montimit të antenës në Malin e Dajtit, humb jetën tekniku kinez Cen Pao Y. Çdo ditë, nga ora 18.00 deri 22.00, me lajme informative, emisione, rubrika të ndryshme, deri ato sportive me lidhje direkte të festivaleve, koncerteve, deri edhe ndeshjet sportive. Më 1969 papritur është ndarë nga jeta zëri kombëtar radiofonik i sportit Anton Mazreku, dhe Bellova, Këlliçi, Shqarri, Shundi, Grillo do të vijojnë shkollën mazrekiane. TVSH do të transmetojë Euro 1972 në Belgjikë dhe Olimpada e 1972, ku për herë të parë, edhe Shqipëria do të përfaqësohet me katër sportistë: Afërdita Tushe, Ymer Pampuri, Beqir Kosova dhe Ismail Rama. Lojëra të cilat do të tronditen me masakrën terroriste të një grupi kriminal palestinez ku humbin jetën të gjithë atletët izraelitë. Krahas asaj në radio çdo të diel në mbrëmje do të nisë edhe në TVSH, Rubrika Sportive. Po kështu edhe radioja, nga Radio Posta, te Anketa muzikore në Radio dhe Tv, festivalet, veçanërisht i 11-ti. Me tekste, muzikë, këngë modern, pak për partizanë, më shumë për Rininë, dashurinë. Ndikim të madh ka televizioni italian Rai. Nga ata pak televizorë, numri do të rritet me prodhimi e të parëve TV “Iliria”, prodhim “Made in Albania” nga URT Durrës, të shpërndara me autorizim për familjet e heronjve të punës, të dëshmorëve, zyrtarëve të lartë. Ndiqen “Canzonisima”, Festivalet e Sanremos, Teatro dieci “Un disco per l’estate”, “La Domenica Sportiva”, “Novantessimo minute”, si dhe “Rischia tutto”, me Maik Bonxhiorno. Në radio, çdo mesnatë: Radio Montecarlo, Radio Luxemburg, Hit Parade, një emision radiofonik mitik i viteve 70-të, tejet i dëgjuar edhe në Shqipëri. Prezantohej nga Lelio Lutazi, me 10 disqet më të shitura gjatë javës në Itali. Si dhe ”Tutto il calcio minuto per minuto”.

FILMAT, FENOMENI BB DHE ROBERT ÇAMÇAKËZI

Ka qenë një formë komunikimi me botën. Pas shkëputjes me ata sovjetikë, kemi një fluks të filmave kinezë, por tejet të preferuar janë ata hollivudianë, apo prodhime italofrancezë, me Stive Rivës, Marlond Brando, Zhan Mare, Alen Delon, Rozana Podesta, Xhak Sernas, Marcelo Mastroiani, Klaudia Kardinale, Antonela Lualdi, Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida, etj. Fenomeni BB, një personazh në kulmin e viteve 70-të, në boom-in ekonomik, bota ëndërronte edhe Brixhit Bardonë, nisur nga paraqitja, loja aktoriale e një vajze franceze as 24-25, si vajza më e dashuruar në të gjithë botën. Mjaft filma të saj janë shfaqur edhe në Shqipëri. Bukuria e saj ka nxitur regjisorë të mëdhenj, të realizojnë filma me Bardonë protagonist. Por, edhe filmat shqiptarë, prodhime të Kinostudios “Shqipëria e Re”, janë të preferuar, ndër të cilët spikat “Detyrë e posaçme”, “Debatik”, “Toka jonë” me Tuç Makun, “Oshtimë në bregdet” me Selimin e Kujtim Sopahivoglit, “Duel i heshtur”, me tentativën e tre marinarëve, Islamit të Reshat Arbanës, Pepinit të Bujar Kapexhiut dhe kapter Rrahmiut të Ndrek Lucës, që tentojnë të arratisen, por që ndalen nga heroizmi i marinar Skënderit, të aktorit Rikard Lajrja. Pa harruar “Horizonte të hapura” me Robert Çamçakëzin, interpretuar nga Shpëtim Shmili, djali modern i portit, me prirje perëndimore, në komunikimin me të huaj, me shprehjen “dama nix”.

MODA, ÇFARË PASIONI

Nuk i ka munguar një pasion i tillë. Sa e kanë dashur dhe kanë kërkuar të vishen, të ndjekin modën edhe shqiptarët. Veçanërisht në fillim të viteve ‘70. Një xhakavento, një golf, këpucë të ardhura, pantallona kauboj 32×23 cm, një këmishë ndryshe, bënin diferencën. Pastaj një motor “Vespa”, një “Java”, apo një “Moto Guzi”, por edhe një biçikletë “Bianchi”. Deri me dyqanet e modës në qendër të Tiranës, me copa të huaja, tejet të frekuentuara dhe me rrobaqepës të kohës, gustos e shijeve italiane. Nga Broduei, në Xhiron e Madhe, Te Flora, një tjetër argëtim i mbrëmjeve për rininë, qytetarët kryeqytetas, ku demonstrohej edhe moda, krahas njohjeve, dashurive të mëdha të kohës. Sidomos në muajt e plazhit, frekuentimit masiv të ti, moda, dashuritë ishin ata që spikasnin më shumë. Muzika e mbrëmjeve, orkestrat, ai ajo e Durrësit e vëllezërve Cara, vallëzimet në restorantet e njohura, qëndrimi, frekuentimi tek Breshka, i pistave, nga ajo te Hekurudha, Iliria, mbeten të paharruara, simbole të viteve ‘70. Nga rrobat e banjës, syzet, bluxhinsat e parë tek ato pak minifunde, një tendencë për t’i demonstruar, kudo, në shfaqje, shëtitje, prezantime.

SPORTI

Ato të viteve ’70 janë të lidhura në kontaktet me Europën. Mënyra si e përjetonin kryeqytetasit, atmosferën entuziaste të krijuar, një impakt i madh me skuadra, futbollistë të famshëm të ekipeve perëndimore: Nga ardhja e Irlandës së Veriut, me idhullin Xhorxh Best, gjermania nënkampione e botës më 1967, me Overat, Netzer. FC Torino, klubi i parë italian futbolli, shtator 1968. Ndonëse Shqipëria ka shpallur botërisht braktisjen, daljen nga Traktati i Varshavë, e kur mjaft klube të vendeve lindore, si shenjë proteste i kanë bojkotuar ndeshjet për Kupat e Europës, e kundërta me Partizanin, klub shqiptar i një shteti me politikë të hapur kundër tyre, nuk tërhiqet, përkundrazi, duke i zhvilluar ndeshjet. 1969-1970, nga Standart te Ajaks, më Johan Krujf, do të zbresin ën Tiranë. Modë, flokë të gjata veshje moderne, një delegacion sportiv krejt ndryshe, shoqëruar edhe mjaft femra me minifunde, duke krijuar një situatë të paparë në kryeqytetin shqiptar. Shkurt 1971, sërish Gjermania me Majer, Bekenbauer, Myler, Overat, Shnelinger. E tillë atmosfera edhe në pallatin e sportit “Partizani” në ato vite si një ndër mjediset ku është luajtur, por edhe është demonstruar modë, preferenca perëndimore. Tejet i frekuentuar edhe nga vajzat, shoqëruar me njohjet, dashuritë e bujshme. Takimet me skuadrat e huaja, një rast për të qenë sa më afër Europës, botës. Sportistë me flokë të gjata, ka tentativa për t’i imituar. Veçanërisht në sfidat e mëdha të kohës, në volejboll meshkuj, Dinamo-Virtus, Partizani ndaj Oransodës me tre amerikanë, barazimi kolos 73-73 dhe 48 pikët e Agim Fagut. Ardhja e ekipeve të njohura jugosllave të basketbollit, Zadar, Jugoplatsika, Zvezda. Çdo të shtunë, diele në mbrëmje e gjitha Tirana aty. Ndeshje, tolerancë, liri, modë, shoqëri dhe argëtim.

GRUPET E PARA MUZIKORE

Nga Agim Krajka, te Francesk Radi e Sherif Merdani. I pari në kompozimin e këngëve ritmike, frekuentuara nga rinia, ndërsa dy të tjerët si këngëtarët që u kthyen në simbolin e një rryme, preference të re. Radi me këngët e tij, tipike dashurie, si i pari kantautor modern në Shqipëri, dhe i dyti, një zë, performacë, shumë i pëlqyer. Festivalin e 11-të i Këngës në Radio, dhjetor 1992, i konsideruar një sinjal për hapje. Jemi në periudhën që Beatles, Tom Xhons dëgjohen në Radio Tirana, në aksione, mjedise të rinisë. Në festivalet e zërave të rinj, tek grupet e para që u shfaqën në Shqipëri në vitet 70-të pikërisht në kohën kur shpresa dhe dëshira për liberalizëm, hapja e lidhje me Perëndimin u duk se kishte ardhur. Tendenca për të aplikuar rryma muzikore pak ndryshe, me pasioni për krijimin e komplekseve të mirëfillta të muzikës së lehtë e Rock & Roll, të ngjashme dhe nën ndikimin e atyre të famshëm si Beatles, Rolingstones, apo italiane. Kryesisht me djem e vajza të reja të talentuara, një bateri, dy kitara, pa asnjë teknologji të kohës me tekste e muzikë të vetë anëtarëve të grupeve.

Nga “Matura 72”, ai i djemve gjimnazistë petroninas, ”beatles shqiptarë”, te “Pranverë 72”, djem e vajza të reja shkodrane. Grupi “Rock & Roll” i Dasmen “Men” Musaraj arkitekti i tij, ai i ILA, me Osman Mulën. Kitara e parë elektrike nga “The Motives”, një grup i pranishëm në mbrëmjet e vallëzimit të gjimnazeve. Vëllezërit Reçi, në fizarmonikë e në kitarë, Kirov Andoni në kitarë, Berti me flaut, kompozojnë “Sot është ditë e diel”, me tekst dhe muzikë të Muharrem Dautit, “Xheku”, një instrumentist, i talentuar. Po kështu do të shfaqet kitaristi Virgjil Xhafa, ai që krijoi violinën e parë elektrike, bateristi Arzen Tenolli, etj..

MBRËMJET NË PALLATIN E KULTURËS, “ALBA” VALLËZIMI I PARË MODERN

Kanë qenë të veçanta, si rrjedhojë e një klime euforike, kemi një fluks të madh në dëfrimet masive siç ishin mbrëmjet e paharruara me djem e vajza, të organizuara nga Komitetet e Rinisë. Një rini plot vrull, pasion dhe regjisorë e drejtues orkestre të njohur si Alqi Kareco, Robert Radoja, Gaspër Curcia, këngëtarë, kompozitorë, formacione muzikore, instrumentistë të gjithë të angazhuar për fundjavën argëtuese. Një rini e përfshirë në ritmin e Rock& Roll, me këngët e Xherri Ljuis, Mik Xheker me “I can’t get no satisfaction”, festivali i zërave të rinj, si një ndër evenimentet kryesore të Tiranës, nga ku dilnin edhe kungarët e rinj. Kujtim Kamberi, Alida Hisku, Rita Vako, Qemal Kërtusha, Liljana Kondakci, Adriana Ceka Besnik Taraneshi, kompozitorët e paharruar Kotoni, Minga, Peci, Kareco, Shëngjergji, etj. Ndikimet e huaja, veçanërisht në art, muzikë janë të pranishme. Sukses të jashtëzakonshëm pati “Alba”, me koreografi të Skënder Selimit, me poezi të Llazar Siliqit, duke i përshtatur muzikën ritmike të kompozitorit Agim Krajka, tejet impulsiv, të cilin profesor Selimi e quajti “Kërcimi Alba”, me të cilin u dashurua e gjithë Shqipëria, duke u kthyer në një hit për rininë. Viti 1972, në Tiranë në Pallatin e Madh të Kulturës organizohej çdo të shtunë spektakli “Të mësojmë kërcimin “Alba”” ndërsa në ekranin e TVSH-së shfaqej pa ndërprerje. I konsideruar si kërcimin e parë modern shqiptar, Alba një vallëzim vetëm me vajza e djem, hapte programet muzikore dhe i shoqëronte ato.

PLENUMI IV, LAMTUMIRË VITET ‘70

Atmosfera premtuese e viteve 70-të, në Shqipëri, do të vijojë deri në fillim të 1973-shit. Menjëherë pas vendimeve të Plenumit të 4-t, fjalimit të Enver Hoxhës për shfaqjet e huaja, jeta e shqiptarëve, do të ketë frenime, reduktime drastike. I pari, Festivali i 11-të, për të vijuar me ndëshkime për artistë, ushtarakë, ekonomistë. Me sloganin “Gjithçka me forcat tona”, në ekonomi, prodhime vendi, do të shfaqet talloni ushqimor, listë, rrallë ta gjata. Nisin ndërtimet e apartamenteve me punë vullnetare, jo modë, as grupe të muzikës së lehtë, as mbrëmje argëtuese, as Broduei. Në qarkullim janë fletë rrufetë, do të shfaqen grupet e rinisë, tejet agresivë, në dëmtim të imazhit, duke të përndjekur kudo, e për çdo gjë. Në veshje, qëndrime, shfaqje tendenca për modë, për pantallonat, qethjet. Vetëm kur shfaqeshin në kinema, rrugë, plazh, të ndalonin, nga ku niste procesi ndëshkues. Kanë qenë të frikshme, të gjithë i shmangeshin. Të përbërë nga të rinj, 2-3 persona, revolucionarë, dalloheshin menjëherë, vepronin në grup, duke shfrytëzuar vendet masive të rinisë duke kërcënuar çdo djalë, vajzë, që ndjek modën. Ndërkohë që fillon mbyllja, shkëputja, ndarja e madhe e gjatë me Europën, Botën, në sport, art, deri edhe miqësia e pathyeshme me kinezët, është zbehur. Vitet 70-të, ato të shpresës së madhe janë lënë pas, për t’u pasuar nga situata të brendshme, plot frikë, ankth. Vetëm disa koncerte të këngëtares greke Marinella, në Tiranë, më 1977.

VENDIMI QEVERITAR

Nga një manual informativ i asaj periudhe lexojmë: “Qeveria shqiptare ndalon hyrjen e turistëve që nuk pajtohen me kërkesat ekzistuese për pamjen e jashtme dhe veshjen. Janë të ndaluara këto modele veshjesh: Minifundet, maksifundet dhe pantallonat estravagande”. Një kujtesë edhe për çdo shqiptarë të viteve ‘70-të, kur lëvizjet “për revolucionarizmin” e vendit shoqërohen edhe me këtë njoftim. “Hyrja në Shqipëri vetëm me flokë të qethura”- përcakton në mbyllje vendimi qeveritar./Gazeta Panorama