Drita triumfon në derbin ndaj Ballkanit, Ferizaj vazhdon me fitore
Java e 24-t e Albi Mall Superligës së Kosovës ka nisur me dy ndeshje interesante, ku Drita dhe Ferizaj kanë shënuar fitore të rëndësishme.
Në derbin e javës, Drita ka mposhtur Ballkanin me rezultat 2-0. Kësisoj, lideri i tabelës ka arkëtuar tri pikë të mëdha në garën për titullin e kampionit, duke e mposhtur ndjekësin më të afërt.
Rezultatin e zhbllokoi Veton Tusha në minutën e 77-të, ndërsa Kastriot Selmani vulosi fitoren me golin e dytë në minutën e 89-të. Ballkani luajti me një lojtar më pak nga minuta e 64-t, pasi Gentrit Halili u ndëshkua me karton të kuq.
Pas kësaj fitoreje, Drita kryeson tabelën me 53 pikë, duke e çuar në 13 pikë epërsinë ndaj Ballkanit, që mban vendin e dytë me 40 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Ferizaj vazhdoi serinë pozitive duke e mposhtur Llapin me rezultat 2:1.
Ferizajasit e nisën ndeshjen furishëm dhe kaluan në epërsi që në minutën e 11-të me golin e Valmir Nafiut. Megjithatë, Llapi reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin me golin e Blendi Bafiut në minutën e 17-të. Për të vulosur fitoren e Ferizajt u përkujdes Antonio Ilieski, i cili shënoi në minutën e 42-të.
Me këtë fitore, Ferizaj ngjitet në vendin e pestë me 32 pikë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e tetë me 26 pikë.
Java e 24-t vazhdon me dy ndeshje të mërkurën, ku takohen Malisheva-Gjilani dhe Prishtina-Dukagjini, derisa përmbyllet të enjten me ndeshjen Suhareka-Feronikeli 74.