Goditen gjashtë grupe kriminale greke, dhjetëra shqiptarë të arrestuar! Sekuestrohen 73 mijë euro, drogë dhe armë

Policia greke ka përfunduar një operacion masiv, të nisur tre ditë më parë, për goditjen e 6 grupeve kriminale të akuzuar për dhjetëra ngjarje në Greqi.
Në prangat e policisë greke kanë rënë 50 persona dhe janë identifikuar 187 të tjerë. Nga këta të fundit, 6 ndodhen të burgosur, ndërsa 1 person rezulton i ekstraduar jashtë Greqisë. Personat e identifikuar si pjesëtarë në këto grupe akuzohen për 480 vjedhje në mjetet e transportit publik dhe në vende turistike, 120 vjedhje në makina, shitje të 16.5 kg marijuhanë, 1.5 kg kokainë dhe sasive të tjera si dhe për qarkullimin e më shumë se 1500 kartmonedhave false.
Gjatë hetimeve është zbuluar se pjesë e këtyre grupeve është dhe autori shqiptar i plagosjes së tre të rinjve nga Kreta në 16 dhjetor në Gazi të Athinës, ndërkohë që është zbuluar edhe vrasja e një të huaji e ndodhur në Athinë në 8 mars.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 73 mijë 725 euro, 697 dollarë, mbi 16 kg marijuanë, rreth 159 gram kokainë, rreth 18 gram heroinë, droga të tjera, 3 armë zjarri dhe 3 karabina, 14 armë të ftohta, 3 jelekë antiplumb, 8 automjete dhe 8 motorra si dhe shumë municion, sende të vjedhura, para false e materiale të tjera.
AlbaniaWeb.net
