Dua Lipa zgjedh Palermon për martesën?
Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, dhe aktori britanik Callum Turner thuhet se kanë zgjedhur qytetin italian Palermo si destinacion për martesën e tyre, duke ndezur menjëherë interesin e mediave ndërkombëtare dhe fansave.
Sipas raportimeve të fundit te mediave italiane, gjithçka nisi nga një shëtitje romantike në rrugicat e qendrës historike të Palermos, e cila duket se i “magjepsi” çiftin. Që nga ai moment, dyshja dyshohet se ka vendosur të organizojë dasmën pikërisht në këtë qytet, duke përqafuar plotësisht atmosferën dhe stilin sicilian.
Burime pranë organizimit bëjnë me dije se ceremonia pritet të jetë një event madhështor që do të zgjasë plot tre ditë, nga 5 deri më 7 shtator. Festa do të përfshijë një seri aktivitetesh ekskluzive, duke nisur nga darka dhe dreka në vila historike, deri te shëtitje me varkë dhe eksperienca private për të ftuarit VIP.
Ndërkohë, të ftuarit pritet të jenë emra të njohur të skenës ndërkombëtare, pjesë e “jet set”-it global. Raportohet se një pjesë e tyre kanë rezervuar tashmë suita në hotelin luksoz Villa Igiea, një nga destinacionet më elitare në Sicili.
Edhe gjatë qëndrimit të tyre në Palermo, Dua Lipa dhe Callum Turner janë parë duke shijuar jetën si turistë të zakonshëm: duke shëtitur në tregje tradicionale, duke provuar ushqime tipike si “pane e panelle” dhe duke u përpjekur të qëndrojnë larg vëmendjes, megjithëse të shoqëruar nga siguri e afërt.
Nga ana tjetër, organizimi i eventit duket se ka nisur prej kohësh. Wedding planner-i është parë disa herë në qytet, ndërsa ekipi i përgatitjeve po punon intensivisht për çdo detaj. Megjithatë, sipas burimeve, vetë Dua Lipa dëshiron të jetë e përfshirë personalisht në çdo aspekt të dasmës, nga tema e ceremonisë deri te çdo aktivitet shoqërues.
Megjithëse lajmi ka marrë vëmendje të madhe, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë çifti, duke lënë gjithçka në kuadrin e raportimeve dhe spekulimeve të mediave rozë.
