Mon, May 20, 2024

KQZ, SPAK ose “privatizimi” i Drejtësisë

  • PublishedFebruary 17, 2023

GENC BURIMI

Cila është e përbashkëta këto ditë midis SPAK-ut dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve? Janë përgjigjet cinike dhe të ngjashme, si në rastin kur SPAK-ut i kërkohet të hetojë për çështjen “MacGonigal” dhe në rastin kur KQZ-së i kërkohet të mbajë qëndrim në lidhje me aplikacionin “Aktivist”, që favorizon elektoralisht e në mënyrë të pandershme Partinë Socialiste në pushtet.

SPAK thotë se nuk do të vihet në lëvizje në skandalin Mac Gonigal – qeveria shqiptare për aq kohë sa nuk ka marrë nga opozita një dosje ankimore të kopsitur mirë ku t’i bashkëngjitet dhe aktakuza e bërë publike në SHBA dhe në mbarë botën.

Nga ana tjetër, Z. Celibashi tha pak a shumë të njëjtën gjë kur një gazetar i bëri pyetjen për qëndrimin e KQZ-së ndaj aplikacionit shumë të përfolur të socialistëve, “Aktivist”, me justifikimin se KQZ nuk mund të shprehet po nuk mori ankesë nga opozita.

Ndodhemi përballë një rasti flagrant të injorimit të funksionimit të shtetit të së drejtës në një demokraci dhe mohimit të së drejtës së shtetasve për t’u mbrojtur nga agresione kriminale. Kur në lojë është interesi publik dhe jo ai privat, organet e drejtësisë ku bën pjesë dhe KQZ si përfaqësues i drejtësisë elektorale, duhet të veprojnë “à priori”, pra, të vetëvihen në lëvizje pa pritur të marrin ankimime nga subjekte private siç mund të jenë forcat politike.

Nëse bashkëpunimi i ish–agjentit të FBI në Shqipëri me shqiptare ka pasur karakter penal, dëmi nuk i është bërë opozitës, por mbarë taksapaguesve shqiptarë. Përse shqiptarët duhet të presin që një “mendje e ndritur” apo një “dorë e zhdërvjellët” në krahun e opozitës të grumbullojë elementë për të ndërtuar një dosje ankimore sipas avazit të SPAK-ut me shpresën se drejtësia do të denjojë t’i hedhë një sy dosjes dhe te thotë një fjalë? Përse? Asaj nëne me pesë të mitur në rrethin e Shkodrës në varfëri ekstreme që çon fëmijët në shkollë një ore e gjysmë në këmbë dhe pa ngrëne, sepse ndihma sociale që nuk e merr siç duhet ushqen me prioritet korrupsionin e MacGonigaleve, kush më mirë se Drejtësia e vendit të saj mund t’ia mbrojë interesat pa asnjë hallkë të ndërmjetme? Kush? Ajo nënë mbase nuk di as të shkruajë e as të lexojë. Përse duhet të varet ajo nga një Gazmend Bardhi nëse ky ka çuar në SPAK një ankesë të hartuar mirë juridikisht për hetim ndaj Kryeministrit në dosjen e skandalit MacGonigal? Për çfarë i shërben asaj SPAK-u i saj dhe i gjithë shqiptarëve? Në shtetin e së drejtës, për interesat e Popullit, Drejtësia vepron në emër të Popullit dhe jo në emër të Opozitës. Vetëm SPAK në Shqipëri po na çudit me procedura të tilla.

Kur në Francë, drejtësia pati dyshime se ish–Presidenti Sarkozy përfitoi nga financim korruptiv i kolonel Kadafit që i mundësoi atij të hidhte shumë para në fushatë elektorale dhe të zgjidhej President, ajo drejtësi nuk priti që të merrte ankimim nga opozita për të filluar hetime. Nuk priti po ashtu të kishte dhe prova të pakundërshtueshme për të filluar hetime sepse po të ekzistonin ato prova, dosja shkonte menjëherë në Gjykatë për gjykim. Në emër të popullit francez, organet e hetuesisë së Francës hapën hetim më 2013, që sapo u mbyll gati 10 vjet më vonë.

E njëjta gjë dhe me “drejtësinë elektorale” franceze që nuk pret ankimime nga parti politike kundër partish politike, por vepron me iniciativë të saj nëse ka dyshime se fushata elektorale është trukuar qoftë me financime të paligjshme, qoftë me slogane apo aksione elektorale të paligjshme. Kur zgjedhjet manipulohen, viktima në radhë të parë është populli, demokracia dhe jo partitë rivale në lojë. Ndaj dhe zoti Celibashi që kryeson KQZ-në habiti kur la të kuptohet në një konferencë shtypi se aplikacioni Aktivist i PS-së që po u imponohet një kategorie të shtetasve që punojnë në administratë, mund të përbëje një vepër të paligjshme të hetueshme nga KQZ-ja, por vetëm me kushtin që një ankesë t’i mbërrijë atij.

E theksojmë edhe një herë, kur ka indicie se interesi publik mund të jetë cenuar, drejtësia nuk ka nevojë të marrë ankimime për të filluar hetime.

Sigurisht, në shtetin e së drejtës nuk mund të jesh edhe palë, edhe arbitër, pasi kjo do të rrënonte parimin e paanshmërisë së drejtësisë. Një gjykatës nuk mund të bëjë gjykim me iniciativë të vetën edhe sikur krimi të ishte po aq evident sa dikush t’i vinte ditën me diell dinamitin Parlamentit. Demokracitë e kanë zgjidhur prej shekujsh këtë “kurth”, duke krijuar funksionin e prokurorit të popullit (Prokurori i Republikës apo i mbretit sipas llojit të regjimit politik). Është ai, Prokurori, që ia çon dosjen gjykatësit për gjykim pasi ka mbyllur hetimin dhe ka krijuar bindjen me prova se vepra e kryer nga i pandehuri është e dënueshme penalisht. Dhe kur vepron në emër të popullit, siç ashte atributi sot i SPAK-ut apo i KQZ-së, nuk ka zot të na ndalojë t’u kërkojmë këtyre organeve shërbëtore të popullit të hapin hetim me iniciativë të tyre kur vepra të renda penale në kurriz të popullit mund të jenë kryer. Pasi, si tek ai shembulli që një kriminel do t’i vinte flakën Kuvendit të Shqipërisë, si do të reagonte drejtësia, duke thënë se do të priste të merrte një ankim nga Kryesia e Kuvendit për të filluar hetimet?

Sa më shpejt të veprojë SPAK në dosjen Mac Gonigal dhe KQZ në dosjen “Aktivisti”, aq më pak do t’i bëhej dem reputacionit tashmë mjaft të dëmtuar të këtyre dy organeve themelore të Republikës sonë.