Një fitore e ndërmjetme apo humbje për BE?
AGRON LOCI
Presidenti Trump, vizitën e tij të dytë qysh nga rikthimi në krye të Shtëpisë së Bardhë, në kontinentin e paraardhësve të tij, preferoi ta bënte në Skoci, duke kaluar fundjavën në një ndër dy resortet e golfit që janë pronë e dinastisë Trump. Kabineti i tij, kish planifikuar një ndërthurje mes relaksit dhe angazhimeve politike, ku padyshim ajo që pritej me interes ishte takimi me kreun e komisionit europian. Kur kishin mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i afatit për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të ShBA për BE, presidentja e komisionit europian, Ursula von der Leyen, i kërkoi presidentit Trump, të gjente mundësinë e takimit për të diskutuar mbi këtë çështje. Shqetësimi europian, për t’i dhënë fund sa më shpejt kësaj situate që prej muajsh mbante pezull marrëdhëniet mes dy prej aktorëve më të mëdhenj ekonomik globalë, u lexua shumë mirë nga presidenti amerikan, i cili i propozoi Von der Leyen të takoheshin dhe të deklaronin mbylljen e marrëveshjes jo në Washnigton DC apo në Bruksel, por në resortin e tij privat në një holl që zakonisht përdoret për sallë vallëzimi. Lokacioni ishte i denjë për marrëveshje mes biznesmenësh dhe jo për atë nivel politik dhe rëndësinë e asaj që vendosej. Por gjithsesi edhe ky element formal, shkon në një linjë me mënyrën sesi presidenti Trump e vlerëson politikën, sipas parimit që udhëheq të gjithë aktivitetin dhe qenien e tij, thjeshtë si “business as usual”.
Pavarësisht këtyre elementeve protokollarë, vëmendja e opinionit ndërkombëtar, duke ditur rëndësinë e një marrëveshje të tillë, për shkak të ndikimit të saj në tregtinë dhe ekonominë globale, ishte e përqendruar për të parë nëse BE do t’i qëndronte premtimit dhe vendosmërisë së deklaruar prej muajsh për reciprocitet në vendosjen e tarifave, apo do të thyhej përballë presionit amerikan. Dhe a do të vazhdonte Von der Leyen të mbronte qasjen e saj zero për zero tarifa?
Në fund të takimit ai shtrëngim duarsh dhe gjuha e trupit tregonte gjithçka. Pas qeshjes së ftohtë të presidentit Trump, dallohej një ndjesi triumfalizmi, një “oksigjen aq i nevojshëm për të” në këtë moment kur brenda vendit ka një debat të madh në lidhje me përfshirjen e tij në të ashtuquajturin “skandali Epstein”. Ndërsa Von der Leyen të jepte përshtypjen e nxënëses përpara mësuesit.
Për Trump, duke pasur parasysh se kish arritur synimin e tij, ta detyronte një ndër aktorët më të mëdhenj tregtarë në botë të pranonte kushtet e tij, madje edhe më shumë nga sa mund të ishte parashikuar, marrëveshja ishte “më e mira e arritur ndonjëherë”, ndërkohë që për Von der Leyen kjo “ishte zgjidhja më e mirë për të shmangur një luftë tregtare”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shumë drejtuesve të lartë politikë europianë. Madje shumë kritikë thonë se Von der Leyen veproi pa u konsultuar mjaftueshëm me vendet anëtare çka e dëmton legjitimitetin e këtij akti vendimmarrës.
Kryeministri francez François Bayrou, e ka quajtur këtë “një ditë e errët për Evropën” dhe akuzon Von der Leyen për dorëzim pa kushte përballë presionit amerikan. Kancelari gjerman Merz, vendi i të cilit është mbërthyer nga një krizë e thellë ekonomike, e ka cilësuar fillimisht marrëveshjen si “rezultati maksimal i mundshëm në kushtet e vështira”, por pak më vonë duke parë reagimin e ashpër të biznesit gjerman, do të rishikonte vlerësimin fillestar duke deklaruar se “ekonomia gjermane do të ketë pasoja prej saj”. Madje politikanë të tjerë gjermanë kanë shkuar deri atje sa ta quajnë këtë marrëveshje “tradhti” dhe kanë kërkuar “dorëheqjen e menjëhershme të Von der Leyen”. Ajo që ka reaguar në mënyrë të veçantë, ka qenë Hungaria përmes kryeministrit.
Viktor Orbán, i cili e quajti marrëveshjen si një fitore personale të Trump, madje me ironi e përmblodhi me fjalinë se “Trump e konsumoi Von der Leyen për mëngjes”.
Por çfarë përmban në thelb marrëveshja që është pritur shumë mirë në ShBA dhe që ka krijuar këtë furtunë të vërtetë në BE?
Sipas saj, SHBA do të vazhdojnë të tarifojnë me 50% importuesit europianë të çelikut dhe aluminit ndërkohë që të gjitha mallrat e tjera do të tarifohen me 15% kur mesatarja e tarifës përpara kësaj marrëveshje ishte vetëm 1%.
BE do të investojë edhe 600 mlrd dollarë më shumë nga sa ishte planifikuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë amerikane. Gjithashtu, BE do të blejë 750 mlrd dollarë energji nga SHBA si dhe armatime ushtarake amerikane me vlera të konsiderueshme.
Por, ajo që ka acaruar më shumë europianët është fakti që, mallrat amerikane do të kenë të drejtë të hyjnë në tregun europian me tarifa zero. Sipas një përllogaritje të thjeshtë kjo mungesë të hyrash në buxhet do t’i shkaktonte ekonomisë së përbashkët europiane një rënie prej 0.5% të GDP.
Ursula von der Leyen u përpoq të mbronte pozicionin e saj duke pretenduar se kjo duhet konsideruar si një marrëveshje pragmatike pasi shmang tarifat ekstreme të propozuara nga presidenti Trump gjatë muajit korrik që varionin nga 30-50%. Sipas saj vendosja e një tarife të unifikuar prej 15% ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.
Gjithsesi në fund bilanci flet se SHBA janë fituesi ndërsa BE humbësi i madh
Presidenti Trump është fituesi më i madh pasi arriti t’i imponojë vullnetin e tij një prej konkurrentëve më të mëdhenj tregtar që përkthehet me një bonus të rëndësishëm për të personalisht por edhe për ekonominë e vendit të tij. Ajo shihet si një zhvillim i rëndësishëm drejt përmbushjes së premtimit të tij për ta bërë “Amerikën sërish të madhe”.
Fituese janë kompanitë amerikane të energjisë dhe të armatimeve por edhe sektorë të ndryshëm që do të mbështeten me investime nga kompanitë europiane.
Fituese janë, gjithashtu, me mijëra kompani amerikane që kanë marrëdhënie tregtare me vende të BE pasi do të kenë akses tregtar me zero tarifa.
Fitues është edhe tregu financiar amerikan me biznesin që tashmë mund të marrë frymë i lehtësuar pas gjithë këtyre muajve me ulje ngritjet për tarifat, pasi i krijohen mundësi më të mëdha për të investuar.
Humbësi i madh, madje shumë më i madh nga sa ish menduar është BE.
BE-ja tregoi edhe njëherë mungesën e kohezionit të brendshëm, paaftësinë për të folur me një zë në mbrojtje të interesave të tyre. Marrëveshja në thelb simbolizon dobësinë e BE për të operuar dhe sjellë në mënyrë të barabartë me aktorët e tjerë të mëdhenj siç janë SHBA apo Kina.
Të ndodhura përballë vështirësive ekonomike, inflacionit në rritje, problemeve të mëdha demografike, paaftësisë dhe pamundësisë për t’i dhënë zgjidhje fenomenit të emigracionit shpesh me kosto për buxhetet e këtyre vendeve dhe në kurriz të qytetarëve të tyre, shumë vende europiane janë të pasigurta për të ardhmen.
Për më tepër me një luftë në dyert e saj prej tre vite e gjysmë, që duket se edhe pas premtimit të presidentit Trump për ta mbyllur brenda ditës ka gjasa të vazhdojë ende gjatë, si dhe kërcënimet e vazhdueshme të Putin për të zgjeruar konfliktin, kjo situatë e ka trembur BE duke e detyruar të “dorëzohej dhe të kapitullonte pa kushte” përballë presionit të Donald Trump ku u duk qartë që fuqia për të negociuar ishte e pabarabartë.
Në fund të fundit edhe pas kësaj marrëveshje BE do të vazhdojë të vuajë pamundësinë për të operuar si një aktor i pavarur sa kohë që sektorë të rëndësishëm strategjikë që garantojnë sigurinë si energjia dhe mbrojtja do të jenë në duart e SHBA. Prandaj BE do të vazhdojë ende të kthejë sytë dhe të kërkojë ndihmën e SHBA për të garantuar sigurinë e saj nga kërcënimet ruse. E ndërsa deri para pak muajsh siguria ishte e garantuar, tashmë ka ardhur koha që BE-së do t’i duhet të paguajë dhe jo pak për ta pasur atë.
Si përfundim mund të thuhet se kjo marrëveshje të paktën për një afat të shkurtër i jep fund krizës tregtare mes SHBA dhe BE, por nuk është zgjidhje strategjike afatgjatë dhe e qëndrueshme. Ajo favorizon në mënyrë disproporcionale SHBA-në, ndërkohë që BEja bëri lëshime të rëndësishme për të marrë si garanci ruajtjen e stabilitetit dhe për më tepër sigurinë e saj. Gjithsesi edhe pas miratimit të saj, ka të ngjarë që korporata dhe biznese të mëdha europiane të mos pranojnë kushtet e përcaktuara nga politika, të cilat mund të dëmtojnë interesat e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje alternative. Por edhe në rast të një skenari të tillë, presidenti Trump ka të drejtën të rikërkojë rritjen e tarifave për shkak të mosrespektimit të tyre nga BE. Megjithatë kjo marrëveshje shënon gjithashtu fundin e një epoke dhe fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet tregtare mes dy ish- partnerëve dhe aleatëve të ngushtë për shumë dekada. Në thelb, ajo tregon se rregullat ekonomike globale po zhvendosen nga bashkëpunimi i ndërsjelltë që garantonte rregulla të barabarta drejt qasjes ku fuqia ekonomike, politike dhe sidomos ajo ushtarake janë përcaktuese në vendosjen e këtyre rregullave./Gazeta Panorama