Thu, Jul 31, 2025

Europa sfidoi SHBA, por injoron fajet e veta

  • PublishedJuly 30, 2025

Europa sfidoi SHBA, por injoron fajet e veta

Kundërshtimi i menjëhershëm i BE para disa muajve i projektit të Trump për paqe habiti opinionin. Sot ajo tërhiqet dhe pranon kompromis për tregtinë nga halli, ngaqë nuk i reziston dot taktikës së re të tij, që dukshëm dëshmon dëshirën për të trajtuar në të ardhmen pa favore edhe miqtë e përhershëm që duan vetëm të përfitojnë. Kjo flet për një kontrast më të thellë nga ç’mendohej midis dy entiteteve tej-përtej Atlantikut. Ka dy risi në këtë mes.

Njëra nacionalizmi, sot jo i tejkaluar por i fshehtë brenda kufijve të Unionit, aty ku duhej të kishte një solidaritet pa hile mbas kaq luftërash intestine. Faktet tregojnë se secili prej shteteve, veçanërisht ata të Veriut, të njohur si lokomotivë e ekonomisë së saj, por që kanë qenë gjyqtarë me plot gjynahe të fatit të të tjerëve -Gjermani, Francë, Britani me status fuqish të mëdha, vazhdojnë edhe sot si në të shkuarën politikën e tyre shpërfillëse ndaj atyre të Jugut. E diktonte ndryshimin pro barazisë zhvillimi galopant i teknologjisë dhe momenti modern që gjen mjete për zgjidhjen e konflikteve (OKB, NATO, sanksione ekonomike etj.).

Shkurt për vullnetmirët luftërat janë të paleverdishme në krahasim me bashkëpunim e sotëm paqësor. Politika në botë jep shenja se po heq tej hipokrizinë : protestat e fuqishme kudo në kontinentin evropian, e provojnë me dokumente në dorë se ish-padronët veriorë nuk janë bërë ‘atnorë,’ po e përdorin politikën me mënyra tinzare, me rezultat shkallmimin e unitetit. Kudo zien pakënaqësia për padrejtësitë e tyre, e cila vërtetohet me varfërinë në rritje ! Pra asnjë pendesë s’duket për egërsitë e pa krahasim në histori të L2B, që duhet të kishte prurë solidaritet të vërtetë dhe pa kushte. Ç’ pendesë? Mund edhe të pyesin ata që u mjaftuan me një ndërrim të institucioneve dhe të administratës, vërtet ekzemplar, por që sukseset e mëvonshme në ekonomi do të sillnin papritur harresën dhe indiferencën. Ato venitin çdo rrahje ndërgjegjeje në brezin e dytë, me rezultat këtë që po shohim sot.. Pra, si ata që i vunë gishtat në fyt palës humbëse pas fitores së 1918, ashtu dhe ata që u hakmorën në 1939 me gjëmën më të përbindshme të historisë, u rehatuan në mbasluftë aq sa t’i lejojnë vetes akoma mendime për ekuilibër forcash e armatime. Milionat e pafajshme të asfiksuara në zemër të saj, nuk janë objekt dhembshurie veçse tek të dashurit e tyre, kurse politikanët do të merren me atë që kishin lënë përgjysmë.

“Gjakftohtësia” e treguar priret të jetë thjesht cinizëm kur ndërgjegjja nuk gufon, por përshtatet me një pasluftë që kufizohet tek detyrat e ditës.. Është vërtet njerëzor ky kalim në rutinë që ngath ndërgjegjen me kënaqësira, por duhet pranuar që edhe mendjet e zemrat e kujt përballon kësisoj të pastajmen e një ferri të atillë, dëshmojnë për mungesë sensi historik, nënprodukt i së cilës del preokupimi veç për qëndrimin në fuqi si persona me mendje të dobëta liderësh pa peshë. Kjo famë e tyre ka gjetur konfermë prej disa dekadash. Vërtet nuk ke si ta zhbësh historinë e trishtë, përveçse duke vepruar me korrektesë në dobi të së kundërtës së saj.

E kanë demonstruar liderë të mëdhenj dhe në kushte rreziku ( pendesa e Churchill, e paefektshme, por e ndjerë), por kur informacioni i dhjetëfishuar të merr përpara, aq sa arrin çdo shtëpi e lokal njëkohësisht me agjencitë seleksionuese o censuruese, e me një uri të paparë nga populli për të hedhur dritë mbi skandalet e ditës dhe të orës, realiteti shpërthen dhe është e kotë të fshihesh prapa gishtit. Si duket ka ardhur momenti që Evropa të ndërrojë drejtim, pavarësisht qytetarëve dhe politikanëve të aklimatizuar me pasurime të paligjshme aq sa të ndihen të lehtësuar të vazhdojnë lojën e vjetër, duke mos nderuar firmën që hodhën në krijimin e Bashkimit Europian. Dhe e shpjegon këtë klimë pasinqeriteti, pikërisht indiferenca ndaj kulturës së vrasjes së të pafajshmit, që e shohin si një moment egërsie nga të shumtat e historisë… Ata e konsiderojnë edhe devijimin nga zakonet e mira familjare si etapë të progresit që e bën njeriun më të lirë(!) Mundet të ecin të pa shqetësuar në një klimë politike hibride të shoqëruar me skandale që u vihet kapak, sepse ruajnë energjinë e rivendikimit të drejtësisë vetëm kur u preken interesat personale. Mesazhet që vijnë andej dëshmojnë prej dekadash rënien e frontit moral në ndihmë të kënaqësive dhe shurdhimit ndaj politikës. Nuk dihen zhvillimet që do marrë çështja.

Mund të themi vetëm që pasioni i qeveris së rizgjedhur të BE shfaqet si kundra gjithçkaje që mund ta reformojë (të dhënat i dalin përditë në dritë) dhe tregojnë se kultura e përshtatjes u ka mjegulluar trurin për të kuptuar ç’ pasione refraktare ndaj vlerave të gjithhershme u kishte shtënë revolucioni në deje. Ai Revolucioni që i pari inauguroi vrasjen e të pafajshmëve, së pari, në kohët moderne!. Me klithma miratuese të popullit. Atë e kanë trashëguar mbarë, të majtë e të djathtë, aq sa të dytët, nga mbështetës vlerash janë kthyer në reaksionarë e racistë, të majtët nga liridashës janë shtyrë deri në licenca dhe shtrembërime me synim vetëm prishjen e çdo opozite që i censuron. Sot ngjan të ketë hyrë tek aktivistët politikë një tip i dyshimtë që ndryshe nga Proteus mitologjik që të magjepste me drita, ruan rastin të manipulojë e sulmojë drejtësinë dhe ata që e administrojnë me korrektesë. Habi të madhe shkakton në publik numri i madh i figurave me emër të shquar në fushën e vet, që marrin përsipër të nxjerrin në gabim ata që japin sinjale të forta për punëra të paqortueshme. Dhe durojnë për këtë demaskime sensacionale. Harku i sotëm kohor është dëshmitar i kësaj përplasjeje me rezultate që pritet të sjellë ndryshime.

Mbushja e hapësirave me parulla të guximshme për t’i mobilizuar ithtarët në mbështetje të luftërave me fqinjët, nuk po e arrin qëllimin. Evropa po bie shpejt ekonomikisht falë disa qeverive, dhe kjo rënie e papritur në pikën më nevralgjike ngjan të jetë fatale e një ideologjie shkaktare të shumë çrregullimeve. Është diçka më tepër se historike: është beteja e njeriut të gabuar që reagon më në fund ndaj fshehjes së krimit. Dhe kjo hapje në dritë të diellit e falsitetit primordial që minoi qarkullimin e pushtetit me rrugët e djathtë e majtë, (tradicionalisht dy mënyra të dialektikës që adoptonin alternativisht popujt) nxori në pah edhe këtë kategori marifetçinjsh që me parulla kundër debatit që zgjidhte situatat, inauguruan këtë psikozë gënjeshtrash që gaboi shumë kategori mendjesh që të vënë inat me [a1] figurat e reja që me dijen dhe kompetencën e tyre u bëjnë hije. Dhe mos harrojmë se kjo farë Evrope e fshehtë dhe arrogante njëherësh, e pat kaluar kudo, Kanadasë të parës, norma të mbrapshta për tua bërë jetën të padurueshme qytetarëve, e që sjellin me vete dhuna të reja si gurë lidhur pas këmbe e shoqërisë një të ardhme që e dinë vetëm ata. Këto masa dekretohen si të detyrueshme, jo për dashuri e simpati për të ndryshmin, një kërkesë e kohës, por për të zbutur vullnetin e masës në harresën e vlerave. Ato risi prej andej iu ngjitën Amerikës gjatë dekadave, në mënyrë që brezi i fundit i të djathtëve, i bezdisur në kulm, tua nxirrte jashtë ‘helmet’ me djersën e zgjedhjeve të nëntorit. Ndihet qysh atëherë një qefprishje në humorin e BE, që ia shton zellin për të dalë me një rezultat triumfant duke mposhtur ndër të tjera ‘armikun’ te dera ngjitur, Rusinë. Ky anakronizëm bërtitës për kontinentin më të përvëluar me miliona të vrarë, e ka rrënjën te Materializmi Historik që na bënin në shkollë, rrënjë teorike që Europa e ka pranuar në thelb dhe e ka bërë gjak të vetin. Ai përmblidhet në argumentin gjoja të paperëndueshëm se “paqja arrihet përmes luftërave”, dhe që tratativat dhe koncesionet nuk vlejnë para grushtit ushtarak. D.m.th. përsëri imponim dhe skena njerëzish që vriten me shoshoq në emër të urrejtjes Moloch që do na sundoje pa afat.

Diçka që në kushtet e sotme bëhet antihistorike. Është një revansh demode dhe absurd, që lufton pajtimin prej dekadash të ushtarëve kundërshtarë që vizitojnë reciprokisht vendet e njeri-tjetrit, me shkëmbime kujtimesh, si dhe nderimin që u bëri Willy Brandt viktimave të hitlerianëve në Varshavë. Kurse popujt e pakujtesë, për ta bërë edhe më tragjik rastin, e shpresojmë paqen tek një zgjidhje ku si persona të jenë ndër fitimtarët … A ka në planin e Trump një dalje nga kjo vazhdë qesharake përveçse të verbër luftërash, një bazë reale për ta zëvendësuar me shkëmbime tregtie në barazi dhe monitorim të armatosur guximtarëve të mos u hyjnë aventurave? Apo synon edhe ai epërsi absolute dhe diktuese si të tjerë deri dje? Kur opinioni botëror dëgjoi se ShBA janë “përdorur” nga miq dhe aleatë, dhe se ai po nis ta korrigjojë këtë padrejtësi me anë tarifash të shkallëzuara sipas dëmit të pësuar, bota u intrigua nga toni prej padroni të botës, mirëpo një orë më vonë iu kujtuan shumë të tjera, që ka ekzistuar një Lotari Amerikane që pranonte emigrantë nga kudo dhe si askush, si dhe ajo tjetra, që ShBA ka hyrë në luftë dy herë në mbrojtje të Evropës pa pasur sulme vetë, si dhe që për dekada paguan pjesën e luanit në NATO, në OKB , UNESCO etj.

Kur banori i botës sjell në mend USAID-in që ofronte pa fund ndihma për këdo me dobësira ekonomike ose me sisteme të mbrapshta regjimi e drejtësie, s’ka si të harrojë faktin që ai shtet i madh i fuqishëm ku lakmojnë të gjithë të hyjnë (me letra apo ilegalisht), s’mund të mos mendojë siç ka menduar deri dje, që ai ka luajtur një rol pozitiv kurrë të barazuar nga të tjerë. Dy rrugë ka për t’u mbushur mendjen europianëve: E para ShBA ka realizuar së fundi një kombinim avantazhesh ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të tilla, sa të mos ketë nevojë për aleatë si deri dje, por i detyron të tëra palët të bien dakord me paqen e sugjeruar mbasi të kenë provuar efektivitetin e pakët të refuzimeve të tyre, që mbeten të parëndësishme e veçanërisht të rrezikshme për paqen. E dyta, ShBA ka arritur një fuqi të tillë sa ta gjykojë të realizueshme paqen edhe për vete e miqtë kur t’u vijë sensi realist, e bashkuar kjo me një pjekuri botërore që edhe fërkimet lokale çojnë herët a vonë në tensione që përfundojnë përsëri në nevojën e luftës, ose në aleanca që me frymën e përçarjes do ta rrezikojnë po ashtu paqen.

Ndaj ato s’mund të lejohen qysh në draft. Një moment pjekurie kjo jo e pamundur, sepse paqja në botë nuk është vetëm punë avantazhesh të njëanshme, por nevojë e arsyeshme e njeriut dhe e njerëzimit. Do ta forconin këtë pozicion mundësia që të heq gjumin, e rrezikut atomik, por edhe arsyetimi që të gjithë kombet kanë bërë krime ndaj njerëzimit aq sa të lindi më në fund nevoja e vetëreformimit dhe pendesës që mungonte deri sot dhe që mund t’u sjellë nën nxitjen e më të fortëve sigurinë miliardave që s’ kanë asgjë mbas shpirtit veç shpresës./Gazeta Panorama