Wed, Apr 22, 2026

DOSJA/ Peshkaqenët e AKSHI-t – InfoNews.al

DOSJA/ Peshkaqenët e AKSHI-t – InfoNews.al
  • PublishedApril 22, 2026

DOSJA/ Peshkaqenët e AKSHI-t

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të martën se ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro në kuadër të procedimit penal kundër ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Në total, masat e sekuestros kanë prekur pesë persona nën hetim.

Hetimet paraprake përfshijnë disa vepra penale të rënda, si konkurrencë e paligjshme me dhunë, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes. Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t ndodhet në “arrest shtëpie”.

Me vendimin nr. 289, datë 20 prill 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi sekuestrimin e një numri të madh pasurish në emër të pesë personave nën hetim.

Pasuritë përfshijnë apartamente dhe toka në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Kavajë, vila dhe prona të mëdha në zonën e Petrelës, automjete luksoze si Land Rover Defender dhe Volkswagen Tiguan, një jaht, si dhe disa subjekte tregtare. Po ashtu janë sekuestruar edhe llogari bankare dhe shuma të konsiderueshme parash në banka dhe kompani private.

Pjesa më e madhe e pasurive rezulton të jetë në emër të biznesmenit Ergys Agasi, i cili zotëron disa prona dhe ndërtesa në zonën e Petrelës, si dhe apartamente dhe prona të tjera në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkohë, personave të tjerë nën hetim u janë sekuestruar gjithashtu prona të paluajtshme, kompani, automjete dhe shuma të mëdha parash në llogari bankare ose në subjekte tregtare.

Vetëm Mirlinda Karçanajt i janë sekuestruar tre apartamente – dy në Tiranë dhe një në Qerret, si dhe 1500 m² tokë në Sauk, llogari bankare dhe një automjet.

Pas vendosjes së masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj, kryeministri Edi Rama deklaroi se ajo jetonte me qira.

“Linda Karçanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit,” pretendoi Rama në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë, mes aseteve të sekuestruara nga biznesmeni Ermal Beqiraj është edhe jahti “Skyfall”.

SPAK bëri të ditur se operacioni u realizua në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe për konfiskimin përfundimtar të pasurive.
Gati 1.1 milionë euro (me kursin aktual) ose 100.840.264 lekë kaluan në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, pas kërcënimeve të Ermal Beqirit ndaj shoqërisë AESS shpk të shqiptaro-gjermanes Migena Schroeder, e cila ishte bërë pjesë e realizimit të projektit ‘SmartLab 2” në shkollat shqiptare, financuar nga AKSHI.Historia nis që përpara se të niste procedura e prokurorimit. “Në muajt Shkurt-Mars të vitit 2022, më kujtohet që ka ardhur të më takojë shtetasi Daniel Shima, (nëndrejtor i AKSHI-t) i cili më ka thënë që e kishte dërguar “shefja”. Më sugjeroi që të bëhesha pjesë e një projekti që lidhej me implementimin “Smartlab 2”, në shkollat”, ka treguar Schroeder. Sipas saj interesi i Shimës lidhej me faktin se shoqëria e saj kishte ekskluzivitetin e “Ruckus”, kompani amerikane, nga më të mëdhatë në botë e njohur për fibrën optike.Në dosjen e siguruar nga Report Tv, thuhet se Schroeder ka shpjeguar përpara hetuesve se bëhej fjalë për një procedurë prokurimi, që do të bëhej nga AKSHI-i që nuk ishte bërë ende, por se ishte paracaktuar. “Danieli më thotë që ky projekt është caktuar që do të realizohej nga shoqëria “Albascan”, dhe se për këtë arsye duhet të takohesha me përfaqësuesin e kësaj shoqërie, Elision Jorgjis”.Në dosje nuk jepen detaje të takimit, por lihet të kuptohet se AESS dhe Albascan e Jorgjit kishin rënë dakort për të bashkëpunuar për projektin. Por ndërsa realzimi nuk kishte përfunduar ende, në Janar të vitit 2024 “më erdhi në zyrë Elision Jorgjis, i cili më tha se Daniel Shima nuk do ishte më përgjegjës për çfarë ndodhte në AKSHI dhe se tashmë gjërat i kishte marrë në dorë një shtetas me emrin “Gysi”, ka rrëfer Schroeder, sipas së cilës Jorgji i kishtë thënë se “ai do më kalonte në llogari lekët dhe se unë duhet ti mbaja në llogari dhe ti kaloja me fatura të vogla nga pak e nga pak, por se deri në atë moment nuk e dija tamam se kujt duhej t’ia kaloja”.Pas këtij episodi, Schroeder i ka thënë hetuesve se është ankuar te drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit i ka lënë të kuptohet se nuk kishte njohje me Jorgjisin, i cili, sipas saj ishte futur në lojë nga Daniel Shima, që në atë kohë kishte lënë detyrën si zëvendës drejtor i AKSHI-t.Më vonë, Schroeder tregon se ndërsa ishte në një tjetër takim me Jorgjisin, i mbërrin një mesazh nga Karçanaj e cila i sugjeron një takim me Ermal Beqirin. “Ai më tha në vijim të bisedës që unë kisha hyrë në një “pishinë peshkaqenësh” dhe se ai ishte këtu “për të zgjidhur historinë”, ka rrëfyer Schroder, sipas së cilës po atë ditë, ajo shkoi në orën 18:00 në zyrën e Beqirit së bashku me kontratat, i cili i bëri të qartë se një pjesë të fitimeve do duhet t’ia kalonte kompanisë ‘EA Solution’ të Argys Agasit.“Gjatë takimit më pyeti për vlerën e kontratës dhe aty më tha se sa lekë do të mbaja unë në llogari dhe se një pjesë të shumës së fituar, për të cilën do më kontaktonte një punonjësja e tij me emrin Gesta, me të cilën duhet të diskutoja për të bërë një kontratë shërbimi me shoqërinë EA Solution. Për këtë gjë, Emali më tha që duhet të kisha parasyesh që këto lekë nuk ishin të miat dhe se prandaj më kishte thënë që kisha hyrë “në një pishinë peshkaqenësh”, ka treguar Schroeder, e cila ka thënë se e ndjerë nën presion kishte kërkuar NIPT-in e shoqërisë ‘EA Solution’, dhe kishte dalë nga takimi.Si përfundim, AESS shpk, nënshkruan një kontratë me kompaninën e Agasit për shërbime të llojit projektim, konsulencë dhe trajnim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit. “Në faturën tatimore të shitjes të dorëzuar nga Migena Schroeder, dokumentohet se më datë 13.02.2024, ajo i ka prerë një faturë shoqërisë EA Solution, në vlerën 100.840.264 lekë”, shpjegohet në dosje.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se për verërat e shtrenjta të gjetura në kantinën që kishte në vilën e tij në mjediset e “Equos Resort” Ergys Agasi nuk rezulton të ketë paguar as edhe një qindarkë. Edhe ato kanë qenë një formë pagese shpërblimi që kompanitë Soft & Solution shpk e Ermal Beqirit; Fastech shpk e Andis Papës, First shpk e Gëzim Hoxhës dhe shoqëritë e tjera të lidhura me to, kishin kryer për tenderat që kishin fituar nga AKSHI, shpjegohet në vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive të Agasit dhe drejtuesve të këtyre kompanive, të cilin Report Tv e disponon. Sipas hetimit, dyshohet se bëhet fjalë për një vlerë prej mbi 950 mijë euro.Një faturë e gjetur mbi disa arka druri me shishe vere e shampanje në garazhin e vilës tjetër të Agasit në Qerret të Durrësit, ka çuar hetuesit në zbulimin e furnizuesit të pijeve të shtrenjta, të cilat vinin në Shqipëri, të paktën në këtë rast, me postën e shpejtë dhe të kushtueshme DHL. Fatura ishte në emrin e shoqërisë “Fast & Fresh’”, në pronësi të shtetasit Andis Papës, pronar edhe i Fastech shpk, kompani e cila fitonte tendera te AKSHI.Vetëm për periudhën Tetor 2024 – Nëntor 2025, “Fast & Fresh” kishte importuar pije në vlerën totale 1.130.265 Euro dhe për periudhën Nëntor 2024 – Dhjetor 2025 ky subjekt ka faturuar blerje ndaj “Fastech” shpk dhe “Soft & Solution” shpk shumën prej 94.423.883 lekë (ose mbi 950 mijë euro me kursin aktual).Kjo rrethanë, sipas hetuesve, përputhet dhe me kontrollin e ushtruar në ambientet e “Equos Resort”, konkretisht në banesën e të hetuarit Ergys Agasi, gjatë kontrollit të së cilës, në ambientin e poshtëm të vilës, u konstatua një numër i lartë pijesh alkoolike (verë e kuqe), të cilat janë të ngjashme me ato të evidentuara nga këqyrja e praktikave doganore për llogari të subjektit “Fast & Fresh”, në pronësi të shtetasit Andis Papa.Në të vërtetë afro 600 shishet verëra të shtrenjta që u gjetën në vilën e Agasit, u zhdukën pa lënë gjurmë, pasi prokurorët ia lanë për detyrë Doganës që të bllokonte mallin i cili ishte pa pullë fiskale.SPAK thotë se dyshimet që këto produkte janë paguar dhe porositur për llogari të të hetuarit Ergys Agasi, janë konfirmuar dhe nga shpjegimet e të hetuarit Andis Papa, sipas të cilit verërat e shtrenjta të importuara nga kompania e tij “kryesisht kanë qenë porosi të shtetases Arjola Kormani”. (administratore e Soft&Solution, në pronësi të Ermal Beqirit)Papa i ka treguar hetuesve se “porositë i bënte direkt ajo por, në emrin e shoqërisë Fast & Fresh. Pagesat për këto produkte, bëheshin në këtë formë, pra ajo bënte porosinë, mua më vinte fatura nga shitësi dhe unë bëja pagesën me bankë nëpërmjet Union Bank. Më pas, Arjola i paguante verërat në varësi të likuiditetit, kishte dhe raste që lekët vinin nga shoqëria Soft & Solution, paraprakisht, me bankë dhe më pas kaluam në pagesa kesh. Kur nuk kishte mundësi, ajo sillte dhe lekët kesh, në formën e paradhënies. Dua gjithashtu të sqaroj se shoqërisë Soft & Solution nuk i kemi shitur verëra me fitim, por gjithnjë me vlerën që i bleja, ky fakt edhe për shkak të bashkëpunimit dhe njohjes me Ermal Beqirin”