Gasperini synon titullin në Serie A, Muçi, opsion konkret për Romën?
Prej vitesh, Ernest Muçit është kthyer në një prej emrave më të lakuar në Turqi. “Telenovela” Muçi mori një kthesë të fortë gjatë verës, kohë kur Trabznospor vendosi të ushtrojë të drejtën për të blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit shqiptar nga ekipi i Beshiktash. Ylli kuqezi firmosi një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Paraqitjet e tij të shkëlqyera me fanellën e Tranbzonsor dhe spektakli që dhuroi ndaj Finlandës, me atë gol fantastik, bëri që emri i Muçit të përfundojë edhe një herë në merkato.

Për të ndezur këto zëra, mendoi presidenti i Trabzonspor, me këtë të fundit që deklaroi se në derën e tij kanë ardhur tre oferta konkrete për disa nga yjet e ekipit, ndërsa mediat në Turqi zbuluan se një prej tyre ishte pikërisht në drejtim të Muçit. Mediat shkuan edhe më tej duke shkruar se një prej klubeve të interesuara për shërbimet e Muçit ishte ekipi i Romës. Fillimisht, ky lajm i bërë publik nga mediat në Turqi, më shumë ishte në kuadrin e thashethemeve, apo një lojë e drejtueseve të Trabzonspor për të rritur vlerën e sulmuesit shqiptar, por së fundmi, edhe në Itali, mediat e lakojnë emrin e Muçit si një përforcim i mundshëm për ekipin e Romës gjatë merkatos së janarit.

Sipas “Tuttomercato”, trajneri Gasperini kërkon një sulmues, një lojtar të aftë të ndryshojë balancat gjatë një ndeshje, në mënyrë që ekipi i tij t’i shkojë deri në fund këtë sezon objektivit për të synuar titullin në Serie A.

Ndryshe nga mediat në Turqi, që shkruajnë për një çmim të fiksuar prej 22 milionë euro, TMW vlerëson kartonin e Muçit nga 15-20 milionë euro. Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, objektivi i parë i Romës, dëshira e madhe e trajnerit Gasperini është Endrick i Real Madrid.
