Fri, May 17, 2024

Dy teste për “Final 4”, Dinamo luan gjithçka me Vllazninë dhe Egnatian

  • PublishedMay 2, 2024

Edhe 270 minuta kanë mbetur nga kampionati i rregullt, që për Dinamon do të tregojnë nëse do të shijojë emocionet e “Final 4” më pas, apo do të kënaqet thjesht me qëndrimin në Superiore. Investimet e bëra për këtë sezon flasin për variantin e parë, edhe pse sezoni nisi keq.

Bluve u duhet të ruajnë vendin e 4-t për të qenë në finalet e “Air Albania”-s, por duhet pranuar se nuk është e lehtë në këtë moment. Dinamo ka pasur momente të mira gjatë këtij kampionati, por edhe vështirësi dhe luhatje, sikurse pritet për një skuadër të re. Gjithsesi, tani është në pikën ku duhet t’i japë vlerë emrit që ka dhe investimit të kryer nga presidenti Bardhi. Duke nisur nga transferta e së shtunës në Shkodër, kryeqytetasit duhet të përmbushin misionin e “Final 4”, pastaj çfarë sjell fati është për t’u parë.

DY TESTE “FINAL 4” – Nëse ia dalin të sigurojnë një “biletë” për në “Final 4”, blutë kanë në dy ndeshjet e radhës të testojnë veten para sfidave që vendosin titullin. Dinamo përballet me Vllazninë dhe pas disa ditësh me Egnatian, dy skuadrat që kryesojnë renditjen dhe që me shumë mundësi do të jenë kundërshtarët e mundshëm të saj në gjysmëfinale. Egnatia duket e sigurt, ndërsa Vllaznia ka shanse të barabarta me Partizanin. Kështu, ndeshja e kësaj fundjave në “Loro Boriçi” vlen shumë për objektivin e momentit, që është pjesëmarrja në “Final 4”, por edhe për atë që vjen më pas, titullin kampion.

Ka shumë nga ata që mendojnë se Dinamo, nëse e mbyll në vend të 4-t, bëhet shumë e rrezikshme në “Final 4”. Motivimi në këtë rast do të ishte shumë më i madh dhe fakti që blutë do të niseshin si “outsider”, do t’u jepte atyre një mundësi ideale për të shkuar të paktën në finale. Në 180 minutat e radhës Dinamo do të kuptojë më qartë edhe forcën dhe kapacitetin e saj. Në anën tjetër, dy ndeshjet me Vllazninë dhe Egnatian do të shërbejnë edhe për një “riparim”, gjithmonë nëse do të krijohet shansi për të tentuar titullin bashkë me 3 skuadra të tjera.

Futbolli ka plot të papritura dhe në ndeshje teke gjithçka mund të ndodhë. Në kampin dinamovit nuk duan të kënaqen me pak, edhe pse frenohen disi në deklarata, duke ruajtur profilin “e ulët”, siç ka qenë gjithmonë “Nëndetësja”. Fokusi është i gjithi te sfida e Shkodrës, ku blutë duhet të marrin të paktën një barazim.

GJENDJA – Edhe pse skuadra vjen nga një humbje dhe një barazim në dy javët e fundit, gjendja te Dinamo duket e mirë para ndeshjes me Vllazninë. Trajneri Mehmeti pritet të mos ketë mungesa të shtunën, pas rikthimit të Gudiabit dhe Tahirit. Kryeqytetasit do të mbyllin sot dhe nesër përgatitjet për transfertën shkodrane. Ata do të tentojnë fitoren e parë kundër Vllaznisë për këtë sezon.

AlbaniaWeb.net