Sun, Jul 20, 2025

“Po na diskriminojnë si zonë pa fund” – Sipërmarrësja shqiptaro-zvicerane revoltohet me pushtetin lokal të Elbasanit: Gjinari është lënë pa rrugë, politikanët vijnë vetëm për vota

  • PublishedJuly 19, 2025

Sipërmarrësja shqiptaro-zvicerane, Flutura Shqau Laurent, njëherësh banore e Gjinarit të Elbasanit, është shprehur e zhgënjyer me pushtetin lokal për shkak të braktisjes në investimet që i kanë bërë zonës së Shpatit.

Biznesmenja e agroturizmit në një reagim në Facebook, ka kërkuar përkrahjen e banorëve të Gjinarit për të zhvilluar një debat për arsyet pse Bashkia e Elbasanit prej vitesh ka lënë pa rrugë fshatin turistik të Gjinarit.

Në reagimin e saj, Flutura Shqau Laurent shprehet se pushtetarët shfaqen në Gjinari vetëm kur u duhen votat, ndërkohë që zona është e diskriminuar nga investimet në infrastrukturë.

“Sonte do hap një debat, dhe më duhet ndihma juaj. Sidomos e shpatarakëve, Gjinarit dhe Zavalinës në veçanti. Jam shumë, shumë, shumë e inatosur me Bashkinë e Elbasanit. Na diskriminojnë si zonë pa fund, na kanë lënë pa rrugë dhe pa investime si zonë turistike. Vijnë vetëm për të marrë vota dhe për të përfituar nga fama e investimeve familjare. Dhe në fund ne s’kemi asgjë. Duke biseduar me një banor dhe dashamirës të zonës, dolëm në përfundimin që ne diskriminohemi se jemi të krishterë! Si mendoni ju? Po ikim të gjithë dhe po e braktisim. Ky lloj SEGREGACIONI nuk është i drejtë! Ne kemi dy pasuri të mëdha, pyllin e Bukanikut dhe minierën e mermerit. Ne s’marrim asgjë nga këto dy shfrytëzime! Hajdutëri dhe makutëri” – shprehet sipërmarrësja shqiptaro-zvicerane.