Thu, Apr 16, 2026

Shqipëria e Silvinjos, dy humbje kthyen historinë te kuqezinjtë

Shqipëria e Silvinjos, dy humbje kthyen historinë te kuqezinjtë
  • PublishedApril 16, 2026

Kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Sil vinjos ka pasur suksese në edicionet e Europianit dhe kualifikueset e Botërorit, megjithatë kuqezinjtë kanë pasur edhe zhgënjime siç ishte Liga e Kombeve dhe “play off”. Megjithatë, skuadra kuqezi ka treguar stabilitet shpesh herë në rezultate dhe është nga ato skuadra që di të mbrojë rezultatin kur shënon, apo edhe të sulmojë, edhe pse jo shpesh herë ka ditur të përmbysë rezultatin.

PËRMBYSJET KUQEZI- Analiza e ndeshjeve nga viti 2023 deri në mars 2026 tregon një prirje të fortë taktike dhe psikologjike me skuadrën që është kthyer në një ekip që lufton për fitore në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë. Megjithatë, Shqipëria rrallëherë arrin të përmbysë një rezultat negativ, çka e bën reagimin gjatë ndeshjes një nga pikat më të dobëta të kësaj skuadre. Rastet e përmbysjes janë minimale dhe pothuajse përjashtime që konfirmojnë rregullin, ku në epokën e Silvinjos, mund të përmenden vetëm 2 fitore. I pari është suksesi 1-2 ndaj Ukrainës në Ligën e Kombeve, pasi ukrainasit më parë kishin kaluar në avantazh, teksa më pas erdhi dhe fitorja 4-2 ndaj Jordanisë në një ndeshje miqësore. Kuqezinjtë kaluan në disavantazh 0-1 dhe më pas ditën të shënonin 4 herë për të fituar me rezultatin 4-2. Në asnjë rast tjetër, kuqezinjtë nuk kanë arritur të fitojnë pasi kanë pësuar gol të parët, duke treguar një pikë të dobët për skuadrën që ka ndikuar jo pak në rezultatet e marra në epokën e brazilianit.

PËRMBYSJET NDAJ SHQIPËRISË- Kur Shqipëria kalon e para në avantazh, skuadra transformohet në një ekip kompakt dhe rrallë herë di të ndëshkohet dhe këtë e vërtetojnë fitore të rëndësishme si ato ndaj Çekisë 3-0, Polonisë 2-0 apo edhe ndaj Letonisë e Serbisë me rezultatet 1-0 dhe 0-1. Grinta që ka Shqipëria kur kalon në avantazh, shpesh herë e bën një skuadër që nuk thyhet dhe entuziazmi për të qëndruar në avantazh dhe për të marrë pikë të plota, sjell më shumë siguri në prapavijën kuqezi. Megjithatë, edhe në këtë skenar pozitiv ka luhatje. Ka disa raste kur avantazhi nuk është administruar deri në fund, duke prodhuar barazime si ndaj Kroacisë në Europian apo edhe ndaj Moldavisë apo Letonisë.

Këto ndeshje tregojnë se edhe pse skuadra funksionon dhe shënon, përqendrimi nuk është gjithmonë konstant. Për më tepër, ka edhe raste kur kuqezinjtë janë përmbysur dhe në të dyja rastet, bëhet fjalë për ndeshje që Shqipërisë i kanë kushtuar ekstremisht shumë. Kuqezinjtë e Silvinjos u përmbysën për herë të parë në Europian. Goli i shënuar nga Nedim Bajrami që në sekondat e para, bëri që të kishte shpresë për një 3 pikësh në Europian, por “axurrët” arritën të përmbysnin rezultatin. Një fitore e Shqipërisë asokohe, do e ndihmonte skuadrën tonë që të kalonte grupin për të qenë për herë të parë në fazën e 1/8- ave.

Një tjetër ndeshje ku Shqipëria nuk e ka menaxhuar fitoren, është e freskët. Vetëm pak ditë më parë, kuqezinjtë u eliminuan në “play off” të Botërorit. Goli i Hoxhës i dha shpresa kuqezinjve për një rezultat pozitiv e madje pati edhe shumë raste të mira shënimi por më vonë ishin vendësit që fituan 2-1. Në total, tabloja kur Shqipëria shënon e para është kryesisht pozitive pasi shumica e ndeshjeve mbyllen me fitore, humbjet janë të rralla dhe barazimet vijnë si pasojë e detajeve. Kjo tregon se skuadra ka ndërtuar një identitet të qartë mbrojtës dhe di të organizohet kur është në kontroll të rezultatit.

Në thelb, Shqipëria e sotme paraqitet si një skuadër që cila funksionon më mirë kur është në kontroll sesa kur duhet të ndjekë rezultatin. Kur kalon në avantazh, rritet besimi, linjat afrohen dhe loja bëhet më e disiplinuar. Kur ndodh e kundërta, mungon qartësia në ndërtimin e aksioneve dhe rritet varësia nga episode individuale. Natyrisht, detaje të tilla kanë bërë që Shqipëria të mos arrijë për herë të parë në Botëror dhe në të ardhmen, është një element në të cilin kuqezinjtë duhet të punojnë më shumë për të pasur edhe skuadër më solide me rezultate pozitive. Ky është padyshim një detaj që e ndan një skuadër të “vogël” nga ato skuadrat e “mëdha” që marrin rezultate pozitive dhe arrijnë deri në faza finale.