Thu, Jun 26, 2025

Eksperiment i kushtueshëm: Italia peshon kostot e qendrave për emigrantët në Shqipëri

  • PublishedJune 26, 2025
Eksperiment i kushtueshëm: Italia peshon kostot e qendrave për emigrantët në Shqipëri

Kur Gigi Calesso lexoi në gazeta për rritjen e kostos së qendrave për emigrantët e Italisë në Shqipëri, ai u trondit shumë. Si një aktivist i së majtës për çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut, administratori bankar gjashtëdhjetëvjeçar nga , afër Venecias në verilindje të Italisë, e kishte ndjekur me kujdes sagën që nga vjeshta e vitit 2023.

Ishte atëherë kur Giorgia Meloni, kryeministrja e djathtë e Italisë, kishte njoftuar një plan për të ulur numrin e azilkërkuesve që përpiqen të hyjnë në Itali, duke i devijuar ata matanë detit, drejt Shqipërisë, për shqyrtim dhe – me shumë gjasë – për .

Bashkimi Evropian ishte i interesuar të shihte si do të funksiononte kjo, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që e lavdëroi Meloni-n duke u shprehur se kishte menduar “jashtë kornizave”, edhe pse organizatat për të drejtat e njeriut shprehën indinjatë.

Plani, megjithatë, ngeci në gjykata dhe kampet mbetën kryesisht bosh. Calesso i ndoqi zhvillimet nga afër, duke besuar se plani nuk ishte as human dhe as një përdorim i mirë i taksave të tij.

Qeveria thotë se ka ndarë 670 milionë euro për këtë skemë për një periudhë 5-vjeçare, por disa deputetë mendojnë se shifra më realiste është një miliard euro.

Në mars, Calesso e mori vetë në dorë situatën dhe paraqiti një kallëzim në Corte dei Conti, gjykata financiare e Italisë, për dëmtim të fondeve publike. Ai aktualisht është në pritje të një përgjigjeje. “Kjo betejë ia vlen të luftohet”, tha Calesso, i cili ka një vajzë 12-vjeçare. “Këtë po e bëjmë për brezin e ardhshëm.”

Numri i madh i variablave të përfshira në protokollin Itali-Shqipëri – një dokument ligjor që përshkruan gjithçka nga pagesat shtesë të rrezikut për policinë italiane të stacionuar jashtë vendit, deri të kostoja e transferimit të zyrtarëve dhe punësimi i gjyqtarëve – e bën pothuajse të pamundur llogaritjen e ndikimit të vërtetë financiar të skemës. Përjashtimet e shumta ligjore nga normat e transparencës shtojnë edhe më shumë paqartësi. Megjithatë, një analizë e kostove të ndërtimit zbulon një pamje të qartë të shpenzimeve të tepërta, mungesës së transparencës dhe mungesës së përgjegjësisë.

Të dhëna të pa publikuara të siguruara nga BIRN dhe FTM tregojnë se, ndërsa fillimisht ishin ndarë 39.2 milionë euro për ndërtimin e qendrave për emigrantët, kjo shumë është pothuajse dyfishuar, duke kaluar në mbi 74 milionë euro – një pjesë e të cilave është shpenzuar për fatura hotelesh dhe transport materialesh.

Për të mbuluar mungesën, qeveria e Melonit ka përdorur fonde nga disa ministri, përfshirë edhe ato që zakonisht përdoren për reagim ndaj tërmeteve dhe emergjencave klimatike.

Masat emergjente të përfshira në protokoll i lejuan zyrtarët të anashkalonin rregullat e tenderimit të BE-së dhe t’u jepnin kontrata direkte kompanive të preferuara. Nënshkruesit u detyruan nga klauzola konfidencialiteti që u ndalonte kontaktin me median, ndërkohë që dhjetëra miliona euro nga fondet publike përfunduan në një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri. Qendrat e ngjashme të ndërtuara më parë në territorin italian kanë kushtuar shumë më pak.

Kritikët e zhvendosjes së procesit të azilit offshore thonë se eksperimenti i Meloni-t në Shqipëri duhet trajtuar si një histori paralajmëruese, një mësim shumë i shtrenjtë për sfidat që lindin kur përpiqesh të shtrembërosh rregullat e konventave ndërkombëtare humanitare.

Basti i BE me kampet e emigrantëve offshore

Plani i papublikuar i qendrës së migracionit në Gjadër, siguruar ekskluzivisht nga FTM dhe BIRN.

Meloni e quajti marrëveshjen e saj me homologun shqiptar, Edi Rama, “një marrëveshje me përmasa evropiane”.

Sipas skemës, burra emigrantë nga të ashtuquajturat “vende të sigurta”, të ndaluar nga roja bregdetare italiane gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun, do të transferoheshin me anije drejt qendrave në Shqipëri, të cilat do të funksiononin nën juridiksionin italian. Aty, kërkesat e tyre për azil do të përpunoheshin brenda 28 ditësh – shumë më shpejt se procesi që zgjat zakonisht me muaj në Itali – përpara një riatdhesimi të mundshëm.

Meloni parashikoi që qendrat, në qytetin portual të Shëngjinit dhe 20 kilometra më në veri në Gjadër, do të përpunonin 36,000 emigrantë në vit. Ministri i saj i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i tha parlamentit se kjo skemë do të sillte kursime për buxhetin italian prej 1.7 miliardë eurosh që shpenzohet çdo vit për pritjen e emigrantëve dhe refugjatëve.

Von der Leyen më vonë u bëri thirrje vendeve anëtare që të “nxjerrin mësime nga protokolli Itali-Shqipëri”, dhe në mars Komisioni propozoi një kuadër ligjor që do t’u lejonte vendeve të BE-së të krijojnë riatdhesimi të quajtura “qendra kthimi” jashtë territorit të bllokut.

Por problemet ligjore u bënë shpejt pengesë.

Gjykatat italiane urdhëruan kthimin e tre grupeve të para të dërguara në Shqipëri – në tetor, nëntor dhe janar – duke cituar një vendim të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së () të datës 4 tetor 2024, sipas të cilit statusi i “vendit të sigurt” duhet të vlejë për të gjithë territorin kombëtar. Qendrat qëndruan bosh për muaj me radhë.

Në një kthesë të rëndësishme në mars, Meloni braktisi planin fillestar në pritje të zgjidhjes së sfidave ligjore dhe qeveria italiane miratoi në vend të tij një ligj që lejon ndalimin në Gjadër të emigrantëve dhe refugjatëve ndaj të cilëve autoritetet italiane kanë lëshuar urdhra dëbimi.

Ky ndryshim në thelb do të thotë se kampi i Gjadrit është kthyer në një qendër riatdhesimi për të mbajtur ata persona që kishin hyrë në Itali, u është refuzuar kërkesa për azil dhe kishin marrë urdhra riatdhesimi.

Italia tashmë operon 10 qendra të tilla, të njohura si CPR, në territorin e saj. Për të qenë në përputhje me ligjin e BE-së, emigrantët e dërguar në Shqipëri tani duhet fillimisht të transferohen sërish në Itali përpara se të deportohen.

Që prej ndryshimit, Italia ka dërguar më shumë se 100 emigrantë në kampin e Gjadrit në pritje të dëbimit, sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme të cituara këtë muaj nga media. Në të njëjtën kohë politikanë të opozitës italiane që kanë inspektuar kampet, kanë raportuar raste vetëlëndimi dhe përpjekje për vetëvrasje.

Që nga momenti i ndryshimit, Italia ka mbajtur më shumë se 100 emigrantë në kampin e Gjadrit në pritje të dëbimit, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të cituara këtë muaj nga media , ndërsa ka të dhëna raste vetëlëndimi dhe tentativa për vetëvrasje, të raportuara nga politikanë opozitarë italianë që kanë inspektuar kampet.

Një punonjës tha në kushte të anonimatit se emigrantët qëndrojnë në kampe për disa javë përpara se të rikthehen në Itali për t’u deportuar më pas. “Ata nuk qëndrojnë gjatë”, tha ai.

Ndërkohë, e ardhmja e projektit është sërish në pikëpyetje, pasi më 30 maj Gjykata e Lartë e Italisë ia referoi një çështje Gjykatës së Drejtësisë së BE-së (CJEU), për të përcaktuar nëse ndalimet në Shqipëri, një vend i tretë, janë në përputhje me ligjin e BE-së për riatdhesimin.

Kritikët argumentojnë se kampi i ri-funksionalizuar nuk kontribuon në planin fillestar të Meloni-t për të shqyrtuar kërkesat për azil jashtë kufijve fizikë të vendit dhe se mund të ishte ndërtuar në Itali me një kosto shumë më të ulët.

Për Calesson, punonjësin e bankës nga Treviso, ky ndryshim kursi nga ana e Meloni-t është pranim i dështimit. “Ne e paraqitëm kallëzimin pasi Meloni tha se qendrat do të ktheheshin në kampe riatdhesimi”, tha ai. “Përdorimi i tyre për funksionin fillestar ishte qartazi i pamundur, ndaj ata u ngutën të gjenin një justifikim për shpenzimin.”

I pyetur për pretendimin e ministrit të Brendshëm Piantedosi se skema do t’i kursente para Italisë, një zyrtar i kësaj ministrie, që kërkoi të mbetet anonim, tha se këto kursime priteshin si rezultat i uljes së kohës që azilkërkuesit kalojnë në sistemin pritës të Italisë. Por, sipas tij gjërat nuk shkuan sipas planit për shkak të kundërshtimit nga gjykatat.

“Nëse do të mundnim disi të menaxhonim më shpejt personat që vijnë nga vendet e sigurta”, tha burimi, “i gjithë procesi do të ishte më i shpejtë dhe kostot do të ishin më të ulëta.”

Urgjenca

Pamje ajrore e Shëngjinit gjatë punimeve. Foto nga Elvis Hila/BIRN.

Sipas marrëveshjes fillestare, azilkërkuesit do të silleshin në portin e Shëngjinit dhe do të përpunoheshin në një qendër pritjeje aty pranë, pas një gardhi metalik pesë metra të lartë. Kjo qendër ishte projektuar për të strehuar deri në 144 persona.

Më pas, ata do të transferoheshin në një vend të dytë në Gjadër – një kompleks i shtrirë në një sipërfaqe prej shtatë hektarësh në një ish-bazë ushtarake ajrore të braktisur, me kapacitet prej 880 personash.

Më 4 prill 2024, Ministria italiane e Mbrojtjes i ngarkoi zyrtarisht trupat xhenio të një baze ajrore në Bari, Itali, me ndërtimin e qendrave. U caktua një afat prej 223 ditësh, duke iu referuar “nevojës dhe urgjencës së jashtëzakonshme” të projektit për t’iu përgjigjur një emergjence migracioni.

Pamje me dron të marra nga BIRN dhe FTM në atë kohë tregonin se puna kishte nisur tashmë, me ekskavatorë që hapnin kanale themeli në rrëzë të një mali të thepisur.

Megjithatë data fillestare për hapjen, më 30 maj, u shty për më 1 gusht dhe zyrtarët italianë shpallën zyrtarisht funksionalizimin e dy qendrave vetëm më 11 tetor.

Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar në ambasadën italiane në Tiranë tha se vonesat u shkaktuan pasi ndërtuesit zbuluan se terreni i zonës ishte i paqëndrueshëm. Mijëra shtylla betoni u desh të futeshin në tokë për të forcuar bazamentin përpara se të vazhdonte ndërtimi.

Pse u rritën kostot?

BIRN dhe FTM shqyrtuan 35 tenderë publikë të listuar në bazën e të dhënave online të ANAC, autoriteti italian kundër korrupsionit. Në bashkëpunim me zyrën në të OJQ-së ActionAid, e cila bën fushatë kundër padrejtësive globale, ata paraqitën një kërkesë për të drejtë informimi për të marrë një listë të kostove të lidhura me secilin tender nga Ministria e Mbrojtjes.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse dokumentet e dhënies së kontratave vendosnin një kufi maksimal prej 65 milionë eurosh për punimet ndërtimore, vlera totale e kontratave të tenderëve arriti në 74.2 milionë euro.

Kostoja është shumë më e lartë se ajo e objekteve të ngjashme në Itali. Në vitin 2023, Italia hapi një lloj të ri qendre për emigrantët në Ragusa të Siçilisë, ku do të ndaloheshin azilkërkues nga të ashtuquajturat “vende të sigurta”, që shërbeu si model për marrëveshjen me Shqipërinë.

Qendra e Raguzës kushtoi 1.65 milionë euro për t’u ndërtuar dhe kishte një kapacitet prej 256 personash, që përkthehet në 6,445 euro për shtrat, sipas të dhënave të siguruara nga ActionAid dhe ndara me BIRN dhe FTM.

Ndërkohë, qendrat shqiptare, me një kapacitet total prej 1,024 personash, kushtuan 72,461 euro për shtrat – pothuajse njëmbëdhjetë herë më shumë.

Një furnitor italian i materialeve ndërtimore të përdorura për qendrat, duke folur në kushte anonimiteti, tha se presioni i jashtëzakonshëm për kohën e dorëzimit i rriti ndjeshëm çmimet. Ndërtimi vazhdoi edhe gjatë muajve të verës, në kulmin e sezonit turistik shqiptar, duke e detyruar kompaninë të ofronte atë që ai e quajti “pagë stratosferike” për të tërhequr punëtorë.

“U desh ta përfundonim në kohë rekord”, tha furnitori. “Të gjithë shqiptarët që dinë të punojnë janë larguar në Evropë dhe kthehen në Shqipëri vetëm për pushime. Kështu që, për të gjetur punëtorë të mirë, të duhet dikush që është me pushime… dhe t’i japësh një arsye që ta pranojë punën.”

Ai tha se kompania e tij punësoi rreth dy duzina punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i paguar 150 euro në ditë që të punonin në vapë. Krahasimisht, të dhënat zyrtare të publikuara këtë muaj tregojnë se paga mesatare mujore në sektorin e ndërtimit në Shqipëri vitin e kaluar ishte rreth 700 euro, ose afërsisht 30 euro në ditë.

Sipas përgjigjes së Ministrisë së Mbrojtjes ndaj kërkesës për të drejtë informimi, deri në mars të këtij viti për furnitorët ishin shpenzuar 61.3 milionë euro.

Furnitori tha se kontraktorët paguheshin me këste ndërsa përparonte ndërtimi, duke shtuar se punimet vazhdojnë ende.

Duke qenë se qendra e Gjadrit tani ka një funksion të ngjashëm me dhjetë qendrat CPR të shpërndara në të gjithë Italinë, furnitori sugjeroi se në retrospektivë, do të kishte pasur më shumë kuptim që qendrat të ndërtoheshin në Itali.

“Nuk ka dyshim se do të kishte qenë më lirë që këtë projekt ta bënim në Itali”, tha ai. “Do të kishin qarkulluar ca para edhe në vendin tonë. Kompanitë mbështetëse që furnizojnë me letra higjienike apo që ofrojnë shërbime pastrimi janë të gjitha shqiptare.”

Nga i gjeti Italia fondet?

Pamje ajrore e Gjadrit gjatë ndërtimit. Foto nga Elvis Hila/BIRN.

Fillimisht, Italia kishte parashikuar 39.2 milionë euro për ndërtimin e qendrave, kur ratifikoi marrëveshjen për emigrantët më 21 shkurt 2024, para se të specifikonte një kosto prej 65 milionë eurosh 10 ditë më vonë përmes një klauzole në legjislacionin e PNRR-së, plani kombëtar për përdorimin e fondeve të rimëkëmbjes pas Covid-it nga BE-ja. Më 20 maj, qeveria e ndryshoi protokollin për të rritur kufirin maksimal të shpenzimeve në 73.5 milionë euro.

Në përllogaritjen përfundimtare, 10 milionë euro erdhën nga një pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes të rezervuar për ndërtimin e qendrave për emigrantët në Itali dhe 15.8 milionë euro nga “fondi për nevoja të pashmangshme”, që zakonisht përdoret për shpenzime urgjente, përfshirë ato që lidhen me krizën klimatike. Një shumë tjetër prej 47.7 milionë eurosh u sigurua nga buxheti i rregullt i qeverisë, përfshirë 3.8 milionë nga Ministria e Arsimit dhe Kërkimit, 3.8 milionë nga Ministria e Kulturës dhe 3.2 milionë nga Ministria e Shëndetësisë.

BIRN dhe FTM i kanë kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes të sqarojë burimin e më shumë se 750,000 eurove të mbetura të nevojshme për të mbuluar kontratat e ndërtimit, por ende nuk kanë marrë një përgjigje.

Rachele Scarpa, deputete e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, tha se përdorimi i fondeve thelbësore për qëllime të tjera është i papranueshëm.

“Kjo nuk është hera e parë që shumica e Meloni-t ka përdorur fondet e emergjencës për të financuar propagandën e saj”, tha ajo. “Qeveria do që të na bindë se emigracioni është një emergjencë e përhershme, por kjo është larg realitetit dhe larg nevojave të vërteta të një vendi që, nga njëra anë, ka nevojë të rrisë dhe të menaxhojë më mirë emigracionin e ligjshëm dhe nga ana tjetër përballet gjithnjë e më shumë me fatkeqësi të shkaktuara nga kriza klimatike.”

I pyetur për rritjen e kostos së qendrës në Shqipëri, një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi angazhimin e bllokut ndaj modelit të “qendrës së kthimit”, duke thënë se ai do të mundësonte “procedura kthimi më të shpejta, më të thjeshta dhe më efektive në të gjithë BE-në.”

“Propozimi i Komisionit nuk specifikon se si do të duket një qendër kthimi”, tha zëdhënësi. “Ai përcakton kërkesat minimale për marrëveshjet ose aranzhimet me vendet e treta për të krijuar një qendër të tillë.”

Çmimi i lartë i projektit mund të ngrejë vetë çështje ligjore.

Martina Pangallo, avokate penale e specializuar në krimin e jakave të bardha dhe atë korporativ, tha se kostot e mëdha të qendrave mund të bien në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës italiane, e cila detyron administratën publike të tregojë efikasitet dhe efektivitet.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë teorikisht mbi baza kushtetuese, ajo shtoi se më e mundshme është që gjykatat financiare të vendit t’i zbatojnë këto parime kur shqyrtojnë kërkesat për dëme në financat publike.

“Shndërrimi i qendrave të azilit në qendra riatdhesimi nuk e ka përmirësuar aspak efikasitetin e projektit, i cili edhe një herë, dhe vazhdimisht, mbetet i pasigurt, veçanërisht duke marrë parasysh vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë”, tha Pangallo.

Kompanitë shqiptare përfituan shumicën e fondeve

Emigrantët, në dallim nga azilkërkuesit, u shoqëruan për në Gjadër me pranga në duar. Foto nga Nensi Bogdani/BIRN.

Klauzolat e emergjencës të përfshira në protokollin Itali-Shqipëri i lejuan autoritetet kontraktuese të anashkalonin rregullat e prokurimit publik të Italisë. Si rrjedhojë, të gjitha kontratat u dhanë përmes negociatave të drejtpërdrejta, dhe jo përmes tenderëve të hapur konkurrues.

Ndërsa nëntë nga dymbëdhjetë kontraktorët ishin italianë, përfituesi më i madh ishte kompania Everest, një kompani ndërtimi shumëkombëshe me seli në Tiranë. Gjiganti i ndërtimit fitoi kontrata me vlerë totale prej 36.4 milionë eurosh, pothuajse aq sa ka përfituar nga buxheti i shtetit shqiptar që nga viti 2019 sipas të dhënave nga Open Spending Albania.

Një tjetër kompani shqiptare, Hotel Amare në Shëngjin, u pagua 352,630 euro për të strehuar punëtorët e ndërtimit, me një kosto prej 110 euro për person apo dhomë në natë.

Të dyja kompanitë u kaluan nëpër një proces verifikimi nga ambasada italiane në Tiranë, në bashkëpunim me policinë italiane dhe shqiptare, sipas vendimeve të publikuara për dhënien e kontratave. Ambasada nuk ishte e arritshme për të dhënë sqarime mbi mënyrën se si u krye procesi i verifikimit.

Kritikët e projektit kanë shprehur shqetësim për përdorimin e shumave të mëdha të fondeve italiane për të paguar kompani shqiptare, duke përmendur rekordin e dobët të transparencës së vendit.

Toni Ricciardi, deputet i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, tha se Italia rrezikon të përfshihet në “klientelizëm”, duke “dhuruar” para të taksapaguesve italianë për kompani shqiptare që përfitojnë rregullisht nga tenderët publikë të shpallur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Ricciardi vuri në dukje se Shqipëria, vitin e kaluar, u rendit në vendin e 80-të në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, pas Moldavisë dhe Bregut të Fildishtë.

Pas nënshkrimit të protokollit, Italia i dha deri në nëntë milionë euro grupit të hoteleve Rafaelo në Shëngjin për të siguruar ushqim dhe akomodim për deri në 295 zyrtarë italianë të rendit dhe ligjit, për një periudhë dymbëdhjetë mujore që nisi gushtin e kaluar.

Mark Gjinaj, pronari i grupit, është vjehrri i Admir Kadelit, i cili u zgjodh deputet në maj në emër të Partisë Socialiste në pushtet, duke ndjekur hapat e babait të tij të ndjerë Gjovalin Kadeli.

Ricciardi tha se dyshon se këto marrëveshje ishin “para për politikanët” pranë qeverisë së Ramës.

Kadeli tha se nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet e biznesit të Gjinajt. “Vjehrri im ka bërë biznes që para se të lindja unë”, tha ai për BIRN dhe FTM. “Nuk kam asnjë lidhje me këto kontrata, sidomos duke qenë se janë bërë para se të përfshihesha në politikë aktive.”

I pyetur se si grupi Rafaelo fitoi këtë kontratë, Gjinaj u përgjigj përmes telefonit: “Nuk kemi të drejtë të flasim për asgjë, pasi kjo është përgjegjësi e ministrisë dhe e ambasadës italiane.”

Një menaxher te Rafaelo, që foli në kushte anonimati, këmbënguli se ishin italianët që kishin kërkuar ndihmë. “Italianët na u afruan me një kërkesë për të strehuar oficerë policie këtu. Nuk e kërkuam ne këtë gjë,” tha ai.

Ai shtoi se marrëveshja ndihmoi për të mbushur dhomat jashtë sezonit turistik, por se hoteli u detyrua të refuzonte klientët e tij premium gjatë verës.

I kontaktuar nga BIRN dhe FTM edhe Sokol Çupi, aksioneri më i madh i kompanisë Everest mohoi ndikimin politik. “Ne dorëzuam propozimin tonë dhe u përzgjodhëm. Kemi nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti me Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë dhe nuk mund të flasim në detaje për projektin,” tha Çupi.

I pyetur për komentet e Ricciardi-t, ai u përgjigj: “Unë zotin Rama nuk e kam takuar ndonjëherë. Nëse dikush vërteton të kundërtën, unë jam i gatshëm të mbaj çdo lloj përgjegjësie. Gjithashtu jam plotësisht përgjegjës për kompaninë.”

Hotel Amare në Shëngjin nuk qe i arritshëm për një koment.

Vlerësim i nxituar i rrezikut sizmik?

Ekspertët paralajmërojnë se ndërtimi i përshpejtuar i qendrave mund të ketë çuar në shmangie të rrezikshme të standardeve. Në qershor, inxhinierë nga Universiteti Politeknik i Barit dhe EUCentre, një institut për rrezikun sizmik me bazë në Pavia, afër Milanos, u kontraktuan për të kryer një vlerësim teknik në Gjadër.

Detyra përfshinte analizimin e vulnerabilitetit sizmik, vlerësimin e rrezikut të lëngëzimit të tokës dhe rekomandimin e masave për stabilizim. Ata kishin në dispozicion 30 ditë për ta përfunduar projektin, sipas marrëveshjes së nënshkruar.

Përfaqësues të të dy institucioneve që morën pjesë drejtpërdrejt në projekt refuzuan të jepnin një koment kur u kontaktuan nga BIRN dhe FTM, duke përmendur klauzola konfidencialiteti në kontratat e tyre.

Duke iu referuar kohës së caktuar për studimin Maurizio Tira, profesor i planifikimit urban në Universitetin e Brescias, tha shkurt: “Tridhjetë ditë duken shumë pak”. Ai nuk pranoi të komentojë më tej, pasi tha se nuk ishte i njohur me detajet teknike të projektit. Një inxhinier ndërtimi në Universitetin Politeknik të Milanos, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë profesionale, tha se një projekt i kësaj shkalle zakonisht kërkon gjashtë muaj kohë.

Italia është përballur edhe më parë me probleme të qëndrueshmërisë së tokës në objektet e paraburgimit. Në vitin 2019, Ministria e Brendshme urdhëroi që pjesë të një CPR-je në Potenza, në rajonin jugor të Basilikatës, të shembeshin dhe të rindërtoheshin për shkak të problemeve me themelet, të shkaktuara nga lëngëzimi i tokës, sipas dokumenteve publike të konsultuara nga BIRN dhe FTM.

Kostoja njerëzore

Autobuza civile dhe makina të policisë italiane dhe shqiptare shoqëruan emigrantët në qendrën e Gjadrit më 11 prill. Foto nga Nensi Bogdani/ BIRN.

Që prej shndërrimit të tyre në qendra për riatdhesim (CPR), qendrat shqiptare janë bërë objekt raportimesh që vënë në pikëpyetje kushtet për personat e ndaluar atje.

Punonjës të qendrës i thanë BIRN dhe FTM se të ndaluarit mbahen në izolim në qeli, me qasje të kufizuar në telefona. “Siguria është jashtëzakonisht e lartë. Ushqimi u jepet përmes dyerve metalike”, tha një punonjës i Medihospes, një organizatë jofitimprurëse italiane që ofron shërbime shëndetësore, këshillim dhe ndihmë ligjore brenda qendrave. Ai foli në kushte anonimiteti.

Grupi i parë prej 40 migrantësh u transferua në CPR-në e sapokrijuar në prill. “Pati probleme dhe ne dërguam tre persona në spital sepse tentuan të dëmtonin veten dhe të vetëvriteshin,” tha punonjësi i Medihospes.

Një tjetër punonjës në kamp tha se emigrantët shpesh mbërrinin nga CPR-et italiane, të cilat shpesh kritikohen për kushte të këqija, me shenja vetëlëndimi, përfshirë shenja prerje në duar. Ai përmendi se kishte dëgjuar një të ndaluar që ofrohej ta paguante vetë biletën e kthimit në shtëpi. “Na lini të kthehemi në shtëpi. Duam të shkojmë në shtëpi… nëse kthehem, mund të emigroj sërish në Itali, Francë apo Spanjë,” përsëriti ai fjalët e një prej të ndaluarve.

Sipas deputetes së opozitës Rachele Scarpa dhe eurodeputetes Cecilia Strada, të cilat kanë inspektuar disa herë kampin në Gjadër, stafi i qendrës regjistroi 35 incidente kritike, përfshirë vetëdëmtime dhe tentativa vetëvrasjeje vetëm në dy javët e para pas transferimit të parë në prill.

Një i ndaluar i tha avokatit të tij se kishte ngrënë qelq në shenjë proteste ndaj transferimit në kamp, raportoi La Stampa. Burimi i BIRN dhe FTM brenda qendrave konfirmoi rastin. Ai po ashtu tha se të ndaluarit përdornin pirunë plastikë për të lënduar veten.

Në maj, , një 42-vjeçar nga Maroku, u vetëvra pak pas transferimit në një burg në Torino, pasi kishte kaluar një muaj në kampet në Shqipëri. Tavolo Asilo e Immigrazione, TAI, një grup deputetësh të opozitës dhe ekspertësh të të drejtave të njeriut që kanë inspektuar qendrat, deklaroi se para se të vdiste, Badoui i kishte thënë avokatit të tij: “Burgu është më mirë se CPR-ja; nuk dua të kthehem në Shqipëri.”

Pavarësisht kritikave në rritje, , politolog në universitetin LUISS në Romë, tha se Meloni po korr përfitime politike nga ky plan i llogaritur me kujdes.

Sipas tij, kryeministrja krijoi një skemë që ka joshur liderët e tjerë evropianë, duke forcuar njëkohësisht imazhin e saj të ashpër ndaj emigracionit në politikën e brendshme.

“Ajo e ka paraqitur veten si një lidere me një plan për vendin evropian më të ekspozuar ndaj emigracionit”, tha Castellani. “Edhe nëse këto qendra funksionojnë keq, kjo nuk ka shumë rëndësi në planin afat shkurtër, sepse ajo ka arritur një fitore politike, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.”

Realizimi i këtij investigimi u mbështet me një grant nga fondit . International Press Institute, , European Journalism Centre, EJC, dhe çdo partner tjetër në fondin IJ4EU nuk janë përgjegjës për përmbajtjen e publikuar dhe çdo përdorim të saj.