“Në Shkodër vepruan bandat dhe grabitja e votave, por…”, Luçiano Boçi: SPAK rrëzoi kallëzimet tona, ka kthyer një qëndrim të ‘normalitetit’ ndaj situatës
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit në qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, ishte mbrëmjen e sotme në emisionin Log në News24, ku komentoi situatën pas procesit zgjedhor dhe rinumërimin e kutive në disa qarqe.
Boçi theksoi se në Shkodër, ashtu si në të gjithë vendin, pati grabitje votash dhe intimidim të votuesve, ndërsa sipas tij në terren kanë vepruar edhe grupe kriminale. Megjithatë, ai theksoi se në fund votuesit shprehën mbështetjen e tyre për Partinë Demokratike.
“Argumentet nuk lidhen me një akt të vetëm, por me një proces të tërë që ka prodhuar një industri të grabitjes së votës. Procesi zgjedhor dhe vlera e votës janë zhdukur. Nëse e pranojmë këtë, dalim tek Shkodra. Situata në Shkodër nuk ndryshon nga ajo në Fieri apo Durrës. Veprimet kriminale kanë qenë të njëjta si në Durrës e Elbasan,” tha Boçi.
Ai vlerësoi gjithashtu rezultatet e arritura nga Partia Demokratike, duke i atribuuar suksesin votuesve, strukturave dhe kandidatëve, si dhe rolit të drejtuesve politikë.
Boçi nuk la pa përmendur denoncimet e bëra gjatë fushatës, duke theksuar se ka pasur edhe veprime antikushtetuese nga kryeministri, të cilat janë adresuar në SPAK. Megjithatë, sipas tij, disa nga kallëzimet janë rrëzuar dhe SPAK ka kthyer një qëndrim të “normalitetit” ndaj situatës.
“Nuk mund të themi që në Shkodër nuk kanë vepruar bandat, as që nuk pati skemë për vjedhjen e votës. Gjatë fushatës kemi denoncuar dhe veprime antikushtetuese të kryeministrit në SPAK. Ka pasur edhe raste intimidimi ndaj kallëzuesve, ndërsa kallëzimet tona janë rrëzuar,” tha Boçi.
Luçiano Boçi: Argumentet nuk lidhen me një akt, por është një proces i tërë që ka prodhuar një industri të grabitjes të votës. Është zhdukur procesi zgjedhor dhe vlera e votës. Nëse e pranojmë këtë dalim tek Shkodra. Situata në Shkodër nuk ka ndryshim nga Fieri, Durrës. Veproi edhe në Shkodër si në Durrës dhe Elbasan.
Pati një rezultat të mirë, merita i takon votuesit, që e ka shprehur mbështetjen për PD. Në hapjen e kutive duhet të ishte më e madhe. Merita tjetër i takon strukturës së PD, kandidatëve, kanë dhe rolin drejtuesit politik. Këto janë elementë që bashkohen bashkë për të sjellë një rezultat.
Nuk mund të themi që në Shkodër nuk vepruan bandat, nuk mund të themi që nuk pati skemë të vjedhjes së votës, e paraprirë dhe në muajt e fushatës, kemi denoncuar dhe veprimet antikushtetuese të kryeministri në SPAK. Ka patur dhe momente që kallëzuesi është intimiduar dhe kallëzimet tona janë rrëzuar dhe SPAK i është kthyer idesë së normalitetit.